Nëse jeni përgjegjës për fëmijën tuaj, a do të thotë kjo se ju jeni përgjegjës për sjelljen, notat, martesën e tyre ndërsa rriten?
Rudina Koromani, psikologe klinike
Prindërimi është gjithmonë në zhvillim, por ndonëse flitet shumë për mënyrat e shëndetshme të rritjes së fëmijëve, prindërit e gjeneratave të reja vazhdojnë të bien në “kurth” me format e gabuara që ndjekin, ndonëse janë më shumë të mirëinformuar, ndonëse nuk duan të bëjnë gabimet që prindërit e tyre kanë bërë me ta. Ky fakt përfshin arsye të ndryshme: trendet e kohërave me kërkeat për sukses, mirqënia ekonomike, karakteristikat psikologjike të prindërve etj.
Prindër “tepër mbrojtës” , “me axhenda” dhe “përmbushës të dëshirave”janë prindërimet që dominojnë kohët moderne që po jetojmë, stile që paraqiten tërësisht të kundërta nga ato të mëparshmet tradicionale( autoritative) i ka dëmtuar fëmijët duke gjeneruar gjithmonë e më shumë fëmijë delikat, të brishtë, të paaftë për tu përballur me sfidat e jetës, adoleshentë arrogantë,materialistë, indiferentë, me vetvlerësim të ulët, mendjemëdhenj por me besim të zbrazët, të cilët duke mos përjetuar rreziqe inskenojnë e modelojnë ato që shohin në YouTube, Insta, TikTok, duke mos arritur të përjetojnë diçka kuptimplote.
Frika për sigurinë e fëmijës , deri diku e justifikuar për kohërat që jetojmë, kur teprohet pengon fëmijët të jenë të pavarur duke i bërë prindërit të rrezikojnë gjithnjë e më pak në lirinë e fëmijës: mos dil, kujdes se makinat, kujdes mos rreshqasêsh, kujdes nga droga, nga kriminelët…
Dhimbja, vuajtja, në fakt, janë të nevojshme për pjekurinë e zhvillimin e shëndetshëm psikofizik. Fëmijëria vërtet duhet të lidhet me sigurinë dhe vetëvlerësimin, por ndërsa një fëmijë rritet, rreziku, gabimet, dështimet janë domosdoshmëria për të formuar identitetin dhe besimin në aftësitë tij.
Duke i lënë jashtë eksperiencave (rrezikut) sot kemi të rinj arrogantë, të fryrë por të brishtë brënda tyre.
Adoleshentët janë të prirur të marrin më shumë rreziqe se çdo grupmoshë tjetër. Truri i tyre i programon për ta bërë këtë. Është pjesë e rritjes. Ata duhet të testojnë kufijtë, vlerat dhe të gjejnë identitetin e tyre gjatë këtyre viteve.
Fëmijët duhet të mësojnë nëpërmjet përvojës, pasojat e sjelljeve të caktuara.
Ndërmarrja normale e rrezikut në moshën katërmbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç i përgatit ata për vendime të tilla si: rreziqet e largimit nga shtëpia, fillimit të një karriere ose martesës. Mjerisht, mesazhi “siguria në radhë të parë” që shumë prej prindërve u japin fëmijëve është: “mos merrni kurrë rrezik” dhe rezultati është ky që shohim.
Disa ekspozime ndaj rreziqeve dhe përvojave sfiduese lejojnë që mekanizmat e përballimit të fëmijëve të maturohen. Këto janë aftësi elastike të jetës që do të përballojnë pakënaqësinë, fatkeqësitë, dështimet dhe thyerjet e zemrës në të ardhmen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.