Lindi 25 vjet më parë. Ky reality show jetëgjatë na lejon të spiunojmë konkurrentët e mbyllur në një shtëpi 24 orë në 24, me syrin e kamerave gjithmonë mbi ta. Një eksperiment i vërtetë social në të cilin kontrolli është në duart e autorëve që diktojnë rregullat e lojës. Brenda shtëpisë, “të burgosurit” kalojnë ditët duke i bërë emocionet e tyre spektakolare në qendër të vëmendjes.
Gjithçka shitet: ndjenjat, ndjesitë, intimiteti, drama apo gëzimi. Një vitrinë me personazhe publike dhe jo publike, ku çdo gjë lejohet për aq kohë sa bën show, në shërbim të një auditori të gatshëm për të kuptuar dhe gjykuar çdo nuancë të vogël të atij realiteti fiktiv.
Por pse na pëlqen të shikojmë një grup njerëzish që vendosin vullnetarisht të qëndrojnë në vitrinë dhe të tregojnë emocionet e tyre? Çfarë na tërheq të shohim zënka dhe pjesë jete të treguara përtej ekranit televiziv?
Formati i Reality Show ka një sukses të pamohueshëm dhe Big Brother është një program i ndjekur nga miliona spektatorë, madje edhe nga ata që nuk e pranojnë.
Sepse ka nga ata që dinë gjithçka për pjesëmarrësit, por pretendojnë se nuk e shohin programin.
Një tjetër paradoks i pakuptueshëm që graviton rreth fenomenit të “Big Brother”: na pëlqen të “spiunojmë” jetët e të tjerëve, por na vjen turp ta bëjmë këtë nga frika se mos gjykohemi sipërfaqësisht.
Vlerësohet se “Big Brother”, në mbarë botën, 70 shtete e zhvillojnë si spektakël, është parë nga rreth tre miliardë njerëz. Dhe është pikërisht ky sukses publik që i intrigon disa shkencëtarë dhe i shtyn ata të studiojnë mekanizmat e realitetit televiziv.
Peter Collet, studiues i Oksfordit në psikologji, bazuar në studimet e kryera, arriti në përfundimin, se shikuesit tërhiqen nga mundësia për të ndarë jetën e një grupi të huajsh. Ata janë gjithashtu të magjepsur nga efekti i befasisë: çfarë mund t’i habisë ata në qëndrimet e konkurrentëve?
Një studim i Universitetit të Ohios nxori në pah një arsye tjetër që na shtyn të shohim Big Brother, pikërisht atë të dëshirës për të zbuluar njerëz dhe sjellje të ngjashme me të tyret, një lloj egocentrizmi që dëshiron të gjejë konfirmim në atë të tjetrit.
Cilido qoftë motivimi që na çon përpara televizorit për të parë Big Brother, sigurisht që është legjitim, sepse duke pasur parasysh aspektet e ndryshme të diskutueshme, ai është gjithmonë një program i lehtë dhe ndonjëherë edhe argëtues.
Por vetëm me kusht që, përtej realitetit të ketë stimuj, pasione, interesa dhe arsye të tjera rritjeje.
Përgatiti Orjona Tresa
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.