Megjithëse autizmi është identifikuar në vitin 1943, ende është paaftësi relativisht e panjohur. Por është vlerësuar se më shumë se 1.5% e popullsisë në botë kanë dikë që vuan prej çrregullimeve nga spektri autistik.
Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike dhe pamja e tyre është si çdo person pa aftësi të kufizuara. Për këtë shkak, është vështirë të krijohet më shumë dijeni dhe mirëkuptim për këtë gjendje.
Për shkak se fëmijët me autizëm duken ‘normalë’, njerëzit mendojnë se ata janë të pasjellshëm apo prindërit nuk mund ta kontrollojnë fëmijën. Njerëzit zakonisht e shohin këtë si ‘dështim’.
Çfarë është autizmi?
Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut , pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik.
Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku. Është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficientë Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar.
Autizmi është paaftësi zhvilluese e përjetshme, e cila ndikon në mënyrën se si personi komunikon dhe sillet me njerëzit rreth tyre. Fëmijët dhe të rriturit me autizëm kanë vështirësi të kenë afërsi me të tjerët në mënyrë të thjeshtë. Në përgjithësi aftësitë e tyre për të zhvilluar shoqëri dhe aftësia e tyre për të kuptuar shprehjet emocionale të njerëzve të tjerë janë të kufizuara. Njerëzit me autizëm shpesh mund të kenë paaftësi të tjera, por çdo njeri me këtë gjendje ka vështirësi të kuptojnë gjërat në botë. Ekziston edhe një gjendje tjetër që quhet sindromi Asperger, i cili i përshkruan njerëzit me lloj më të lartë të autizmit.
Cilat janë karakteristikat e autizmit?
•Në përgjithësi njerëzit me autizëm përjetojnë vështirësi në tri mënyra kryesore, këto njihen si treshi i dobësive.
•Bashkëveprimi shoqëror (i vështirë me marrëdhënie shoqërore, për shembull duket i ftoftë dhe indiferent për njerëzit e tjerë).
•Komunikim shoqëror (vështirësi me komunikim verbal dhe jo verbal, për shembull nuk i kuptojnë plotësisht kuptimin e gjesteve të zakonshme, shprehjeve të fytyrës apo tingullin e zërit).
•Imagjinatën (vështirësi në zhvillimin interpersonal të lojërave dhe imagjinatës, për shembull aktivitete të kufizuara imagjinative, mundësisht të kopjuara në mënyrë të shtanguar dhe përsëritëse).
•Si shtojcë të treshit të dobësive, shpesh si karakteristikë, janë edhe sjelljet e përsëritura dhe kundërshtime nëse gjërat e përditshme ndryshohen.
Çfarë e shkakton autizmin?
Shkaku apo shkaqet e autizmit janë ende të panjohura, por studimet tregojnë që faktorët gjenetikë janë me rëndësi. Po ashtu, nga studimet është e dukshme që autizmi mund të jetë i lidhur me gjendjet e tjera që ndikojnë në zhvillimin e trurit që ndodhin para, gjatë apo menjëherë pas lindjes së foshnjës.
Diagnoza
Sa më shpejt të bëhet diagnoza e autizmit, aq më shumë ka shanse që personi të marrë ndihmë dhe përkrahjen e duhur. Në shumicën e rasteve simptomat e autizmit janë të matshme me disa instrumente apo teste vlerësimi që në moshën 18-muajshe. Prindër të kujdesshëm apo specialistë të mirëinformuar qëllon t’i identifikojnë shenjat e para edhe më herët. Si rregull, një diagnozë e konfirmuar e autizmit mund të vendoset rreth moshës 2 vjeç, pavarësisht se në praktikë është rreth dy vjeç e gjysmë-tre, pikërisht atëherë kur problemet me të folurin janë bërë më të dukshme. Rreth 20% e fëmijëve me autizëm zhvillohen normalisht deri në njëfarë periudhe dhe pastaj duket sikur u ngec zhvillimi apo bëjnë regres.
A mund të ndihmohen njerëzit me autizëm?
Arsimimi i posaçëm dhe përkrahja e organizuar mund të bëjë ndryshim të madh për jetën e personit me autizëm, duke i ndihmuar për t’i shtuar aftësitë dhe për të arritur potencialin e plotë më vonë me moshën. Autizmi mbetet ende një çrregullim i trajtueshëm. Disa modele terapish bëjnë sot të mundur të kontrollojnë e modifikojnë simptoma specifike duke sjellë përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm. Një plan i mirë trajtimi vë në lëvizje një grup specialistësh që koordinojnë punën për të modifikuar simptomat bazë: dëmtimin e marrje-dhënieve sociale, komunikimin (verbal e jo-verbal) dhe veprimet a sjelljet përsëritëse e obsesive. Sa më e herët ndërhyrja, aq më të mira duket të jenë rezultatet. Modelet terapeutike janë të shumëllojshme, ngandonjëherë të ndihmuara edhe nga barna që i përshkruajnë mjekët, por ato më të suksesshmet janë kur familja përfshihet në mënyrë thelbësore. Fëmija dhe prindërit kanë nevojë për mbështetje, ngrohtësi e dije, sepse bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e të mundimshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.