Sot, në vëmendjen e Amerikës dhe gjithë pjesës tjetër të botës është aborti. Një pjesë e madhe e njerëzve janë të revoltuar pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane, për heqjen e ligjit që i jep grave të drejtën për të abortuar. Mes protestave, sloganeve dhe thirrjeve për të ndryshuar “shkeljen” e të drejtës për të vendosur dhe zgjedhur mbi trupin tënd, i rikthehemi procesit aq delikat, siç është aborti. Ç’duhet të dimë para një zgjedhjeje të tillë?
Duhet të siguroheni që jeni vërtetë shtatzënë
Para se t’i nënshtroheni një aborti mjekësor ose kirurgjik, është e rëndësishme të jeni të sigurta që jeni shtatzënë. Testet e shtatzënisë të kryera në shtëpi nuk janë 100% të sigurta, prandaj këshillohet vizita tek një mjek i specializuar gjinekolog.
Duhet të dini se sa ka progresuar shtatzënia juaj
Një në katër shtatzëni përfundon në abort, kështu që është e rëndësishme të dini se në cilën fazë të shtatzënisë jeni, duke konfirmuar edhe nëse fetusi është në uterus dhe ka rrahje të zemrës. Mënyra me e mirë për të përcaktuar gestacionin janë ultratingujt. Në varësi të moshës gestacionale bëhet edhe përzgjedhja e mënyrës së abortit.
Duhet të vlerësoni anët pozitive dhe negative të vendimit tuaj.
Ju keni të drejtën ligjore për të zgjedhur rezultatin e shtatzënisë tuaj. Gjithsesi, vendimi për abortin mund të jetë personal dhe i vështirë. Sigurohuni të konsultoheni me njerëzit tuaj të besuar dhe të diskutoni me mjeken gjinekologe gjithë pyetjet dhe dilemat që keni në lidhje me këtë vendim.
Duhet të dini nëse keni një sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Është e rëndësishme të përcaktohet prania e ndonjë infeksioni seksualisht të transmetueshëm (IST) në organizmin tuaj. Nëse abortoni me një IST të patrajtuar, do të jeni në risk të latë për infeksion dhe komplikacione.
Duhet të mësoni risqet emocionale dhe fizike që mund të sjellë aborti.
Aborti është një procedurë mjekësore e pakthyeshme. Secila prej metodave ka risqe mjekësore dhe efekte anësore, të cilat ju bëhen të ditura dhe ju shpjegohen me detaje nga mjeku përkatës.
Përgatiti K.I / Burimi: www.healthline.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.