Psikofakt

November 7, 2016 | 9:04

Biznes apo pisnes?

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Po t’i besojmë njërit prej fjalorëve të shumtë anglisht-shqip në tregun shqiptar, fjala business, pra “biznes”, aq e përdorshme në shqipen e sotme, ka disa kuptime (shih, ndër të tjerë, “Fjalorin anglisht-shqip” të P.Qeskut, botimet “Edfa”, Tiranë, 2000) dhe, më në hollësi, kuptimet ‘tregti’, ‘kompani’, ‘firmë’, ‘punë’, ‘çështje’, ‘rend dite’ e disa të tjerë.

Kjo fjalë, me t’u huazuar nga gjuha shqipe ose, më saktë, nga shqiptarët, solli me vete fjalën “biznesmen”, kuptimi i së cilës, bashkë me pesë kuptimet e para të fjalës “biznes”, është shumë i rëndësishëm për ato dhe ata që ushtrojnë veprimtari ekonomike.

Aktualisht, në situatën e rënduar ekonomike që po kalon vendi ynë, dëgjojmë të flitet e të shkruhet për biznese të vogla e të mëdha, për biznese që po vdesin ose mbijetojnë me vështirësi, për biznesmenë vendës që ankohen përherë e më tepër nga politikat që ndjek qeveria karshi atyre e për biznesmenë të huaj që pengohen në gjithfarë mënyrash për të investuar në Shqipëri, madje që rrihen gati për vdekje e largohen përfundimisht.

Së fundi, të mos harrojmë që, në sytë e opinionit publik, bizneset dhe biznesmenët ndahen në dy kategori të papajtueshme: nga njëra anë të ndershmit dhe, nga ana tjetër, të pandershmit.

Duke u nisur nga ky konstatim objektiv dhe, rrjedhimisht, i pakundërshtueshëm, me lejen (në rastin më të mirë), por edhe pa lejen (në rastin më të keq) e lexueseve dhe e lexuesve të mi të ndershëm, të vëmendshëm, e të paanshëm, po vendos subjektivisht që biznesin dhe biznesmenin e ndershëm tash e tutje t’i quaj thjesht “biznes” e “biznesmen”, kurse biznesin dhe biznesmenin e pandershëm t’i quaj thjesht “pisnes” e “pisnesmen”, sepse ata po e bëjnë pikërisht PIS jetën dhe shpirtin e popullit të urtë (më shumë seç duhet) shqiptar.

Mirëpo, me të drejtë, lexueset e lexuesit e mi mund të hidhen e të më thonë: “Zoti Tupja, por nocioni apo koncepti “i ndershëm” në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, po bëhet sa vjen e më i paqartë: të gjithë, kryesisht, veçanërisht e sidomos në politikë, e quajnë veten të ndershëm, kurse tjetrin, kundërshtarin, “të pandershëm”; këtë e provojnë edhe akuzat e ndërsjella midis pozitës dhe opozitës, ndër të tjera”. Duke e pranuar që kjo ndërhyrje nuk është pa vend, po nxitoj të shpjegohem:

Së pari, populli ynë ka një fjalë të urtë: “Fshati që duket nuk do kallauz”, në kuptimin që për të shkuar në një vend që duket me sy, nuk ke nevojë për udhërrëfyes. Kështu që nuk mund të quhet biznes i ndershëm, për shembull, biznesi, më falni, pisnesi i drogës brenda e jashtë vendit, pra, as ata që e organizojnë këtë pisnes duke përfituar prej atij, nuk mund kurrsesi të konsiderohen si të ndershëm, prandaj duhen quajtur pisnesmenë dhe jo biznesmenë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për monopolet që tashmë kanë mbërthyer sektorin e karburanteve, atë të sigurimeve, tregjet e burimet e ndryshme ekonomike të vendit etj., etj. Së dyti, vetë politika shqiptare është shndërruar në një biznes, më falni, në një pisnes të frikshëm duke kurorëzuar me sukses të plotë, sidomos këto vitet e fundit, krijimin e një mafieje kriminale që i ka shtrirë tentakulat apo, më saktë, metastazat e saj në tërë sferat e jetës, por veçanërisht në atë të ekonomisë, sepse atje është edhe paraja e madhe, siç thotë populli i urtë (më shumë seç duhet) shqiptar.

Përveç kësaj, siç po e shohim, që nga viti 2013, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, është themeluar, ndërtuar e konsoliduar një biznes, më falni, një pisnes i llahtarshëm i quajtur “shitblerje votash” me biznesmenë, më falni, me pisnesmenë po aq të llahtarshëm partiakë, që na hiqen si shenjtorë shërimtarë e rilindës shpëtimtarë të së tashmes e të së ardhmes të vendit tonë lumturisht fatkeq.

Ky pisnes dhe këta pisnesmenë, duke sabotuar e tjetërsuar votën e lirë, këtë mekanizëm bazë të funksionimit të një regjimi mirëfilli demokratik, po e kthejnë, në mos e kanë kthyer tashmë, Shqipërinë në një shtet demokraturial po aq, në mos më shumë, sa gati dy të tretat e shteteve tmerrësisht demokratike të kontinentit afrikan.

Së fundi, meqë vetë politika shqiptare është biz(s)nes dhe, për pasojë, politikanët tanë janë biz(s)nesmenë, po përsëris qëllimisht titullin e këtij shkrimi, veçse në stilin hamletian, “Biznes apo pisnes, kjo është çështja!”

Botuar në gazetën Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top