“Jam jashtë me fenerë, duke kërkuar veten” – Emily Dickinson. Sa i thellë dhe i fuqishëm mesazhi, në një fjali të vetme dhe kaq të shkurtër. Ne kalojmë një jetë të tërë duke takuar të tjerët, ndërsa vetja jonë pret. Pret, herë e padëgjuar, herë e humbur nga zhurmat e vrapit të jetës, herë të tjera e padukshme, dhe jo rrallë e shpërfillur ose e lënduar.
Nga të gjithë shpirtrat që mund të takojmë, shpirti ynë është më i vështiri për t’u takuar, është një rrugë e gjatë deri aty, por që ndihet shpërblyese kur arrihet, është ndjesia si rruga për në shtëpi.
Të gjithë do e kërkojmë atë takim herët apo vonë, takimin me veten tonë më të thellë. E megjithatë, është një nga udhëtimet më të vështira, dera nuk është e lehtë për t’u hapur, duhen thyer të gjitha barrierat e brendshme, përvojat e jetuara, duhet falje edhe për veten, lënia pas e të gjitha pse-ve, e gjithçkaje tjetër që kërkoje në përmbushjen tënde.
Të gjithë vrapojmë, një herë jashtë, endemi në kërkim, pastaj në mënyrë të pashmangshme, sërish do kërkojmë kthimin te vetja, aty ku është edhe burimi i vërtetë i dritës sonë. Aty ndodh bashkimi i gjithë copëzave të shpirtit, duke i dhënë formën më të lartë udhëtimit tonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

