FB

October 2, 2024 | 6:10

Çfarë e nxit tradhtinë?

Tradhtia, një nga fenomenet më të diskutuara të shoqërisë së sotme njerëzore, është në interesin dhe në vëmendjen e secilit individ që jeton një marrëdhënie në çift.

tradhtia

Evolucioni njerëzor dhe cilësia e jetës ka pësuar ndryshime rrënjësore në kalimin e dekadave të shumta. Marrëdhëniet njerëzore dhe ndjenja e dashurisë njeh gjithnjë e më shumë forma të reja shfaqjeje. Nëse i referohemi statistikave të ndryshme në botë, mbi funksionimin e marrëdhënies në çift, shifrat e mosbesnikërisë midis dy partnerëve janë shokuese.

Sipas revistës amerikane “Terapisë së marrëdhënies dhe çiftit”, gjatë viteve të fundit, gati 50% e femrave të martuara dhe 60% e meshkujve të martuar kanë provuar të paktën një herë një marrëdhënie jashtë martesore. Krahasuar me një studim të kryer në një universitet të Kalifornisë në vitin 1998, ku vetëm 14% e femrave dhe 24% e meshkujve kishin tradhtuar partnerët e tyre, na vërteton se 10 vitet e fundit, shoqëria  ka pësuar një ndryshim të dukshëm.

Këto fakte e statistika botërore, pse jo dhe bisedat e jetës së përditshme, dëshmi reale midis miqsh e kolegësh, kanë përfshirë në punë e studime pafund specialistët e marrëdhënieve njerëzore.

Të zbulosh se partneri të ka tradhtuar është cilësuar nga specialistët si një eksperiencë mjaft dramatike, e krahasuar me një ngjarje traumatike, duke u nisur nga simptomat e rënda që pëson partneri. Ndjesitë e provuara janë të shumëllojshme. Emocione që variojnë nga urrejtja ekstreme në turp, nga trishtimi në simptoma të ankthit, dëshirë për hakmarrje, sjellje ekstreme të ngjashme me ato të çrregullimeve të stresit pas traumatik.

Në një nga pohimet e saj mbi tradhtinë në çift, psikoanalistja franceze Claude Halmos shprehet se lidhja e krijuar jashtë martesës nuk duhet konsideruar si një veprim i padrejtë apo i dënueshëm. Sipas psikoanalistes, një mashkull apo një femër tenton të kryejë një tradhti kur ai/ajo nuk gjen më në raport, atë për të cilën ka nevojë. Në një situatë të tillë nuk duhet të cilësojmë viktimën dhe fajtorin. Individi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të kërkojë në vazhdimësi vetëpërmbushjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, dhe nëse kjo nuk arrihet nga bashkëjetesa në çift, individi priret ta kërkojë atë në një partner tjetër. I njëjtë është edhe konkluzioni i psikoterapistit Willy Pasini. Sipas tij: “Tradhtia është një proces normal që ndodh në jetën e një njeriu, i cili kërkon të gjejë ekuilibrin në marrëdhënie, lumturinë e brendshme. Kur kjo nuk funksionon më në çift, kërkohet gjetkë”. Fundja një jetë e jetuar së bashku sjell humbjen e pasionit teksa qenia njerëzore është në kërkim të eksitimit fillestar, të cilin e kërkon jashtë çiftit dhe kjo është normale. Mungesa e komunikimit, e vëmendjes dhe kujdesit ndaj dashurisë sjell tradhtinë ndaj njeriut që dashurojmë. Ama, humbja e ndjenjës së dashurisë për partnerin nuk do të thotë se dashuria apo respekti për të zbehet.

tradhtia1

Çfarë e nxit tradhtinë?

• Njeriu kryesisht gjatë mesit të jetës së tij, rreth moshës 30-40 vjeçare, i jep rëndësi sukseseve të veta personale. E në këtë rast përfshihet edhe dëshira për vetëkënaqje në aspektin emocional dhe seksual.

• Nga ana tjetër, zhvillimi i jetës moderne i jep arsye edhe efekteve të ndryshme sociale që ndikojnë në fenomenin e tradhtisë. Aktiviteti i jetës sot është shumë dinamik dhe padashur partnerët me kalimin e kohës injorojnë kujdesin që i duhet treguar marrëdhënies së tyre, duke u marrë me probleme e zgjidhjen e gjërave rutinë të jetës.

• Krahas këtyre interpretimeve me karakter social, ku mjedisi dhe zhvillimi i shoqërisë ndër vite ka ndikuar në tradhtinë midis partnerëve, disa specialistë të tjerë analizojnë se prirjet individuale dhe instinktet tona luajnë një rol akoma dhe më të rëndësishëm.

 

Ndryshimi mes burrit dhe gruas

Ka ndryshime mes burrit dhe gruas sa i përket arsyeve pse ata tradhtojnë: Psikoterapisti Willy Pasini thotë se femra është në kërkim të stabilizimit të ndjenjave të saj ndërsa mashkulli në kërkim të plotësimit të epsheve seksuale. Sipas andrologut Sylvain Mimoun, manifestimi i dëshirës mashkullore është thuajse tërësisht hormonale. Karakteristika thelbësore e fiziologjisë së mashkullit është sekretimi i testosteronit, i cili është hormoni seksual që komandon dëshirën në mënyrë të përsëritur. Sekretimi i këtij hormoni (fenomen që prodhohet shumë herë gjatë ditës), bën që mashkulli të ndjejë pulsione seksuale, të cilave duhet t’u përgjigjet për të arritur një ekuilibër fizik dhe psikologjik. Një veprim ky që mund të përkthehet nga shumë seksologë dhe andrologë, si sjellje gjahtari e mashkullit.

 

Instinkti johuman

Willy Pasini, psikoterapisti i marrëdhënieve bashkëshortore më shumë fokusohet te cilësia e jetës dashurore të dy partnerëve dhe faktorëve të ndryshëm socialë. E megjithatë, ai nënvizon se tendenca e tradhtisë, së pari është biologjike. Instinkti ynë johuman është brenda nesh, ndërsa besnikëria është më tepër një model kulturor, i mësuar nga normat dhe rregullat e shoqërisë. Është arsyeja jonë, pikërisht ajo që na thotë se nuk duhet të tradhtojmë sepse të mos tradhtosh është më mirë për familjet tona, për fëmijët tanë dhe për shoqërinë në tërësi. Qenia njerëzore nga tërheqja fizike midis gjinive është cilësuar si poligami dhe kjo është e vërtetuar ndër shekuj nga instinktet kafshërore që njeriu ka trashëguar.

 

Faktorët socialë

Tradhtia në interpretimin e sociologut Zygmunt Baumann i ka rrënjët edhe te shkaqet sociale dhe mjedisore të çiftit. Faktorët që kontribuojnë në lindjen e tradhtisë variojnë nga historia personale e çiftit, nga kapaciteti për të zgjidhur problemet dhe nga fazat e jetës në të cilin ndodhen partnerët. Jeta bashkëshortore është e mbushur me vështirësi, të cilat nuk mund të shmangen edhe kur nuk ekziston një tradhti. Ndërkaq tradhtia mund të bëhet rezultati final i problemeve të mëparshme. Tendenca e partnerëve për të shmangur konfliktet apo keqkuptimet, me qëllim se këto të fundit mund të përkeqësojnë marrëdhënien, sjellin për pasojë mungesën e komunikimit. Pakënaqësia në sferën seksuale të çiftit apo mungesa e hapësirës dhe kohës kushtuar njëri-tjetrit janë gjithashtu elementë të rëndësishëm që nxisin tradhtinë.

tradhti-ai

KUJDES!

Le të lëmë mënjanë  tërë këto dilema ndërkohë që duhet të mendojmë për marrëdhënien tonë. Për të jetuar në mënyrë të shëndetshme dhe të investojmë pozitivisht për jetëgjatësinë e raportit tonë duhet të jemi larg disa tipeve të dëmshme marrëdhëniesh. Nuk duhet të ankohemi ndaj partnerit e të qëndrojmë në heshtje por të shprehim ndjenjat tona, të jemi sa më të hapur dhe të ndërtojmë një marrëdhënie mbi bazën e komunikimit. Të kuptojmë interesat, dëshirat dhe pritshmëritë e vetes dhe partnerit.  Nuk duhet të jemi të mërzitshëm dhe indiferent por të jemi kreativë, pasionantë dhe të vëmendshëm ndaj marrëdhënies sonë.  Shprehja e emocioneve dhe të qenit i sinqertë ndërmjet njëri-tjetrit janë suksesi i dashurisë.  Për rrjedhojë të përpiqemi të largojmë komplekset, frikërat tona dhe të forcojmë besimin për veten duke zhvilluar respektin dhe mirëkuptimin reciprok.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top