Nga Orjona TRESA / Foto: Michal BYCEK & Vlasov SULAJ
Ajo ndjesi e brendshme, krejt instiktive dhe aspak e llogaritur, nëse do të humbte diçka me vlerë apo do të fitonte një pikë më shumë, e bëri të vraponte plot nerv për të mos e lënë simbolin kombëtar, një shqiponjë dykrenash stampuar mbi hartën e Shqipërisë etnike, në duart e “armikut”. Kjo ishte lufta. Nuk ish nevoja të përdorej artileri e rëndë me gryka topash 150 milimetra, as mitraloza të kalibrit 12.7, e për më tepër raketa tokë-tokë nuk kishin më kuptim në një luftë që do të fitohej veç nga ajri. Mjaftonin 30 mijë “ultras”, që bërtisnin si një kor i dirigjuar “vdekje shqiptarëve”, dhe kjo ishte lufta e vërtetë. Ai ishte atje, në mes të saj, “në epiqendrën e çarjes”, si një lojtar që po rrezikonte gjithçka që kishte mundur të mblidhte deri atë çast, trofe fitoresh, një kontratë me një ekip çek si Slavia, madje dhe vetë jetën. Bekim Balaj, ky lojtar i Kombëtares shqiptare, u vu në qendër të vëmendjes jo vetëm se vinte pas një goli spektakolar në ndeshjen me Portugalinë, por edhe se në një çast të papërsëritshëm, pikërisht ai dhe një tjetër lojtar si Taulant Xhaka, në një fushë të rrethuar prej një armiqësie të verbër, nuk i lanë simbolet kombëtare në dorën e lojtarëve serbë, aq të acaruar prej historisë masive që shfaqej para tyre si një kujtesë e koncentruar te një fjalë e vetme “autochtonus”. Ai veprim ishte më shumë se çdo gol i karrierës, ndoshta më shumë se fitorja prej teknikësh të mirë në atë stadium që mposhtej prej thirrjeve raciste. Ai është heroi, dhe pse kur iu turr të shkulte nga duart e një serbi një banderolë me portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, as që e mendoi një gjë të tillë. Ai thjesht donte që “dy Isat” të mos përdhoseshin në fushën e armikut. Ndërsa vetë serbët e koncentruan urrejtjen e tyre patologjike te një stol plastik me të cilën qëlluan heroin tonë. Dhe kaq! Bekim Balaj tani mund ta këndojë i qetë himnin kombëtar në çdo fushë të botës. Vështirë se ajo që ndodhi në fushën e “Partizani”-t të Beogradit do të mund të përsëritet. Askush nuk do të guxojë më të prekë diçka të shtrenjtë për një tjetër, një “copë” flamur nëse është ai, sepse aty është lufta… dhe dihet: “Nga lufta veç ai largohet/ që është lindur tradhtar”. Ishte pa dyshim një ngjarje e jashtëzakonshme, ndoshta më e rralla që ka përjetuar gjatë përvojës së tij në fushën e blertë. As që e kish menduar ndonjëherë kështu. Mijëra tifozë të tërbuar nga njëra anë, që brohorisnin me vrer kundër shqiptarëve dhe, nga ana tjetër, forca të shumta sigurie me mburoja plastike e skafandra në kokë, që, megjithëse duhej të ruanin rendin, mezi prisnin të bëheshin palë me mllefin që tundi nga themelet stadiumin vendës. Në këtë intervistë ekskluzive, sulmuesi Bekim Balaj rrëfen me nota të gjalla historinë. Thotë se nuk i ka rastisur më parë të shihte se si një stadium i tërë bashkohej në të njëjtin mendim të shprehur: urrejtje ndaj shqiptarëve. Me fanellën shqiptare numër 19, ai nuk mund të mos reagonte në një situatë rastësore, duke pasur përkrahjen e të gjithë ekipit kuqezi. Ndërsa ai stol, që për pak e goditi keq, ishte veç një pickim para atij gjesti sa madhor aq dhe fisnik me të cilën bëri që edhe popullin e vet të ndihej krenar.
Si e përjetuat atë 14 tetor?
E pamundur t’i mbledhësh 25 apo 30 mijë fansa të të njëjtit mendim, me urrejtje për shqiptarët. Ne kemi luajtur edhe më parë me ekip serb, por nuk ka pasur urrejtje si ajo që u shfaq brenda tifozëve në shkallët e stadiumit “Partizani”. Euforia e asaj ndeshjeje, ndjenja nacionaliste e theksuar nga ana e serbëve në stadium krijonte një trysni të paparë. “Vritini shqiptarët!” i thoshin njërit-tjetrit. Ndërsa vetë lojtarët serbë, ata në fushë u përpoqën të na mbronin, por disa të tjerë, të ardhur nga stoli, reaguan në mënyrë jo sportive. Ishin ata që luanin për skuadrat brenda Serbisë, jo me kombëtaren. Është normale të ketë patriotizëm nga çdo ekip apo në çdo stadium, por ajo e asaj dite e kaloi masën dhe nuk i përkiste aspak sportit. Ishte ndeshje shumë e vështirë. Në ato kushte, në atë trysni, në atë ndjenjë të pafuqishme që u krijua te ne. Me kalimin e minutave ekipi ynë do të reagonte ndaj të gjithë atyre sharjeve dhe përbuzjes kolektive.
E prisnit?
Në fakt, duhet pranuar se ishim të përgatitur që do të luanim nën trysni. Këtë trysni e përjetuam që kur mbërritëm. U përballëm me masa të jashtëzakonshme sigurie, që nuk ishte aspak normale për një ndeshje futbolli. Ndërsa, kur hymë në stadium, ajo lloj sigurie nënkuptonte diçka. Gjatë ndeshjes, po nga vetë njerëzit me uniformën e policisë u lejuan të hynin brenda fushës dhe njerëz të jashtëm. Kishte presion edhe nga lojtarët serbë. Në çdo dyluftim ata shkaktonin faull. Me kalimin e minutave, presioni dukej sikur kalohej, por në fakt ai shtohej.
Atë ndeshje ju u goditët në fushë…
Në atë çast as nuk e mendon stolin. Për fat nuk më kapi drejt e në kokë. Kishte emocion. Kur pamë flamurin, sikur morëm frymë më lirshëm. Deri ato minuta të nxehta dukej sikur ishim të shtypur nga ai publik që na urrente. Trysnia ishte shfaqur që në 15 minutat e para nga Serbia, e cila ushtronte agresivitet e shtyrë edhe nga ambienti dhe dëshira për të fituar, gjë që i bënte ata më të egër. Arritëm t’i neutralizonim në minutat e mëpasme dhe dolëm në lojën tonë. Rrezikuam dy herë. Mund të shënonim. Por ajo ndeshje ishte e destinuar të mos përfundonte. Serbët donin të fitonin.
Kishit frikë?
Si futbollist nuk kam përjetuar situata të tilla. Por, ishte një çast, ishte frikë e mbartur nga më herët. Ajo të krijonte ndjenjë pasigurie. Kur u shfaq flamuri në ajër ishte diçka impulsive që nuk të bën të mendosh për asnjë gjë tjetër. Në atë çast nuk merret parasysh çfarë mund të vinte prapa.
Ishte kjo një nga arsyet pse UEFA dha atë vendim, pra favorizoi Serbinë?
Nga kjo dhe u dënuam, pse nuk u kthyem në lojë kur rrezikuam kokën. U bë nga vetë UEFA. Sipas rregullores së përcaktuar nga vetë ajo, arbitri duhej të na kthente në fushë, por ai nuk e mori përsipër përgjegjësinë që të ktheheshim aty. Në fakt, ishte delegati i UEFA-s që bënte këtë propagandë. Ftoheshim jashtë rregullave për t’u kthyer në fushë, kundër vendimit, kur ishte arbitri ai që na tha: “Hyni brenda dhe mos dilni”. Edhe lojtarët e ekipit serb bashkë me trajnerin e tyre disa herë na ftuan të dilnim në fushë, por kjo binte ndesh me vendimin që i takonte arbitrit kryesor të ndeshjes.
Si ndiheni pas deklaratës së UEFA-s? E meritonte Shqipëria?
Atë mëngjes u zgjova normalisht dhe në grumbullim me ekipin pata mundësinë të ndiqja lajmet. E pabesueshme! Jo vetëm nga unë, por të gjithë shqiptarët dhe të tjerë që janë të paanshëm. Ishte e papritur, jo logjike që Serbia mori 3 pikë. Do të ishte e padrejtë që ndeshja të përsëritej. Por kjo ka të bëjë dhe me pafuqinë tonë për të reaguar apo për të bërë diçka, ndërkohë që në këto instanca europiane është një dorë e fortë që merr vendimet. Ne nuk jemi pjesë e kësaj dore të fortë, si në UEFA edhe në Europë. Vendimi kishte të bënte më shumë se me drejtësinë sportive, me një vendim politik.
Pra ju mendoni se UEFA është fajtori i vërtetë?
Fajtori kryesor mbetet UEFA. Me mënyrën se si e organizuan. Ajo ndeshje duhej të zhvillohej pa praninë e tifozëve, çka në fakt zgjoi te njerëzit konflikt mes dy popujve. Nuk ishte thjesht një inat sportiv, por rizgjim të gjithë asaj kundërshtie që ka ekzistuar në vite mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë. Pa harruar kohën që nga lufta e Kosovës, e cila la pasoja të rënda mbi shqiptarët.
Jeni shprehur në rrjet social: “Më fal Platini, për stolin që desh e theva me kokë, bravo UEFA!”.
Nuk mendoj që UEFA është ajo që ka aq dorë të fortë, pa dëshirën e Platinisë. Ai është figura e UEFA-s. Kur përmend UEFA-n është emri i Platinisë. Ishte padrejtësi e pakapërdijshme. U dënuam në atë ndeshje për një faj që nuk e bëmë dhe në pamundësi për ta shpjeguar apo pranuar që je i pafajshëm.
Besoni se apelimi i çështjes tek autoritetet gjyqësore do të ketë një shans për të tërhequr vendimin e marrë për ne?
T’ju them të drejtën, çfarë na ka mbetur është të shpresojmë, ndoshta një zbutje e vendimit.
Nga kush?
Nuk e dimë kush do të dalë kundër.
Çfarë bëtë pasi hytë në dhomat e zhveshjes?
Gjëja e parë, telefonova babanë. I thashë se isha në rregull, sepse kishte parë një video mediatike, ku gazetari në ato çaste kishte dhënë lajmin se ishte goditur Balaj. Mandej babai më porositi të njoftoja dhe dy motrat e mia, të cilat gjithashtu ishin shumë të shqetësuara.
Cili ka qenë qëndrimi i kolegëve tuaj të huaj në fushën ku ju luani aktualisht? Si reaguan ata?
Atë ditë, sapo mbërrita në aeroport, më pritën shumë njerëz, mes tyre kishte dhe shumë media që mezi prisnin opinionin tim për gjithçka kishte ndodhur. Media kishte organizuar dhe një konferencë për shtyp te klubi Slavia e Pragës ku unë luaj. Si për shaka, ai që merret me shtypin më tha: “Ore, sa herë që vjen nga Kombëtarja shqiptare na sjell nga një gol, por këtë herë ke shënuar më shumë se goli vetë”. Çekët njihen si popullsi pro sllave, por në lidhje me atë çka ndodhi, u përpoqën të ishin të paanshëm. Megjithatë, nga pyetjet, reagimet dhe nga mbështetja që treguan ndaj tyre, pati provokime. Disa media çeke i përdorën deklaratat e mia. Por, unë isha i qartë. U përjashtova nga gjërat politike, sepse nuk më takonte mua. Të habitur të gjithë më pyetën për anën shëndetësore, sepse kishin ndjekur ndeshjen. Ishte një ngjarje tejet e rëndësishme për nga vëmendja, ndeshje për eliminatoret e Europianit.
Cila është marrëdhënia juaj me Federatën Shqiptare të Futbollit?
Më se normale, si të gjithë lojtarët. Unë kam hyrë në ekipin kombëtar që në kohën e ish-trajnerit Josip Kuzhe. I kisha mbushur të 18-at. Kisha arritur performancë të mirë që me ekipin e Vllaznisë, mandej në Turqi e deri me kombëtaren A. Edhe me lojtarët e kombëtares kam marrëdhënie të qëndrueshme. Aty janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, ka pasur dhe afrime të reja lojtarësh. Jemi grup i mirë. Kjo po vihet re dhe në ndeshjet e fundit, ka harmoni në ekip, që shërben shumë për lojën në fushë. Me një pjesë të tyre kam luajtur që në Shqipëri, apo në Turqi, siç është Debatik Curri.
FAMILJA
Bekim Balaj është modeli që na bën të ndihemi të përfaqësuar denjësisht në një fushë të huaj futbolli. Kjo jo vetëm se ai ka talentin që e bën atë të dukshëm, por gjithashtu është një i ri me këmbë në tokë. I rritur në një familje intelektuale shkodrane, djali i vetëm mes dy motrash, më i vogli, asnjëherë më i përkëdheluri, Balaj ka ditur të ndjekë modelin shembullor të prindërve të tij, udhërrëfyesit për një jetë të shëndoshë, me bazë dijet dhe arsimimin. Jeta e futbollistit do të merrte tjetër rrjedhë në çastin kur nëna do ta linte në një moshë delikate. Ishte vetëm 13 vjeç. Babai, Abdyli, i qëndroi shumë pranë. Ishte roli i tij i dyfishtë në përkushtim të një të ardhmeje me sakrifica për të birin që kishte në gjak futbollin. Nuk kish se si, sepse në deje i rridhte i njëjti pasion. Bekimi tregon se si ka qenë jeta e tij. …Kam lëvizur që 18 vjeç dhe jetoj vetëm, larg familjes. Vetë sporti t’i sjell këto kushte. Kam vetëm babanë dhe dy motrat, njëra e martuar, afër babait, tjetra në Itali. Jam bërë dajë dy herë, me një nip dhe një mbesë. Nëna ka 10 vjet që është ndarë nga jeta. Bisedoj çdo ditë më babanë, i cili më këshillon për çdo gjë. Më ka dhënë shtysë të madhe, sidomos te sporti. Vetë Abdyli ka qenë sportist kur ka qenë student, dy herë kampion në atletikë. Në fillimet e mia nuk ishte dhe aq i kënaqur të fokusohesha te sporti, sepse dëshira e tij ishte të vazhdoja shkollën. Ai ka qenë 45 vite mësues, drejtor shkolle. Megjithatë, kam mbaruar Institutin e Fizkulturës, dëshirë e babait. Nëna ka qenë edukatore, e cila gjithashtu ka qenë një shtysë e rëndësishme për mua të investoja për arsimimin tim, për të pasur të ardhme të sigurt.
Sa herë vini në Shqipëri, Shkodër?
Vij rrallë, një deri dy herë në vit, sepse janë të afërmit e mi që më vijnë në Pragë, aty ku unë luaj. Me këtë rast rrinë disa ditë e çmallemi të gjithë.
Sa të rëndësishme janë modelet, edukimi familjar?
Kur e mendoj ka qenë mosha më delikate. Kam qenë 12-13 vjeç, adoleshencë. Familja është baza ku përfton mënyra sjelljeje që të shërbejnë në jetën tënde, qoftë edhe vetëm, siç jetoj unë sot. Babai më ka qëndruar afër gjithmonë, jo vetëm si prind me rol të dyfishtë, por edhe nga ana sportive, sepse shkodranët kanë pasur futbollistë shumë të mirë. Më kalimin e viteve një pjesë e humbën talentin, të ardhmen e tyre, vetëm nga mospërqendrimi, pa pasur një model apo këshilltar të mirë që t’i kritikonte e t’u bënte të besonin të mirat pas saj. Të bëhesh një sportist i mirë kërkon përkujdes, përkushtim dhe regjim.
Çfarë do të bënit tjetër nëse nuk do të ishit marrë me futboll?
Në këto çaste Shqipëria të ofron pak. Shoh të gjithë miqtë, shokët që kanë bërë shkolla, por vende pune nuk ofrohen për ta. E ardhmja është më mirë jashtë vendit.
Ju jeni ende i ri. Si është jeta e një personi publik, sidomos kur bëhet qendra e vëmendjes?
Pjesa e sportit e ka këtë. Ndonjëherë je më shumë në qendër të vëmendjes, disa herë jo, për shkak edhe të rezultateve. Ka çaste shumë të mira që ndikojnë në transferime skuadrash me vlerë, me rëndësi për karrierën. Bëj një jetë korrekte, mbaj regjim për futbollin. Kohën në Pragë e kaloj dhe me disa miq shqiptarë.
PRIVATËSI
Shumë nga futbollistët kanë krijuar lidhje sentimentale me vajza të një kombësie tjetër, do ta bënit ju këtë?
Normalisht nuk bëj parashikime. Nuk ka detyrim në këtë mes, nuk duhet ta marr të mirëqenë. Unë ia lë fatit, rastësisë. Ndjenjave asnjëherë nuk u dihet. Pak rëndësi ka, jam larg Shqipërie apo jo. Të kem marrëdhënie me vajza shqiptare është e vështirë.
Është dikush në jetën tuaj me të cilën kaloni çaste të bukura?
Nuk është një person që kam lidhje konstante. Jam në shoqërinë e dikujt, dikujt që më ndihmon që në një vend të huaj të përshtatem edhe më mirë.
Si i kalon Bekimi ditët jashtë sportit?
Udhëtoj shpesh në Gjermani, e cila nuk është larg, si dhe në Vjenë. Kaloj atje kohë të bukura me miq. Praga gjithashtu ka shumë mundësi për të kaluar kohën e lirë. Jemi me fat në fakt kur marrin një ditë kohe të lirë. Stërvitja nuk na krijon mundësi të lëvizim shumë.
Keni shqiptarë me të cilët ndiheni shumë mirë edhe në fushën çeke?
Shqiptarë gjen gjithkund. Kur lëviza për një vit huazim te klubi polak Jagiellonia Białystok në Ekstraklasa, në verilindje të Polonisë, afër Bjellorusisë, në ditën e parë takuam menaxherin dhe presidentin, me të cilët kaluam një mbrëmje bashkë. Ata më treguan qytetin. Në çastin që u kthyem në hotel në 11 të darkës, më mori dikush në telefon dhe më foli shqip. Më tha se ishte një djalë shkodran. Më kishte parë në qytet dhe më kishte kërkuar. Ishte tifoz. Kishte qejf të më takonte. Aty ku firmosa për një vit të luaja futboll, kisha edhe dy miq studentë. Në Pragë ka shumë edhe kosovarë, me disa prej tyre jemi miq. Merren me biznesin e floririt. Madje, kanë zbuluar dhe gurin granat, karakteristik për përpunimin e tij. Kanë krijuar bizneset e tyre dhe kanë dyqane floriri.
Ndonjë hobi, përveç udhëtimeve?
Kam dëshirë të gjuaj me armë të ndryshme. Gjueti për shenjë, jo për të vrarë, provoj herë pas here. Çliron ngarkesat negative dhe fiton energji.
Si është më mirë, të luash krah futbollistëve të ekipeve shqiptare apo atyre të huaja?
Po të krahasosh dy pjesët e futbollit, nuk është cilësia ajo që bën diferencën. Profesionalizmi është më shumë se çdo gjë, vlerësimi nga njerëzit, ambienti. Edhe pagesa është më e mirë jashtë. Te pjesa jonë, në Shqipëri, mungon organizimi, fushat e stërvitjes, mënyra e veshjes që kanë ekipet shqiptare. Disa vite kam luajtur me Vllazninë, në Turqi dhe kthim te FK Tirana. Te ne mungon mentaliteti që është jashtë. Duhen vite të ndryshojë. Gjërave të vogla që bëjnë diferencën nuk u kushtojnë rëndësi. Mendojnë vetëm për rezultatin dhe jo rrugën e gjatë, si dhe për elemente që duhen plotësuar.
Si është futbolli shqiptar krahasuar me skuadrat ku keni luajtur? Sa gola keni shënuar më sot?
Rreth 50 gola si sulmues. Detyra ime është të shënoj sa më shumë. Karriera ime ka pasur luhatjet e veta, shpresoj që te Slavia e Pragës të gjej stabilitet. Shembulli im ka qenë Vioresin Sinani, ish-kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në gjithë historinë e deritanishme të kampionateve shqiptare. Në vitet e fundit të tij kam luajtur në sulm. Ai, që kishte shënuar 208 gola, më thoshte se pjesën më të madhe kish arritur t’i shënonte në moshën 26-30 vjeç. Unë them se ka të bëjë me pjekurinë. Kur je i ri, duhet të vraposh e të shënosh për ekipin. Shpresoj të mos dëmtohem, se ka dhe pasoja.
Cili ka qenë momenti më i bukur?
Goli në Portugali dhe fitorja, pasi kontributi në ekipin kombëtar të bën të ndihesh ndryshe. Krijon një ndjenjë krenarie jashtë sportit. Bën krenar familjen, gjithë Shqipërinë me rezultate të larta. Pjesa jashtë futbollit është të bësh më të mirën për të ardhmen tënde. Kombëtarja zë vend kryesor.
Kujt do t’i thuash “Faleminderit” për aq sa keni arritur deri më sot?
Babait dhe familjes, të afërmve të mi që më kanë qëndruar pranë. Kam pasur çaste të vështira, të cilat me mbështetjen e tyre, të trajnerëve në vite dhe të dashamirësve, i kam kaluar me sukses. Mirënjohës u jam të gjithëve.
Sa e rëndësishme është fama për ju?
Ke dëshirën të jesh dhe të ndihesh ndryshe, njerëz që të urojnë, falënderojnë. Me golin e shënuar në Portugali, më kanë marrë nga të gjitha anët e botës. Deri nga Amerika dhe Kanadaja. Njerëz që reagojnë të gëzuar nga rezultatet e mia.
Motivi juaj?
Të jap maksimumin gjithmonë për të ardhmen. Kërkoj shumë nga vetja.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.90
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.