Ftesë sugjeruese për mësuesit, për një orientim mbi tekstet jashtëshkollore
Çfarë do t’i sugjeronit fëmijës tuaj për të lexuar për periudhën e verës? Çfarë do t’i tërheqë ata më tepër, teksti elektronik apo libri fizik?
Libri është miku më i mirë i njeriut. Gjithmonë ka qenë ura ndërlidhëse me një botë tjetër që të ofron diversitet emocionesh e liri mendimesh. Kush do të shfletohet këtë verë më shumë se tjetri nga fëmijët?
Duke u bazuar në mendimet e njerëzve, shohim që në këtë pikë kemi divergjencë mendimesh. Disa janë të mendimit se teksti elektronik shpejt do të zëvendësojë letrën dhe në një kohë të shkurtër, ne të gjithë do të jemi duke lexuar në ekrane. Ndërsa disa të tjerë këmbëngulin që libri është libër. Ka peshën e vet të vlerës që në mbajtjen e tij në dorë dhe më pas në brendi.
Pjesa më e madhe e njerëzve sot kanë krijuar varësi ndaj internetit, duke e lënë pas dore botën e madhe të librave. Shumë fëmijë e të rinj rinj e kanë shumë të vështirë që ta lidhin aktin e të lexuarit me tërheqjen e internetit. Sigurisht që në epokën e internetit është shumë e vështirë që t’i motivosh fëmijët që të bëhen lexues të rregullt dhe të ndiejnë kënaqësi prej librit. Kjo sepse pjesën më të madhe të kohës së lirë ata e kalojnë online dhe para ekranit të televizorit.
Leximi duhet nisur që në vogëli, dhe me rritjen e tyre duhet shtuar pak e nga pak. Rol shumë të rëndësishëm kanë pa dyshim familja dhe më pas shkolla, të cilët duhet të jenë në kërkim dhe të njohin librat e rinj që hyjnë në treg dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur për ta. Librat që fëmijët duhet të lexojnë, duhet të rrisin zhvillimin intelektual, praktik dhe artistik të tyre përmes njohurive të gjera, ku përfshihen njohuri akademike, njohuri për artin dhe muzikën, njohuri emocionale dhe sociale.
Por jo të gjithë prindërit janë të mirëinformuar se si duhet t’ia nisin rrugëtimin e edukimit të dëshirës për të lexuar tek fëmijët e tyre. Më poshtë do të mund të gjeni disa pika kyçe se si mund të rrisni një fëmijë me dëshirën për të lexuar.
Njohja e karakterit dhe interesave të fëmijës suaj është më kryesorja.
Krijimi i një biblioteke të vogël të fëmijës dhe sistemimi i tyre se çfarë do të lexojnë ata gjatë pushimeve.
Ftojeni që të lexoni një libër së bashku, dhe mos i tregoni përtesë. Lexoni dhe flisni rreth librave që keni lexuar edhe kur jeni në makinë duke udhëtuar.
Pas leximit të një libri, fëmijët duhet të tregojnë rreth asaj që lexuan moshatarëve, familjarëve dhe të afërmve.
Zgjidhini librat së bashku, fokusohuni tek interesi i fëmijës dhe ato që i përkasin moshës së tij.
Nëse fëmija është nervoz, jo i qetë, libri është ai që do ta çojë në një botë tjetër dhe ta harrojë nervozitetin që ka.
Nëse fëmija mëson hershëm bazat e leximit të një libri, sa më herët të fillojë leximin e librit, aq më të forta janë këto baza.
Leximi ndihmon fëmijët që të rrisin përqendrimin dhe të përmirësojnë aftësitë e të menduarit.
Leximi i historive të ngjashme me historitë e jetës së përditshme të fëmijës, i tërheq ata të tepër.
Mësojeni fëmijën që të kujdeset me shumë respekt për librat.
Merrni gjithmonë libra me vete nëpër udhëtime.
Ndjekja e mësimit në shkollë çdo ditë ka bërë që fëmijët të shohin që libri është një pasuri që u hap horizontet. Por pas një periudhe të gjatë që fëmijët ndoqën mësimet online çdo ditë, ndoshta tani u krijohet ideja se çdo gjë që u duhet do të mund ta gjejnë edhe nëpërmjet internetit.
Charlotte Mason, mësimdhënëse angleze në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar, në metodat e saj mbështet leximin e librave dhe shpenzimin e kohës në natyrë. Qëllimi i saj është të sjellë shumëllojshmëri njohurish përmes letërsisë, kryeveprave të artit, poezisë dhe shkencave të ndryshme humane.
Charlotte Mason besonte se fëmijët duhet të lejohen të zhvillohen në mënyrë të natyrshme dhe prindërit e tyre t’i ndihmojnë ata të forcojnë tiparet e mira të karakterit, pasi fëmijët janë qenie njerëzore të afta për mendime inteligjente. Libri ka aftësinë e tij për të depërtuar thellë në mendjen, inteligjencën, karakterin dhe personalitetin e individit. Këto formojnë botën e një njeriu.
Ja cilat do të ishin zgjedhja më e mirë për të lexuar fëmijët këtë verë:
Përralla shqiptare (libri një dhe dy) Virgjil Muci
Kthimi i Robinsonit (seria Historitë e xhaxha Tonit)
Aventurat e Tom Sojerit (Mark Tëain)
Udhëtimet e Guliverit (Jonathan Sëift)
Djemtë e rrugës Pal (Ferenc Molnar)
Enciklopedia e gjeniut
E vërtetë e gabuar
Libri i madh i progresit të njerëzimit
Lexim të mbarë këtë verë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.