Këshilla & Arsye

April 9, 2020 | 8:04

Besmir Guri: Gjeniu në karantinë, gjej frymëzimin dhe bëhu gjeniu i kohës së Covid-19

 

Izolimi në karantinë, mund të duket i tmerrshëm dhe ndoshta edhe mund të jetë i tillë në shumë aspekte, por a e ke menduar se ky izolim, mund të jetë terreni dhe momenti yt më i favorshëm që të shndërrohet në gjenialitetin tënd të jetës?

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Duket absurde dhe e pamundur? Sigurisht që ke plot të drejtë të jesh dyshues, skeptik, deri mosbesues. Ndoshta të duhet një fakt për tu bindur se si krijimtaria mund të shpërtheje nga izolimi në gjenialitet, por unë do të të japë dy fakte të tilla:

William Shekspir

Shekspiri ishte një nga fëmijët e paktë në Stratford-upon-Avon që i mbijetoi Murtajës së vitit 1564. Një nga biografët më të shquar të Shekspirit, Xhonatan Beit, shkruan se përvoja e Shekspirit me murtajën, ishte aspekti më i rëndësishëm dhe më përcaktues i jetës dhe veprës së tij. Murtaja shfaqet në disa nga veprat më të mira të Shekspirit, përfshirë “Romeo dhe Xhulieta”. Befasues është fakti, që Shekspiri ishte jashtëzakonisht prodhimtar në vitet 1605-1606, kur ai shkroi “Mbreti Lir”, “Makbeth” dhe “Antoni dhe Kleopatra”. Studiuesit besojnë tani, se Shekspiri ishte aq produktiv gjatë asaj kohe, pikërisht për shkak të murtajës së viteve 1605-1606 që goditi Anglinë. Pra duket qartë se Shekspiri kulminacionin e tij në krijimtari e pati gjatë një periudhe anormale në rrethana karantinë.

Isak Njuton

Fizikanti dhe matematicieni anglez, Isak Njuton, vlerësohet si njeriu që zbuloi gravitetin, dhe që shkroi ligjet themelore të fizikës. Në vitin 1665, Njutoni ishte student në Universitetin e Kembrixhit. Atë vit, universiteti u mbyll për shkak të murtajës së Madhe të Londrës.

Me mbylljen e shkollës, Njutoni u rikthye në shtëpi pranë familjes së tij dhe nisi të kryente një serë eksperimentesh. Gjatë punës së tij në karantinë, ai shkroi ligjet e lëvizjes së sendeve dhe ato të gravitetit. Kur Njutoni u kthye në universitet në vitin 1667, ai i ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës akademike, duke marrë titullin profesor në vitin 1669. Gjithashtu dhe në rastin e Njutonit vihet re dukshëm se kurba e krijimtarisë së tij, u arrit gjatë qëndrimit në izolim.

Sigurisht këto nuk janë rastet e vetme që historia pamohueshëm na dëshmon, por ne na mbetet të frymëzohemi prej tyre për të nxitur krijimtarinë e kohëve tona.

Ky mund të jetë momenti yt i papërsëritshëm, ndaj fillo të mendosh, gjej frymëzimin dhe bëhu gjeniu i kohës së Covid-19. Brenda teje mund të jetë në pritje një potencial krijues i jashtëzakonshëm, gjeje, ideoje, planifikoje dhe realizoje.

Shumë kryevepra botërore janë bërë në kohë kauze kolektive apo individuale. Anormaliteti dhe krijimtaria duket se shpeshherë takohen dhe shkëlqejnë së bashku në të njëjtën kohë. Kjo mund të jetë koha jote, ndaj mos prit më, bëje dhe pastaj ndaje me ne për të mirën e përbashkët.

Vetëm ti mund të bëhesh gjeniu i potencialit tënd!

 

Rubik, prill 2020

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top