FB

September 22, 2025 | 8:30

Bëhu personi që do të zgjedhësh të jesh! Nga vetvetja fillon gjithçka

 

Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, ku shpesh jemi të rrethuar nga imazhe të përsosmërisë së rreme, marrëdhënie sipërfaqësore dhe shabllone që nuk na përfaqësojnë, vjen një moment kur secili prej nesh përballet me pyetjen më të ndershme: “Kush dua të jem përpara se të kërkoj dikë tjetër?”

vetvetja

Kjo temë nuk është thjesht për dashurinë në çift. Është për lidhjen më themelore që kemi në jetë: atë me veten tonë. Nëse kërkojmë një njeri të sinqertë, të qetë, të kujdesshëm, të dashur, të vendosur, a jemi ne vetë kështu? Nëse jo, përse presim që dikush tjetër të sjellë diçka që vetë nuk e kemi ndërtuar?

 

Pse është e rëndësishme të bëhesh personi që do të jesh?

Sepse nuk mund të kërkosh nga një tjetër diçka nëse nuk njeh veten më parë. Nuk mund të kërkosh butësi nëse nuk di të jesh i/e butë me veten. Nuk mund të kërkosh durim kur vetë je kritik pa mëshirë. Nuk mund të kërkosh siguri kur vetë e shemb vetëbesimin tënd në çdo hap. Të bëhesh personi që do të jesh nuk është thjesht sfidë për të qenë perfekt. Është një rrugëtim për të qenë i/e vetëdijshme, për të mos kërkuar shpëtim nga jashtë, por për të ndërtuar një themel brenda vetes.

 

Në kohët e sotme, kjo është më e nevojshme se kurrë

Sot, shumë njerëz ndihen të zbrazët, të lodhur emocionalisht, të paqëndrueshëm. Shpesh kërkojmë dikë që të na mbushë boshllëqet, të na shërojë plagët, të na japë dashurinë që nuk kemi marrë ndoshta në fëmijëri, apo që nuk dimë si ta japim vetes. Por kjo është një barrë e padrejtë për veten, por edhe për çdo njeri që vjen në jetën tonë. Asnjë nuk është i detyruar të na shërojë. Shërimi është detyra jonë. Dhe nga momenti që fillojmë ta ndërmarrim këtë rrugëtim, gjithçka ndryshon.

Nuk do të thotë që s’kemi nevojë për të tjerët. Përkundrazi. Jeta është marrëdhënie. Por kur ti e njeh veten, e respekton, punon për të qenë më i/e mirë, atëherë lidhjet e tua bëhen të ndershme, të shëndetshme, të vërteta. Nuk janë më një marrëveshje e fshehtë për të “plotësuar boshllëqet” e njëri-tjetrit, por një bashkëjetesë mes dy njerëzish që duan të rriten bashkë.

 

Si mund të bëhesh ai/ajo që do të zgjidhje?

Punë me veten – Lexo. Reflekto. Flit me një psikolog. Shkruaj. Kupto veten. Mëso nga gabimet pa e torturuar veten!

Ndërto vlera që admirohen – Nëse do një partner/e të sinqertë, bëhu i/e tillë. Nëse kërkon dikë që di të falë, mëso të falësh!

Bëhu i plotë, jo i varur – Nuk ke nevojë për dikë për të qenë i/e plotë. Ke nevojë për dikë për të ndarë plotësinë tënde.

Mos u frikëso nga vetmia – Vetmia e vetëdijshme është shumë më e shëndetshme se prania e dikujt që nuk përputhet me shpirtin tënd.

Zgjidh me sy hapur, jo nga frika – Kur bëhesh njeri i qëndrueshëm emocionalisht, nuk zgjedh më nga mungesa, por nga përputhja e vërtetë.

 

Në fund të ditës…

…jeta nuk është një film romantik ku gjithçka zgjidhet kur “vjen ai personi i duhur”. Jeta është më e ndërlikuar, më e thellë, por edhe më e bukur se kaq. E vërteta është se personi i duhur nuk është dikush që do të vijë për të të shpëtuar, por dikush që do të ecë përkrah teje, sepse TI je tashmë një njeri që e meriton këtë dashuri.

Mos prit që dikush të të dojë ashtu si nuk di të duash veten! Bëhu ti dashuria që ke kërkuar gjithë jetën!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top