Në zemrën e Durrësit, qytetit bregdetar me një histori të pasur dhe me tradita të thella kulturore, u zhvillua Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, një ngjarje që bashkoi artistë, krijues dhe admirues nga e gjithë bota. Ky event e riktheu Durrësin në hartën e kulturës globale. Bienalja u shoqërua me një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozita, performanca artistike dhe diskutime, që ndihmuan në krijimin e një platforme të pasur për shkëmbimin e ideve dhe kulturave. Arti i shfaqur ishte një reflektim i botës sonë moderne, me tematika që trajtonin çështje sociale, politike dhe ambientale, duke ftuar publikun të reflektojë mbi sfidat dhe mundësitë që na ofron koha e sotme.

Sipas kuratorit Oltsen Gripshi: “Bienalja e Durrësit është një institucion, që shkon përtej një shëmbëllimi të asaj që ndodh aktualisht në bashkëkohësinë tonë. Ajo kërkon të hulumtojë veprën artistike si në aspektin semiotik, ashtu edhe në atë përmbajtësor estetik-filozofik, duke ftuar vëmendjen e botës së artit bashkëkohor ndërkombëtar çdo dy vite në Durrës, për t’i dhënë zë dinamikave dhe diskutimeve rreth çdo qasjeje që reflekton dhe sfidon pritshmëritë e shoqërisë për artin pamor”.

Çfarë është Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit dhe si u themelua ajo?
Ph.D. Oltsen Gripshi:Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit (BNABD) është një ekspozitë e përdyvitshme jofitimprurëse, e cila kërkon të sjell botën në Durrës. Kjo ekspozitë e ka algoritmin e zhvillimit të saj në çdo dy vite (biennale) dhe kërkon të bëjë bashkë rrymat, qasjet estetike dhe stilistike më të fundit të artit bashkëkohor ndërkombëtar, duke e shndërruar qytetin e Durrësit një herë në dy vite, në skenën më të rëndësishme dhe kuptimplotë, për sa i përket artit pamor kudo gjetkë.Kjo ekspozitë e përdyvitshme ndërkombëtare e artit bashkëkohor mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia e Durrësit, u themelua si një mënyrë për të përqëndruar vëmendjen krijuese të artistëve më të shquar të artit bashkëkohor, vendas dhe të huaj, në qytetin më të lashtë të Shqipërisë.
Si ia dolët të themelonit një aktivitet kaq të rëndësishëm artistik ndërkombëtar, sepse në ditët e sotme nuk është aspak e lehtë?
Ph.D. Oltsen Gripshi: Prej vitesh kam pjekur brenda vetes dëshirën për të themeluar një të përdyvitshme (biennale), kjo, pasi i kam kushtuar jetën artit pamor me studimet e mia universitare dhe pasuniversitare, si dhe pas një përvoje të gjatë në lëmin e kurimit të ekspozitave të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, vendosa të hedh hapin e radhës për themelimin e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit. Padyshim rrugëtimi për të mbërritur deri në atë që shohim e prekim sot nuk ka qenë aspak i lehtë, por kur ke krah teje mbështetjen e institucioneve vendore si Bashkia e Durrësit me në krye znj. Emiriana Sako dhe qendrore si Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Ministrin e nderuar z. Blendi Gonxhja, por edhe nxitjen e vajzës time Emily, atëherë ti mendon se është çasti i duhur për të hedhur atë hap të shumëpritur e mirëmenduar.

Ndër shumë gjëra, ajo që bie në sy është logoja shumë e veçantë e bienales, a mund të na thoni se cila është historia e këtij imazhi dhe pse?
Ph.D. Oltsen Gripshi: Më vjen mirë që e keni parë me vëmendje çdo hollësi të kësaj bienalje të re, por me emra të mëdhenj ndërkombëtar të artistëve pjesëmarrës. Logoja e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, frymëzohet nga monedha e prerë për here të parë nga mbreti ilir Monun. Monedhë, e cila në njërën anë të saj, konfigurohet lopa me viçin duke pirë gji, (simbol ky i marrë nga stateret dyrrahase) dhe nofulla e poshtme e derrit të egër, e ravijëzuar mbi shpinën e lopës, (simbol i shtëpisë mbretërore të ilirëve). Ndërsa në anën tjetër, paraqitet një katror i mbushur me zbukurime lineare të stilizuara, që simbolizojnë Kopshtin e Alkinout dhe përgjatë brinjëve të katrorit, shkruhet emri i shkurtuar i Dyrrahut (DYRRA), titulli, emri i mbretit Monun (Basiloeos Monuniu) dhe topurrja, arma e Herakliut njohur në mitologji si themeluesi i Durrësit. Kjo monedhë më ka frymëzuar kahershëm ndaj dhe e huazova për të krijuar logon e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, por në dallim nga monedha, logoja në brinjët e katrorit të saj ka të shkruar shkurtimet në shqip të vetë bienales: BNABD.

Si është e organizuar bienalja dhe në çfarë konsiston aktiviteti i saj?
Ph.D. Oltsen Gripshi:Veprimtaria artistike e bienales nuk kufizohet vetëm në të bërit bashkë krijimtarinë e një grupi artistësh, por gjatë qëndrimit hapur të saj, organizohen puntori dhe ligjërime të ndryshme, duke ftuar artistët, kuratorët, historianët, kritikët, galeristët dhe muzeologët më të spikatur vendas e të huaj, të cilët në praktikën e veprimtarisë së tyre kanë në qendër artin bashkëkohor, në të gjitha përmasat e tij. Themelore dhe thelbësore për BNABD-në është ndërveprimi me komunitetin vendas, si një mënyrë për gjithë formimin dhe dijebërjen, për një edukim cilësor përmes artit dhe kulturës.Ndër të tjera kjo ngjarje artistike e përdyvitshme, synon jo thjesht organizimin e një ekspozite démodé, por krijimin e një brand-i identifikues për qytetin e Durrësit, gjithëpërfaqësues të territorit, mendësisë dhe antropologjisë vendase, por me një largpamësi ndërkombëtare, ku kryefjalë e secilës, është cilësia e lartë artistike në ndërthurjen midis artistëve të afirmuar dhe talenteve të reja. Në këtë fushëpamje BNADB-ja synon të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë në kohë, falë konceptimit të saj dhe qasjeve të reja artistike çdo dy vite. Bienalja e Durrësit është një institucion, që shkon përtej një shëmbëllimi të asaj që ndodh aktualisht në bashkëkohësinë tonë. Ajo kërkon të hulumtojë veprën artistike si në aspektin semiotik, ashtu edhe në atë përmbajtësor estetik-filozofik, duke ftuar vëmendjen e botës së artit bashkëkohor ndërkombëtar çdo dy vite në Durrës, për t’i dhënë zë dinamikave dhe diskutimeve rreth çdo qasjeje që reflekton dhe sfidon pritshmëritë e shoqërisë për artin pamor.

Cila është tema e këtij edicioni të parë të Bienales së Durrësit dhe sa ditë do të jetë e hapur për publikun?
Ph.D. Oltsen Gripshi: Tema e këtij edicioni të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit është “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”. Një temë, e cila ka si qëllim shpërfaqjen dhe spikatjen e vlerave artistike të së tashmes tonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artistëve bashkëkohor.Një temë që nxit reflektimin mbi të tashmen teknologjike dhe sesi ky përparim i vrullshëm teknologjik ndikon në gjithëformimin dhe në gjithëbërjen e jetës së njeriut bashkëkohor.Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohore të Durrësit kërkon, jo vetëm të bëjë bashkë qasje filozofike, konceptuale, antropologjike, semiotike dhe artistë nga kombe të ndryshme, por mbi të gjitha kërkon të hulumtojë të pakdukshmen metafizike, atë që vetëm inteligjenca artificiale mund ta depërtojë e për rrjedhojë ta parashikojë, duke vendosur në teh të mëdyshjes të ardhmen hibride të njerëzimit.

Cilët janë pavijonet kombëtare pjesëmarrëse në këtë edicion të parë të Bienales së Durrësit 2024?
Ph.D. Oltsen Gripshi: Në këtë edicion të parë të Bienales së Durrësit marrin pjesë 16 kombe dhe 39 artistë si: Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë (Artiol Izri, Bujar Luca (fitues i çmimit të karrierës në artin e pikturës), Elio Bajramaj, Erisa Bekteshi, Harri Aleksi, Jonida Xherri, Marsel Zara, Qazim Kërtusha, Rubin Mandija, Sadik Spahija (fitues i çmimit të karrierës në artin e skulpturës), Senad Xhexhovi); Pavijoni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Gregory de la Haba & [dNASAb] (fitues të çmimit të madh për pavijonin më të mirë kombëtar të Bienales së Durrësit 2024); Pavijoni Kombëtar i Argjentinës (Joaquín Fargas); Pavijoni Kombëtar i Bregut të Fildishtë (Valerie Oka); Pavijoni Kombëtari Finlandës(Hannu Palosuo); Pavijoni Kombëtari Gjermanisë(Claudia van Hasselt & Nicolas Wiese); Pavijoni Kombëtari Italisë(Arturo Casanova, Enrico Dedin, Fabrizio Passarella, Michele Stanzione, Oliviero Rainaldi (fitues i çmimit të karrierës në artin e skulpturës), Rosa Mundi); Pavijoni Kombëtari Kinës(Lai Junjie (fitues i çmimit të madh special për artistin e ri më të mirë të Bienales së Durrësit 2024), Liu Ruowang, Zeng Yi fitues i çmimit të karrierës në artin e fotografisë artistike); Pavijoni Kombëtari Kosovës(Eshref Qahili); Pavijoni Kombëtari Maqedonisë së Veriut(Monika Moteska dhe Robert Jankuloski); Pavijoni Kombëtari Perusë(Antonio Paucar); Pavijoni Kombëtari Republikës Dominikane(Victoria Thomen); Pavijoni Kombëtari Rumanisë(Maria Bordeanu); Pavijoni Kombëtari Turqisë(Kemal Kahveci, Sibel Akataş); Pavijoni Kombëtari Suedisë (Alice Wexell dhe Ryan Koopmans); Pavilioni Kombëtar i Zvicrës (Andreas Luthi) dhe një artist i ftuar special Mu Tuan.





© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

