Nga Lira Gjika, pediatre
Baballarët e sotëm gjithmonë e më shumë po marrin e po bëhen pjesë e rritjes së fëmijëve, të barabartë me nënat. Ky hap është shumë emancipues për mashkullin, nuk e lë më atë jashtë familjes, krijon hapësira për barazinë gjinore dhe më kryesorja, shmang varësinë e tyre nga femra. Shmang varësinë nga nëna, gruaja, apo siç është në mitet tona, nga motra. (miti i Gjergj Elez Alis).
Në traditën tonë, burri nuk bën asgjë për mirëmbajtjen e vet, që nga ushqyerja e deri te veshja, të gjitha i ka të gatshme, të përgatitura nga nëna, gruaja apo motra.
Kur eci rrugës dhe shoh baballarë që merren seriozisht me fëmijët e tyre, që u mbajnë çantat e shkollës, që ulen në gjunjë, kur flasin me fëmijët, që i drejtohen gruas: “rri ti se merrem unë me vajzën apo djalin”, me shumë dashuri dhe pa asnjë lloj bezdie, mendoj se edhe tek ne ka ndodhur ajo “gjëja” e mirë që haset në vendet e zhvilluara, ku ndarja e punës nëpërmjet gjinisë, gjithnjë e më shumë po zbehet.
Grupi i baballarëve të rinj në Shqipëri, që së bashku me nënat, përpiqen t’i rritin fëmijët në radhë të parë si njerëz të lirë e të mirë, edhe pse ende nuk mbizotëron, rritet përditë.
Ata me sjelljen e tyre ndaj fëmijës, gruas dhe mjedisit, po bëjnë të njëjtën gjë, si çdo baba në vendet e zhvilluara. Ata i ndihmojnë fëmijët e tyre, të bëhen sa më njerëzorë e të zotë, që kur të përballen në jetë si të rritur, të jenë sa më të sigurt te vetja, pa komplekse inferioriteti, pa paragjykime dhe si baballarët e tyre, të jetojnë jetën me kurajë e energji për të mirën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.