Të duash fëmijën nuk do të thotë t’i blesh rroba, makina, lodra apo t’i bësh një dhomë, që prindit i duket e bukur. Kjo formë marrëdhënieje, që prindi pa dashur ndërton me fëmijën, është formë komerciale. Është sikur bën një kontratë: “Unë po të blej sendet, ti më lër rehat”.
Me fëmijën nuk krijohen marrëdhënie kaq të përcipta. Marrëdhënia prind-fëmijë eshte marrëdhënie themel e njeriut me njeriun, ku sendet kanë vlerë minimale.
Të duash fëmijën do të thotë të jesh aty, kur hedh hapin e parë. Ai si Atlasi mban gjithë universin njerëzor mbi kurriz për të realizuar këtë veprim. Po aq energji, e mbase edhe më shumë, i duhet për të artikuluar fjalën. Këto janë momente kyç, ku prindi duhet të jetë i pranishëm dhe të mbështesë fëmijën e tij.
Këto momente fuqizojnë ose jo lidhjen mes tyre. Mbështetja, nxitja dhe durimi i prindërve janë edhe çelësi i suksesit të rritjes dhe edukimit.
Edukimi nuk është urdhër, por akt dashurie e përgjegjësie. Është një proces i shtrirë në kohë për të cilin fëmija ka nevojë si për ajrin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.