Lifestyle

January 12, 2018 | 8:00

Balerini Eno Peçi: imazhi i Shqipërisë është më ndryshe

Një figurë e njohur, që na përfaqëson denjësisht edhe jashtë kufijve. Është Eno Peçi, koreograf dhe solist i Teatrit të Operës dhe Baletit të Vjenës. Ka ikur vetëm 15 vjeç nga Shqipëria për të gjetur fatin e tij. Në fillim drejt Italisë, e më pas drejt Vjenës ku e priste e motra. Thuajse në çdo fillim historie të tillë ka shumë shqiptarë që u nisën për një jetë më të mirë në emigracion. Ky profil jetësor është i njohur, ndërsa në një rrëfim më të detajuar, balerini e ka dhënë për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili.

Kur u nisët në atë kohë e dinit çfarë ju priste?

Aspak. Të them të drejtën nuk e kisha idenë ku do shkoja e ku do punoja. Ishin trazirat e viteve ’97-’98, pavarësisht përjetimeve, mendimi im ishte që ta lija Shqipërinë e të shkoja në një vend tjetër për një të ardhme më të mirë. Por, a do të bëhesha balerin, që të filloja një shkollë baleti apo të punoja në një teatër nuk më shkonte mendja.

Pra nuk ikët me mendimin për të vazhduar karrierën, kishit talentin, e kishit identifikuar ëndrrën tuaj për karrierë?

Që i vogël më pëlqente të kërceja shumë, rrok, breakdance, baletin.

Kur e kuptuat që jeni balerin?

Që i vogël e kisha kuptuar, pastaj kur u regjistrova në Shkollën e Baletit ishte hapi i parë. Baleti ishte me muzikë klasike, me leva dhe me streçe. Nuk ma mendja sepse kujtoja që baleti ishte më shumë me muzikë moderne, hip pop etj, dhe ishte si të thuash hapi i parë i ballafaqimit me baletin. Thashë, ta lëmë nja dy-tre muaj e të shohim se si do të zhvillohet.

Dhe çfarë ndodhi?

Dhe ishte diçka interesante. Baleti ka të bëjë shumë me artin, janë shumë elementë të ndryshëm që puthiten siç është baleti, arti, muzika, historia, elementë shumë të ndryshëm që puthiten e në skenë krijojnë një magji të jashtëzakonshme.

eno-dhe-eni

Çfarë është baleti për ju, përveçse jeta juaj?

Nuk është vetëm një kërcim. Si balerin për mua ka qenë një ndjenjë çlirimi, liri. Shkoja në skenë, ndjehesha vetëm, mund të bëja atë që doja, pavarësisht koreografisë, një eksplozion i madh ndjenjash, një përqendrim i madh që mund ta ndash me publikun, dhe është ai që të sheh.

Dua të kujtoj këtu diçka të lexuar në “Zërin e Amerikës” ku thuhet: Në kërcimin e Enos vihet re një fenomen i rrallë. Ngrirja në kohë e figurës krijuese, qoftë edhe për një sekondë në momentin e shkëputjes nga dyshemeja e skenës. Çfarë ndodh në atë moment?

Është rrugëtimi i një fillimi. Pavarësisht hedhjes apo momenteve që publiku i shikon, ose fotografia i kap, janë momentet që unë nuk i mendoj, por vetëm kërcej. Janë momente shpërthyese që ndodhin edhe në ajër edhe në tokë, dhe është një moment që nuk mund ta përshkruash.

Takimi me Zotin?

Diku aty!

Vazhdojmë me rrugëtimin tuaj. Ju niseni 15 vjeç nga Shqipëria, në kohë të vështira, i rëndësishëm dhe i guximshëm?

Motrën e kisha në Vjenë prej 2-3 vitesh. E vetmja rrugë ishte Vjena. Kishim një turne me valle popullore për në Itali, që drejtohej në atë kohë nga ish-drejtori i shkollës së baletit, Ramazan Këllezi. Ishim një grup i vogël dhe shkuam të kërcenim. Aty thashë, ky është shansi im. Ose do marr trenin të shkoj ose do kthehem në Shqipëri pa asnjë të ardhme. Dhe thashë, do ta marr këtë vendim. Mora trenin dhe shkova. Dhe mendova: Nëse do ketë ndonjë rrugë do vazhdoj, në të kundërt do kthehem. Një moment shumë i veçantë, shumë intim sepse unë nuk i kisha thënë lamtumirë prindërve të mi. Dhe e gjithë kjo gjë ndodhi nëpërmjet telefonave. Në Itali kur isha u thashë: unë po iki, do shkoj. Kishim biseduar që do të qëndroja tre ditë e do kthehesha pas turneut. Për mamanë time ishte e vështirë. Një fëmijë ishte larguar, unë isha i fundit, e të ikja dhe unë do ishte dhimbje e madhe. Pas shumë peripecish, jo ik e jo mos ik, me të qara, mora vendimin dhe ika.

Ishte e vështirë?

Ishte sepse unë nuk dija as gjuhën, nuk njihja as qytetin. Tani nuk ka gjë fare, do filloja jetën nga e para.

Ka pasur një moment kur ke menduar të kthehesh, se ke mami dhe babi është më mirë?

Sigurisht, malli është shumë i madh, e ndonjëherë të detyron të kthehesh apo jo. Të them të drejtën kur mora vendimin nuk është se kam dashur ta lë Shjqipërinë, por shkaku ishin trazirat. Pasi për mua do isha shumë i kënaqur që pa shkollës të futesha në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, do kisha një punë e do jetoja pasionin tim e do isha i lumtur. Por për shkak të trazirave, vendimi ishte më i madh dhe isha edhe më i vendosur.

eno-1E nisëm me këto pyetje intervistës sepse historia juaj është pak a shumë e ngjashme me shumë shqiptarë të tjerë. Për fat të keq kjo gjë vijon akoma, ka shumë fluks shqiptarësh që ikin jashtë për një jetë të mirë, disa me emigracion, disa me lotari amerikane, fëmijët i dërgojnë në shkolla jashtë me idenë që të qëndrojnë aty për një jetë më të mirë. Ti kthehesh dhe rikthehesh. Si e shikon idenë se çfarë po ndodh? Jemi kthyer në një popull emigrantësh apo këtu realisht nuk janë gjërat mirë?

Them se për këtë kohë që ndodhemi nuk është vetëm Shqipëria, por ka edhe vende të tjera që po i jetojnë këto gjëra me emigrantët. Nuk mund të them se është më e theksuar në Shqipëri. Ne ecim përpara me kohën, por prapë, emigracioni më që ka qenë më përpara shton edhe më shumë. Mendimi im është që jetesa e njerëzve ose niveli i jetesës së tyre nuk përmirësohet. Ka mbetur aty ku është. Ndaj them që edhe për ata që duan ta lënë Shqipërinë, kanë nevojë për një jetë më të mirë.

Një 15-vjeçari sot, si juve në atë moshë në kohë, çfarë do t’i thoshit?

Të them të drejtën, në fillim duhet një edukim, një punë, një pasion dhe ta vazhdosh jetën, çdo gjë është e mundur. Të tjerat pastaj vijnë vetë.

Çfarë mesazhesh jep koreografia në shfaqjen tuaj “Ekzil”?

Mesazhi im është që njerëzit të mendojnë, të reflektojnë, dhe të shikojnë atë dhimbjen e një familjeje që ndahet. Dhimbjen e nënës, babait për të birin.

Ju jeni balerin, por me syrin e një artisti me çfarë ngjyrash do ta pikturonit Shqipërinë?

Besoj që imazhi i Shqipërisë është më ndryshe. Megjithatë, ka shpresë shumë, gri shumë, dhimbje shumë dhe dashuri. Unë e shoh edhe pak ndryshe. Kam gati 20 vjet që e kam lënë vendin. Ne kemi shumë dashuri dhe këtë e tregon mënyra se si e shprehim. Në vende të tjera nuk vjen kaq natyrshëm sa mes shqiptarësh.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në https://www.youtube.com/watch?v=b4-igHGWQMA

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top