Marrëdhënie

June 18, 2016 | 11:18

Fantazmat që mund të shkaktojnë krizë

Na ishte njëherë një dashuri e madhe… kemi jetuar një të shkuar dhe ndodh që të na shfaqet para syve si një film, duke na shijuar dhe… Dhe e gjejmë veten në mënyrë të paparashikuar, duke menduar se dashuria e madhe ishte ajo e shkuara dhe jo kjo e tanishmja. Fantazmat na sillen përqark… Me pak fjalë: rreziku i një krize me partnerin është në prag. Nuk është një tradhti e vërtetë. Nuk kemi të bëjmë me njerëz, por thjesht me fantazma. E megjithatë, ia vlen të ndalemi për pak, për të reflektuar mbi një nga arsyet që mund të shkaktojnë krizë në çift dhe për të sugjeruar mënyrat e shmangies së saj.

Luiza, 39 vjeçe, është e martuar prej 8 vitesh dhe ka dy fëmijë. Ja dëshmia e saj: “Jam e lumtur, por prej disa muajsh më ndodh të mendoj shpesh për ish të fejuarin tim, një piktor që nuk u pëlqente prindërve të mi, që jetonte çastin dhe shfaqej e zhdukej vazhdimisht. Ai në fakt ishte shumë i paqartë, por tepër magjik. Nuk krijuam familje së bashku, por ai kishte një lloj çmendurie të vogël që sot më mungon”. Shumë njerëz si Luiza ruajnë në zemër fantazmën e një dashurie të madhe. “Ky fenomen është shumë më i përhapur sesa mendohet, – thotë psikologia klinike Chiara Ferrario. – Meqë nuk mbërrijmë kurrë ‘bosh’ në një marrëdhënie, mbajmë gjithnjë me vete ngjarjet pozitive dhe negative të një histori dashurie, por edhe fantazmat tona”. Një dashuri në rini (shpesh e para), një histori e penguar ose e mbyllur me ndarje… “fantazmat” mbërrijnë prej andej duke shfaqur shpesh fytyra të ndryshme. “Ajo që i shoqëron shpesh këto situata është fakti se historia ka qenë e pamundur të jetohet në plotësinë e saj, – shpjegon Ferrario. – Të mos e jetosh të plotë një histori, do të thotë të mos jesh përballur me përditshmërinë dhe rutinën, që shpesh krijojnë ndjesinë e mërzisë”. Të dashurit e shkuar qëndrojnë kështu të mbrojtur në një lloj sfere qelqi, ku kujtimet e emocioneve mbeten të pacenuara dhe, duke idealizuar situatën, idealizohet edhe personi vetë. Një i dashur i idealizuar mund të ndihmojë në kompensimin e një realiteti aktual jo shumë të kënaqshëm. “Të mbash me vete një dashuri të idealizuar, mundëson tolerimin e një realiteti të varfër dhe pak shpërblyes, – vazhdon Ferrario. – Dashuria e idealizuar është një shok që furnizon edhe aposteriori një riparim të mungesës së pasionit”. Por, kemi të bëjmë thjesht me një fantazmë të padëmshme. Fakti që ajo nuk është reale, diçka konkrete, e paprekshme, a e rrezikon ekuilibrin e çiftit? “Nuk mund të thuhet se është gjithnjë një formë tradhtie ndaj partnerit aktual: sigurisht, të mban të lidhur me një partner të shkuar, roje të një kopshti sekret. Është një ‘e fshehtë’ që të mban besnik ndaj një të shkuare”. Por rreziku ekziston. Dhe dashuritë “e rrezikshme” të së shkuarës, sipas Ferrarios, janë ato që depozitojnë shumë vend, që sjellin një investim të madh jashtë çiftit. Kur marrëdhënia me fantazmën bëhet intensive dhe kronike, atëherë me gjasa dëmtohet ekuilibri dhe forca e marrëdhënies aktuale, e cila fillon ca nga ca të bëhet e brishtë. Më troç: një kopsht sekret, një kthim i bërë rruga e syve nga një histori e shkuar, mund të sjellë për pasojë krizën në çift…

Kujdes pikat e mëposhtme:

1. Nuk arrijmë kurrë të virgjër në një marrëdhënie të re. Sjellim me vete përvojat dhe fantazmat tona të së shkuarës.

2. Kemi nevojë të ndërtojmë një “legjendë” personale: t’i themi vetes se kemi jetuar një dashuri të madhe të pamundur, i jep shumë thellësi jetës sonë afektive kur ajo duket shumë e sheshtë.

3. Kemi të drejtë të kemi një kopsht sekret.

4. Por ka gjithnjë një kufi mes besës dhe pabesisë, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për diçka imagjinare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top