FB

December 25, 2023 | 7:30

BABAGJYSHI i dobishëm për fëmijët ose përralla që duhet besuar

Rituali i përvitshëm në përjetimin e atmosferës festive është emocionues për këdo. Të vegjël e të rritur përfshihemi nga gëzimi dhe dinamizmi, karakteristikë e festave të fundvitit. Është bukur të prekim paksa histori në lidhje me simbolin unik që e karakterizon festën e shumëpritur një herë në vit. Miti i ekzistencës së babagjyshit, si figura më e dashur për fëmijët në vigjilje të festave, mbart një vlerë të veçantë dhe të frytshme për psikologjinë njerëzore.

Nga Elona Kormaku Psikologe Klinike

Pak histori për simbolin e babagjyshit

Origjina e babagjyshit është shumë e hershme… Por paraardhësi i vërtetë i babagjyshit është Santa Klausi. Ai u transformua në një babagjysh nga një pastor amerikan, i cili krijoi disa poema për fëmijët e tij, duke i treguar historinë e një burri të moshuar, të veshur me të kuqe, që shpërndante dhurata me një slitë, të cilën e tërhiqte pa u lodhur. Vetëm në vitin 1931 babagjyshi u shndërrua në një personazh shumë të adhuruar dhe pjesë e pandarë e atmosferës…

Përralla që duhet besuar…!

Fëmijët jetojnë në një botë krejtësisht ndryshe nga ajo e të rriturve, ku fantazia dhe imagjinata ia kanë zënë vendin realitetit dhe zhvillimeve të tij. Në një realitet të mbushur me ngjyra të gëzueshme, me përralla të magjishme dhe vende mistike. Deri në moshën 5-vjeçare, psikika e një fëmije është nën ndikimin e mendimeve imagjinare duke thurur skenarë mendorë e duke shpikur histori ireale. Për aq kohë sa fëmija është ende i vogël, edhe për prindin është më e lehtë të krijojë histori apo t`i japë shpjegime, lehtësisht të besueshme prej tij. Është shumë e rëndësishme për zhvillimin psikologjik të fëmijës kultivimi i imagjinatës dhe besimi në gjëra që nuk janë reale, sepse ato e ndihmojnë fëmijën të përshtatet më mirë ndaj jetës dhe vështirësive.

TË MENDUARIT MAGJIK

Është një nga proceset më të veçanta të zhvillimit psikoafektiv të fëmijës. Në këtë periudhë fëmija ndërton një bazë të fortë brenda vetes. Babagjyshi është një personazh pozitiv, i qeshur dhe i dashur, me një mision të bukur për të përmbushur kundrejt njerëzve dhe për këtë arsye ai simbolizon të mirën te fëmija. Në këtë kuptim mund të themi se lejimi që i bëjmë fëmijës për të besuar te figura e babagjyshit në mënyrë imagjinare është mënyra më e mirë për t’i dhënë atij shpresën për jetën, siguri, besim për të kaluar vështirësitë, kultivimin e mirësisë etj. Përderisa babagjyshi përfaqëson figurën atërore, ai mund të reflektojë imazhin e një babai të mirë që mendon për fëmijën duke i sjellë dhurata, që e dëgjon me vëmendje dhe që i mundëson realizimin e dëshirave.

1

 

Publikuar në Revistën Psikologjia 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top