FB

February 12, 2026 | 17:30

Balanca e humbur mes respektit dhe autoritetit

 

Në çdo shoqëri, shkolla ka qenë hapësira ku ndërtohet raporti mes autoritetit dhe respektit. Aty formohet jo vetëm dija, por edhe ndjenja e kufirit, përgjegjësisë dhe bashkëjetesës. Kur ky raport fillon të lëkundet, tensioni nuk mbetet i izoluar brenda mureve të klasës, por reflekton një realitet më të gjerë shoqëror.

albina-hyseniFigura e mësuesit, që dikur mbështetej në peshën e dijes dhe në respektin moral të komunitetit, sot përballet me një realitet tjetër. Informacioni nuk është më privilegj i klasës. Nxënësi ka qasje të pakufizuar në dije dhe shpesh e sheh autoritetin si diçka që duhet sfiduar. Transformimi i kohës nuk e justifikon humbjen e kufijve. Autoriteti profesional mbetet themelor për procesin edukativ. Ai nuk mund të mbështetet në frikë dhe as në forcë. Në momentin që forca përdoret si mjet disipline, figura edukative humbet legjitimitetin e saj. Por po aq e vërtetë është se një nxënës që e sfidon autoritetin me agresivitet tregon një boshllëk tjetër, mungesën e kufijve të vendosur më herët.

Brezi i sotëm rritet nën presion të vazhdueshëm emocional dhe social. Rrjetet sociale e kanë ndryshuar mënyrën si reagohet dhe si përballohet konflikti. Impulsiviteti shpesh shpërblehet me vëmendje. Turpërimi bëhet publik. Ndjeshmëria ndaj provokimit është më e lartë, ndërsa aftësia për menaxhim emocional shpesh më e brishtë. Në mungesë të mbështetjes së mjaftueshme psikologjike në shkolla, tensionet e jashtme hyjnë pa filtra në klasë. Edhe familja mban peshën e saj. Kur institucioni shihet si kundërshtar dhe jo si partner, krijohet një hendek i rrezikshëm. Mbrojtja instinktive e fëmijës, pa analizë objektive të sjelljes së tij, e dobëson bashkëpunimin dhe e zhvendos përgjegjësinë. Edukimi nuk është proces që mund të delegohet plotësisht te shkolla. Ai fillon në shtëpi dhe forcohet në institucion.

mesues nxenes grushta

Ndërkohë reagimet institucionale shpesh mbeten në nivel deklarativ. Çdo incident pasohet nga qëndrime zyrtare, por më rrallë shihet ndërtimi i mekanizmave të qëndrueshëm parandalues. Psikologë në numër simbolik, mungesë trajnimesh të vazhdueshme për menaxhimin e konflikteve, rregullore që ekzistojnë në letër por jo në praktikë, e bëjnë sistemin të reagojë por jo të parandalojë.

E vërteta nuk është komode për askënd. Mësimdhënësi mban përgjegjësi kur tejkalon kufijtë profesionalë. Nxënësi mban përgjegjësi për veprimet e tij. Prindi mban përgjegjësi për formimin bazë dhe për bashkëpunimin me shkollën. Institucionet mbajnë përgjegjësi kur mungon struktura që mbron procesin edukativ. Kur secila hallkë tenton ta zhvendosë fajin, sistemi dobësohet.

Shkolla nuk është vetëm hapësirë mësimi. Është vendi ku formohet raporti i individit me rregullin, ligjin dhe autoritetin. Nëse ky raport ndërtohet mbi përplasje force dhe jo mbi respekt të ndërsjellë, atëherë po prodhojmë një brez që do ta shohë konfliktin si mënyrë komunikimi dhe jo si dështim të dialogut. Sepse një shoqëri që nuk arrin të vendosë kufij në klasë, do ta ketë të pamundur t’i vendosë ato jashtë saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top