Siç konfirmuan edhe ekspertët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, në vendin tonë aktualisht përveç mutacioneve të Covid-19 po qarkullon edhe virusi i gripit.
Ja çfarë duhet të dini për gripin stinor sipas asaj që këshillon Instituti i Shëndetit Publik.
Informacion për gripin stinor
Instituti i Shëndetit Publik informon qytetarët se infeksionet akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin, paraqiten në ngritje dhe aktiviteti i gripit paraqitet me intensitet mesatar. Si në vendet Europiane dhe të rajonit edhe në vendin tonë mbizotëron qarkullimi i virusit të tipit A, nëntipi A/H1. Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Situata është normale, e zakonshme dhe e pritshme për stinën.
Disa këshilla si të mbrohemi nga i ftohti. Si të veproni për të parandaluar dhe mbrojtur veten edhe të afërmit tuaj nga gripi?
- Lani duart rregullisht
- Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme
- Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini
- Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz
- Ruani një temperaturë të qëndrueshme brenda banesave tuaja.
- Ajrosini vazhdimisht ambientet ku rrini.
Kur jeni të sëmurë:
- Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta.
- Konsumoni ushqime të ngrohta
- Pini sa më shumë lëngje
- Kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve)
- Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.
A/H1 është grip sezonal tek i cili vaksina antigrip vepron dhe ofrohet falas për grupet me më shumë risk: Punonjësit shëndetësor, fëmijët, gratë shtatzëna, personat me diabet, personat me astmë apo sëmundje pulmonare, personat me sëmundje kardiake, personat me sëmundje të veshkave dhe të mëlçisë.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.