Çdo njeri edhe ai më i padituri ka një dëshirë, ëndërr, që kur të flasë, të gjithë ta dëgjojnë dhe t’i binden. Ti binden, jo nga frika, por nga fuqia, që buron nga fjala e tij. Kjo veti kaq e dëshiruar, quhet autoritet.
Autoriteti ka atë veti, që shmang frikën dhe vë në lëvizje mekanizmat e respektit, të bindjes dhe të tolerancës. Autoriteti është karakteristikë e njeriut qytetar, e njeriut të mençur. Për autoritetin e të rriturit adoleshenti ka nevojë si për ajrin, pasi i rrituri është modeli dhe vlera për jetën dhe të ardhmen e tij.
Autoriteti i të rriturit ndaj adoleshentit duhet të bazohet vetëm tek fjala dhe tek toleranca e të rriturit. I rrituri nuk duhet të përdorë apo të abuzojë me fuqinë, që i jep mosha dhe pozicioni, atëherë nuk bëhet fjalë për autoritet, por është pushtet.
Për fat, autoriteti dhe pushteti shpeshherë nuk dallohen nga njeri tjetri, por një baba dhe një mësues (si mashkull ashtu edhe femër) e ka për detyrë ta njohë dhe ta dalloj diferencën. Në të kundërt, do të humbasë besimin e adoleshentit dhe kështu, do të bëhen të huaj. Të bërit të huaj aktivizon “muret e heshtjes”, që janë aty në hije të çdo shpirti njerëzor. Ato hynë menjëherë në veprim dhe gjithçka bëhet shumë e vështirë, duke filluar nga komunikimi.
Autoriteti i të rritur është i domosdoshëm për realizimin e vetëdijes, tek adoleshenti. Fjala e të rriturit është si një “litar shpëtimi” për t’u ngjitur nga abisi i errët i padijes, që vjen nga të qenit i parritur. Fëmija në përgjithësi dhe adoleshenti në veçanti, kanë nevojë për autoritetin për të kuptuar fuqinë e fjalës dhe çdo të thotë i rritur. Nëse të rriturit nuk arrijnë t’u trasmetojnë këtë vlerë autentike të njeriut, atëherë do të sundojë konfuzioni dhe mosbesimi te fjala si veti vetëm e njeriut dhe autoriteti do të mbetet vetëm një dëshirë e paaritshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.