Dëshmi

June 8, 2022 | 8:30

Çfarë duhet të dinë e si të përgatiten prindërit që birësojnë një fëmijë

Fëmija i birësuar vjen në familjen e re me ndjesinë e dhimbshme të të qenit i refuzuar dhe braktisur. Edhe pse e paartikuluar me fjalë, fëmija e ka përjetuar braktisjen, pasi nuk ka arritur të provojë e të ndërtojë lidhjen nënë fëmijë pas lindjes.

Nga Lira GJIKA, psikologe

Lidhja nënë – fëmijë  ndërtohet nëpërmjet kontaktit në trup e gji të nënës, nëpërmjet zërit të saj të ngrohtë e përkëdhelës, pra, fëmija ndjen mirëpritjen e asaj që e mbajti në trup dhe i fali jetën. Këtë lloj “trajtimi”, fëmija i braktisur që në lindje, siç vazhdon të ndodhë te ne, nuk e provon. Dhe ky mohim e bën fëmijën e braktisur të mos ndërtojë atë që specialistët e quajnë “lidhja parësore” që luan një rol të veçantë për shëndetin mendor të njeriut.

Njeriu edhe pse braktiset në fillim të jetës nuk është kaq i brishtë. Kapja tek jeta është një karakteristikë e veçantë e fëmijëve në përgjithësi dhe e fëmijës së braktisur në veçanti. Edhe pse fëmija i adaptuar jeton me frikën se braktisja mund të përsëritet si dhe vështirësinë për tu afeksionuar me prindërit adaptues, ai apo ajo prapë ja dalin, pasi kjo frikë mund të zbehet e zhduket me kohë. Prindërit adaptues që e kanë marrë këtë vendim, e kanë marrë me mënd e shpirt dhe do të bëjnë gjithçka si çdo prind për të fituar besimin e fëmijës. Ata, prindërit, duke i demostruar durim dhe duke i dhuruar fëmijës gjithë dashurinë për të cilën ai apo ajo ka aq shumë nevojë, do ti japin kohën e duhur, pa u bezdisur apo turpëruar se fëmija i tyre është ndryshe, derisa fëmija vërtetë të bëhet dhe ndihet pjesë e familjes.

Shpesh këta fëmijë cilësohen shumë të vështirë, me probleme socializimi apo me sjellje jonormale. Mendoj se më shumë është paragjykim sesa është e vërtetë. Nga eksperienca ime personale kam hasur fëmijë të vështirë të rritur nga prindërit e tyre biologjikë dhe të rrethuar nga njerëzit e tyre të gjakut dhe fëmijë të adaptuar që ishin për tu patur zili për sjelljen dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Në fakt fëmija i adaptuar ka të gjithë të drejtën e botës të shprehë dhimbjen, dyshimin dhe inatin që provon brënda vetes dhe këtë natyrisht që do ta ndajë me prindërit. Ai apo ajo, ka eksperienca të rënda që lenë plagë në shpirt të fëmijës dhe si çdo plagë e rëndë, kërkon shumë kujdes dhe trajtim të vazhdueshëm deri sa të shërohet plotësisht. Mbase shenja do të mbetet, por dhimbja nuk do të jetë më dhe fëmija do të jetë një i rritur joproblematik, i shëndetshëm e zot i vetes së tij. Dhe që ky rrugëtim, i pranimit të familjes nga fëmija dhe njohja me prindërit të jetë sa më i mbarë dhe e shëndetshëm, duhet thënë e vërteta që në fillim: që një grua tjetër i fali jetën, por që nuk ishte gati të bëhej nënë dhe këta dy prindër që nuk bënin dot fëmijë, e kërkuan dhe e gjetën dhe e kanë brënda shpirtit të tyre si çdo prind tjetër fëmijën e tij.

Prindër, ju që adaptoni fëmijë dhe që bëni një vepër kaq të madhe, mos e filloni atë me gënjeshtër dhe frikë, por me kurajon e prindit që e do shumë fëmijën e tij.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top