Në fokus

June 2, 2020 | 8:05

Bylyre Serjanaj: “Mitet e përdhunimit” po shkatërrojnë shoqërinë

 

Përdhunimi i 15-vjeçares në Tiranë, nga roja i shkollës dhe më tej nga persona të tjerë moshatarë, është tematika e shumë prej portaleve në ditët aktuale. Më shqetësuese është fakti se shoqëria jonë ndihet e pa fuqishme, nuk di të reagojë dhe/ ose fajtore ndaj këtij fenomeni (mos të përmendim fare organet kompetente që duket se gjumësia e tyre për çështje të tilla dhe jo vetëm, do të vazhdojë për vite në vendin tonë). Dhuna ndaj vajzave/ grave, ngacmimi seksual dhe përdhunimi janë probleme të vazhdueshme në shoqëri.

Nga Bylyre Serjanaj, psikologe klinike

Nga Bylyre Serjanaj, psikologe klinike

Shumica e burrave priren të identifikojnë seksualitetin e tyre me dominancë dhe agresion, ndërsa gratë kanë tendencën të identifikojnë seksualitetin e tyre me të qenit e varur nga gjinia e kundërt dhe pasiviteti. Sipas teorisë feministe, burrat dhe gratë janë të ndikuar nga variabla të ndryshëm shoqëror. Në strukturat shoqërore, burrat dominojnë ndaj grave në punë, edukim, familje, etj. Dominimi shpesh ruhet përmes dhunës. Përdhunimi është një shembull i këtij dominimi. Stigmatizimi nga shoqëria si “e paaftë për të mbrojtur veten” rezulton në ndjenjat e fajit dhe rrjedhimisht në përjetimin e simptomave serioze psikologjike, për të cilat nuk është fol pak. Vlen të theksohet se bazat motivuese të përdhunimit janë të rrënjosura thellë në kulturat tona.

4Mitet e përdhunimit përkufizohen si një grup bindjesh kulturore që shërbejnë për të nxitur agresionin seksual të burrave ndaj grave (Schwendiger and Schwendiger, 1970). Disa nga këto mite janë: “ Disa gra dua të përdhunohen”; “Një grua nëse vërtetë dëshiron, mund t’i rezistojë dhe të shmang përdhunimin”; “Ajo ka një reputacion të keq dhe nuk është viktimë”; “…është faji i saj që ai e detyroi atë të bënte seks”… Këto mite refuzojnë të viktimizojnë gjininë femërore dhe e fajësojnë atë. Nga ana tjetër, djemtë/ burrat mësohen dhe rriten me mitin se duhet të dominojnë vazhdimisht dhe “është çdo gjë në rregull nëse ushtrojnë forcë ndaj vajzave/ grave për të fituar kënaqësi seksuale”. Mite të tilla, demoralizojnë viktimën dhe justifikojnë veprimin e përdhunimit. Pranimi i miteve të përdhunimit nga ana e shoqërisë, mohojnë faktin se të gjitha vajzat mund të jenë viktimë e përdhunimit dhe mbështesin idenë se vetëm vajzat “e këqija” përdhunohen. Në këto momente rritet ndjesia e fajit te viktima, që mund të lidhet me mënyrën e saj të sjellurit në momentin e përdhunimit ose më parë, apo me cilësitë e saja të personalitetit.

Shoqëria ka krijuar këto mite, dhe pikërisht këto mite po e shkatërrojnë atë, duke bërë viktimë në këtë mënyrë jo vetëm gratë por edhe burrat. Siç u përmend dhe pak më lartë, djemtë, që në fëmijëri duhet të luajnë rolin e të qenit “djalë i fortë” përndryshe nuk do jenë të pranueshëm nga familjarët, të afërmit apo nga moshatarët e tyre. Të qenit “djalë i fortë” do të thotë të dominosh ndaj gjinisë së kundërt. Djemtë modelojnë sjellje se si të mos shprehin emocionet e tyre, të tregojnë se janë “të ftohtë” dhe të pa ndjeshëm ndaj situatave të ndryshme, për të cilat vajzat nga ana tjetër lejohen të tregojnë anën e tyre emotive.

Djemtë janë viktimë e skemave dhe modeleve që ka krijuar shoqëria; janë viktimë e miteve të shoqërisë, të detyruar për t’i pranuar dhe për t’i brendësuar në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën e tyre. Ndërkohë një mit tjetër me një ndikim të madh në  formimin e personalitetit të djemve (i cili kërkon një vëmendje për tu diskutuar si çështje më vete) është se “djemtë nuk përdhunohen ose vetëm djemtë e dobët përdhunohen”. Si përfundim, nëse ndalemi te përdhunimi i vajzave dhe grave, duhet të theksojmë se djemtë janë ata që duhet të mësohen të mos përdhunojnë në vend të mësohen vajzat që të shmangin përdhunimin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top