Kur flet vjeshta, flet me gjuhën e gjetheve që bien butë, të lodhura por të bukura. Me po të njëjtën gjuhë flasin edhe çantat e sezonit 2025: ngjyrat e tokës, strukturat e menduara, materialet që nuk bërtasin por shpalosin.
Për gruan që shkon në zyrë çdo mëngjes si në një skenë teatrale, me agjendën në dorë dhe mendimet në rend, çanta nuk është vetëm një mbartëse e sendeve, por një besnike e heshtur që e përfaqëson. Dhe këtë vjeshtë, ajo vishet me lëkurë të thurur, në ngjyrë çokollate të errët ose gri të butë si mjegulla mbi rrugët e qytetit.
Tendencat e këtij sezoni sugjerojnë silueta të gjëra dhe të ulëta, stili i çantave “east–west” që zgjaten si horizonti mbi një ditë të gjatë pune. Brendësia është funksionale; pjesa e jashtme, poetike. Galeria e COS-it është një ndër to: e thjeshtë, me formë arkitekturore, suede ose lëkurë të butë. E përsosur për dosje, laptop dhe aromën e kafesë së parë të mëngjesit. Për ato që e duan lirinë në formë, çantat hobo – slouchy ofrojnë një përqafim të ngrohtë për përditshmërinë, një pasqyrim i stilit të lirë dhe spontan, por që nuk i humbet kurrë hijeshinë. Dhe për zemrat që rrahin me ritmin e nostalgjisë, rikthimi i modeleve me rripa e detaje metalike si Chloé Paddington, që sjell një jehonë elegante nga vitet kur moda kishte më shumë shpirt sesa logot.
Ngjyrat e sezonit janë ato që natyra pikturon çdo ditë: burgundi i rrushit të vonuar, kafeja e thatë e lisit, griu i reve mbi ndërtesa. Një çantë në këto nuanca nuk është thjesht aksesor, është deklaratë: “Unë jam këtu, në mes të stuhisë së punës, me stil dhe qëllim.”
Zgjidhni çantën tuaj siç zgjidhni një poezi, atë që flet me zërin tuaj të brendshëm! Në fund të fundit, çdo çantë e mirë nuk mban vetëm sende, mban stilin tuaj, karakterin, dhe një pjesë të ditës që askush tjetër nuk e sheh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.