Lifestyle

June 24, 2016 | 8:44

Brunilda Paskali: Energji nga udhëtimet

1Mbi tryezë axhenda me kursin e një dite plot ngarkesë. Nuk ka kohë për pëshpëritje mendimesh. Fillesa duhet të menaxhojë atë që i qëndron mbi krye. Rishtaz shikimi hedh sy deri në vijën e fundit të shkruar në bllok. Nëpër të një vizitë pune jashtë. Rrëmbimthi diçka ndez motorët edhe më shumë për të vijuar ditën. Një dozë parapërgatitje për ndalesën jashtë kufijve. Udhëtimet janë një nxitje dhe motivim shumë i rëndësishëm për të. Janë arsyeja ku energjitë vijnë furishëm e ku zelli për punë të kaplon fort. Në përditshmërinë e saj, për shkak të postit si Zv/ministre, por edhe Nënkryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim ka vështirësi. Paralel me postin e rëndësishëm që bart, ndihmon dhe mbështet grupe të ndryshme shoqërore, të cilat i shtohen axhendës ditore që ka. “Është e vështirë për një femër të arrijë t’i bëjë gjithmonë bashkë ato detyrime që ajo ka. Përpiqem dhe jap maksimumin. Jam mbështetëse e flaktë sa i takon rolit të femrës, qofshin ato sipërmarrëse, shtëpiake apo në pension. Ato janë heroina me punën që bëjnë. Për shkak të formimit profesional, duke ardhur nga fusha e mësimdhënies, kam kontakte të vazhdueshme me vajza të reja, studente, duke u ardhur në ndihmë shqetësimeve të tyre. Nga ana tjetër, nisur nga mjedisi politik ku jam e përfshirë, përpiqem t’i gjendem pranë kategorisë, siç janë gratë jo vetëm shtëpiake, por edhe atyre në pension. Përgjithësisht e shoh gruan në të gjithë spektrin apo dimensionet e saj”. Modeli që Brunilda Paskali përfaqëson, është roli që një femër shqiptare realisht duhet të ketë. Një ekuilibër ku çdo gjë arrihet nëse i kalit vetes vullnetin për t’i bërë të gjitha dhe mirë njëkohësisht. “Po nuk pate vullnet, s’bën asgjë në jetë, jo vetëm për punën, por edhe kur zgjedh një veshje a të vizitosh një vend. Duhet të gjesh kohën ta bësh. Ka disa gjëra, të cilat nuk i ndjek dot, sepse shpeshherë impenjimet, veçanërisht në pozicione të tilla, janë shumë të mëdha. Dita ime shkon normalisht deri 12 orë. Kjo kalon edhe në një plan më pak të ndjeshëm, sepse gruaja realisht duhet të merret edhe më shtëpinë, të jetë familjare, të ndjekë impenjime të tjera dhe këtu ka vështirësi”. Në raport me mirëqenien fizike, rifitimi i energjive e ka një burim të shëndetshëm. Paskali thotë se, përveç punës, darkat apo fundjavat janë ato që në fund fare i japin më shumë kohë të jetë në paqe me veten. “Realisht puna që bëj në ministri është jashtë mase interesante. Ka larmi. Më bën të kem një ditë të gjatë dhe variabël. Shpesh ndodh që futem me kënaqësi në shtëpi. Dal në tetë të mëngjesit dhe futem në tetë të mbrëmjes. Preferoj që në orën nëntë të jem e qetë dhe të pushoj, të shoh vetëm TV apo lexoj diçka. Por, edhe një darkë me mikeshat e mia është një nga gjërat e preferuara. Me njërën prej tyre gjithmonë gjejmë mundësinë të shkojmë në kinema, teatër apo opera. Pra, mundohem që disa nga këto aktivitete rekreative t’i bëj sepse janë një rikarikim i baterive. Ka një shprehje të bukur angleze: ‘Vetëm puna dhe jo argëtimi do ta bënte Xhekun të mërzitshëm’. Pra, nëse nuk do i merrnim energjitë pozitive jashtë punës, do të kishim problematika”. Por sa ndikon bashkëbisedimi me veten për të ridimensionuar energjitë dhe çlodhur trurin? Për Brunilda Paskalin: “Njeriu, nëse bën një punë që e ka qejf, e bën me pasion, dashuri dhe dëshirë. Kjo e ndihmon atë të jetë i gatshëm për të përballuar një ditë tjetër dhe me ngarkesa. Në përgjithësi i kam të ndara fushat, nëse do më thoshit për veshjet është një nga gjërat që e mendoj aty për aty, në mëngjes. Me shoqet e mia diskutoj se është e vetmja gjë që nuk e bëj dot një ditë më përpara. Përpiqem ta disiplinoj veten, por është e pamundur. Varet dhe nga humori im. Mund të ndodhë që dua të jem e veshur me ngjyra të forta, sepse veshja ndikon në gjendjen shpirtërore apo energjitë. Kur njeriu është me veshje që i pëlqen dhe vetja, është vetëvlerësim dhe vetëbesim, edhe dita bëhet më e bukur për të”. Ritmi ushqimor, disiplina për vendosjen e ekuilibrave të duhur, nga ana tjetër, janë faktorë në jetën e Zonjës Paskali, “por jo aq të shpeshta sa do t’i doja unë. Ndonëse arrin një moment që e ndiej domosdoshmëri vajtjen në një qendër dobësimi për t’u qetësuar. Njeriut duhet t’i pëlqejë vetja për atë që është, pastaj të tjerëve. Nëse nuk je në paqe me veten, nuk je me asnjeri. E vetmja gjë që unë toleroj, është kur jam jashtë shtetit. Nëse nuk provoj kuzhinën tradicionale të atij vendi, s’e konsideroj të plotë vizitën. Në atë pikë nuk e frenoj veten. Pastaj, me kthimin në regjimin ditor, jam e kujdesshme”. Udhëtimet, turizmi janë pasionet e saj. Plotësimi i personalitetit dhe figurës që gëzon. “Kam udhëtuar në shumë vende. Është realisht një nga mënyrat që mua më çlodh. Është më e mira që njeriu mund të gjejë për t’u shkëputur nga rutina. Një fundjavë të rigjeneron jashtë mase. Është një nga gjërat që njeriu duhet ta bëjë herë pas here edhe për të njohur botën, për t’u bërë më mendjehapur. Informacioni është fuqi. Duke e njohur vërtet, të bën më tolerant”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.90

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top