Lodhje, grumbullim kalorish dhe fryrje janë disa nga shqetësimet që trashëgojmë nga abuzimi me ushqimin e tepërt gjatë festave. Edhe pse janë festat më të dashura, Krishtlidhjet dhe Viti i Ri janë ato ku marrim më shumë kalori dhe përjetojmë më shumë stres.
Mes drekave, darkave në familje, festimet gjithë natën me miqtë dhe ëmbëlsirat e pafundme është e paevitueshme që të mos mbingarkojmë stomakun. Pasoja? Do të jemi të gjithë të rënduar dhe po ashtu do të kemi shtuar në peshë. Për të kompensuar çrregullimet e të ngrënit maratonë, përveç se duhet të tregojmë më shumë kujdes me ushqimet që hamë dhe të përkushtohemi më shumë me aktivitet fizik, në ndihmë na vijnë edhe kurat natyrale: çajrat me bazë bimore, të cilat mund t’i dhurojnë organizmit pak mirëqenie dhe çlirim.
Gjatë festave kemi tendencën të hamë më shumë se zakonisht dhe të grumbullojmë kalori dhe yndyrna me tepri. Rëndesa e stomakut pas vakteve vjen për shkak ose të tretjes së ngadaltë, ose për shkak të fermentimit intestinal të gazeve. Ndaj, pirja e një çaji me bazë barërash natyrale favorizon procesin tretës.
Veç të tjerash, duke qenë se në dimër kemi tendencën të pimë më pak, çajrat janë një ndihmë e vyer për të hidratuar organizmin, si dhe për të larguar më lehtë toksinat e grumbulluara nga vaktet e shumta.
A mund të pinë fëmijët çajra?
Shpesh, ata që vuajnë nga keqtretja dhe nga problemet me stomakun janë fëmijët. Dhe kur fëmijët vuajnë nga këto shqetësime prindërit pyesin veten: “a mund të pinë çaj? Nëse po, cili është çaji më i mirë? Çajrat me bazë barërash, sidomos ato tretëse, nuk janë të përshtatshme për fëmijët e moshës nën 10 vjeç. Nëse kanë vështirësi për të fjetur apo janë veçanërisht të shqetësuar, mund të pinë çaj kamomili. Kamomili ka cilësi qetësuese për trupin dhe mendjen. Nëse ka vështirësi me tretjen është shumë i dobishëm çaji i koprës.
Kundër rëndesës
Për të luftuar ndjesinë e bezdisshme të fryrjes, është e dobishme të pini një çaj tretës me argjinare, portokall dhe mente, pasi stimulojnë mëlçinë dhe sekrecionet. Lëkura e portokallit favorizon tretjen dhe mentja, përveç se është tretëse, e bën edhe më të këndshme shijen e çajit.
Për të ndihmuar organizmin përgjatë gjithë fazës së tretjes, është i shkëlqyer edhe çaji i xhenxhërfilit, pasi përmirëson tretjen dhe përshpejton aktivitetin e zorrëve, si dhe largon ndjesinë e rëndesës së stomakut.
Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsychoWorld
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.