Çerdhe dhe Kopsht “Tweety”: Miku i fëmijërisë që jeton në breza! Tweety simbolizon miqësinë, ndaj ne jemi të fokusuar tek miqësia dhe kujtimet e bukura të fëmijërisë”. – Miranda Metallari, sipërmarrëse
Një histori që nisi me një kanarinë të verdhë…
Looney Tunes ka qenë pjesë e dashur e fëmijërisë për shumë breza. Midis personazheve të tij të paharrueshëm, një vend të veçantë zë “Tweety”, kanarina e verdhë lozonjare. Pikërisht ky personazh ishte frymëzimi i dy prindërve të rinj 25 vite më parë, kur kërkonin një institucion të dashur dhe të sigurt për vajzën e tyre. Kështu lindi Çerdhe dhe Kopsht “Tweety”, një institucion parashkollor që shumë shpejt u kthye në një shtëpi të dytë për fëmijët e komunitetit. Sot, “Tweety” është bërë pjesë e historisë personale të shumë familjeve, ku madje disa nga fëmijët e parë të kopshtit janë kthyer tashmë si prindër.
Në zemër të Tiranës, një vilë plot jetë
Kopshti ndodhet në një pozicion strategjik, mes Gjykatës së Tiranës dhe shkollës “Pjetër Budi”, në një vilë të përshtatur si një botë përrallash. Mjedisi është i gjallë, i mbushur me ngjyra, personazhe të dashur për fëmijët dhe një atmosferë që ndërthur edukimin me lojën. Për themeluesen dhe drejtuesen znj. Miranda Metallari, edukimi është një proces gjithëpërfshirës: “Ne përpiqemi të rrisim fëmijë të lumtur, të komunikueshëm dhe të përfshirë, duke i angazhuar si bashkorganizatorë të aktiviteteve të përditshme.”
Nga inxhiniere ndërtimi në arkitekte fëmijërie
Miranda Metallari është vajzë mësuesish, por vetë e diplomuar për Inxhinieri Ndërtimi. Megjithatë, fryma pedagogjike në familje dhe përvoja personale si nënë e shtynë drejt ndërtimit të një institucioni model edukimi. “Të ndërtosh një kopsht është shumë më tepër se të ndërtosh një godinë. Është ndërtimi i një bote ku fëmijët ndihen të sigurt dhe të dashur,” shprehet ajo. Gjatë këtyre 25 viteve, “Tweety”ka rritur dhe edukuar me qindra fëmijë, falë një stafi profesional, të përkushtuar dhe afatgjatë, të cilët janë trajnuar dhe përzgjedhur me kujdes. Miranda shpreh mirënjohjen për bashkëpunime ndërkombëtare, veçanërisht për një mikeshë psikologe në Greqi, që ndihmoi në ndërtimin e bazave të institucionit.
Kampi Veror, fëmijëria që udhëton
Prej shtatë vitesh, “Tweety”organizon një kamp veror dyjavor në Himarë për fëmijët nga 6–14 vjeç. Programi përfshin not, ecje në natyrë, eksplorime kulturore dhe vizita në destinacione historike dhe atraktive si fshatrat Pilur, Vunoi, Borsh, Lukove e më gjerë. “Për fëmijët, pushimi nuk është thjesht qëndrim, por eksplorim, trashëgimi, miqësi dhe dashuri për natyrën,” thekson Miranda.
Kampi veror vijon edhe në Tiranë gjatë korrikut dhe gushtit, me aktivitete kulturore dhe udhëtime në të gjithë Shqipërinë.
Një ditë në “Tweety”
Dita në çerdhen dhe kopshtin “Tweety” nis herët, me mikpritjen e fëmijëve dhe mëngjesin. Më pas, fëmijët ndahen në grupe sipas moshës dhe ndjekin programin edukativ deri në orën 12:00. Programi përfshin lojëra, aktivitete krijuese dhe mësim në natyrë. Kujdesi për ushqimin është prioritet: të gjitha vaktet përgatiten në ambientet e brendshme, me produkte të freskëta dhe të balancuara. Fëmijët shpesh përfshihen në përgatitjen e ushqimit, për të kultivuar kulturën e “të bërit vetë” dhe për të zhvilluar përgjegjësinë dhe vetëbesimin. Pas drekës, është koha e çlodhjes dhe gjumit. “Nuk i detyrojmë fëmijët të flenë, por i udhëzojmë që gjumi është rritje,” thotë znj. Metallari, duke theksuar rëndësinë e pushimit në zhvillimin e fëmijëve.
Një model që frymëzon dhe që vazhdon
Kopshti “Tweety” është sot më shumë se një institucion edukimi, është një komunitet që rrit breza me dashuri, kujdes dhe vizion. Me një histori prej 25 vitesh, një staf të përkushtuar dhe një filozofi që ndërthur miqësinë, natyrën dhe zhvillimin emocional të fëmijës, “Tweety” mbetet një nga emrat më të besuar dhe më të dashur në Tiranë.
Adresa: Rruga “Nikolla Lena”, Vila 65, Tiranë
Cel: +355 69 207 3289
Email: [email protected]
Facebook Kopshti Tweety
Instagram kopshtitweety
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.