Qeniet njerëzore janë qenie shoqërore, marrëdhëniet e të cilave bazohen në aftësinë për t’u tërhequr dhe lidhur me njëri-tjetrin. Krahas aspektit estetik, komunikimi i trupit, pra lëvizjet, gjestet dhe shprehjet, nxisin edhe tërheqjen mes dy personave. Duke u nisur nga këto prova, studiuesit e Universitetit Leiden, në Holandë, kanë hetuar dinamikën fiziologjike që vendoset brenda një çifti në takimin e parë dhe zbuluan se tërheqja, në realitet, bazohet më shumë në “sinkroni fiziologjike” dhe mbi komunikimin e trupit.
Me “sinkroni fiziologjike” studiuesit nënkuptojnë kiminë e menjëhershme që ndodh midis dy njerëzve në takimin e parë dhe që bën që zemrat e tyre të rrahin në një mendje dhe të djersitin duart në një mënyrë të sinkronizuar. Studimi është publikuar në revistën shkencore Nature Human Behavior.
“Zbuluam – thanë studiuesit – se buzëqeshja, e qeshura, shikimet apo sinjale të ngjashme, në realitet, nuk janë të lidhura dukshëm me tërheqjen. Me të, megjithatë, lidhet sinkronizimi i ritmit të zemrës dhe djersitjes së duarve mes partnerëve, sinjale që nuk mund të vërehen me sy të lirë, sepse i përkasin një rrafshi të pavetëdijshëm dhe të vështirë për t’u kontrolluar. Rezultatet tona sugjerojnë që tërheqja e partnerëve ndërveprues rritet dhe zvogëlohet ndërsa nivelet e tyre të zgjimit nënndërgjegjeshëm rriten dhe ulen në sinkron.”
Studimi
Studiuesit krijuan kabina takimesh në tre festivale – një për muzikën, një për artet dhe një për shkencën – në Holandë, dhe u kërkuan 142 burrave dhe grave beqare heteroseksuale, midis moshës 18 dhe 38 vjeç, të dilnin takime në errësirë prej 4 minutash, të cilat u mbajtën në këto kabina. Për të monitoruar dinamikën fiziologjike që rezultoi nga takimi, studiuesit detyruan secilin pjesëmarrës të mbante syze për monitorimin e tyre, monitorë të rrahjeve të zemrës për të matur rrahjet e zemrës dhe pajisje të integruara për të monitoruar djersitjen e pëllëmbëve. Nga të gjithë çiftet që u përputhën, 17% shprehën një dëshirë të ndërsjellë për mundësinë e një takimi të dytë.
Çfarë doli nga hetimi?
Sondazhi zbuloi se çiftet që donin të shiheshin përsëri, dhe në të cilat dy partnerët mendonin njëri-tjetrin si tërheqës, ishin ata që zhvilluan një “sinkroni fiziologjike”. Rrahjet e zemrës së tyre filluan të shpejtohen dhe të ngadalësohen në mënyrë të sinkronizuar, dhe djersitja e pëllëmbës së dorës së tyre rritej e zvogëlohej me të njëjtin ritëm. Në shumë raste, buzëqeshjet, të qeshurat, tundja e kokës dhe lëvizjet e duarve ishin gjithashtu të zakonshme mes partnerëve, por ky lloj sinkronizimi nuk shoqërohej domosdoshmërisht me tërheqje reciproke.
Në çfarë mekanizmi bazohet “sinkronia fiziologjike”?
Mekanizmi që qëndron në themel të “sinkronisë fiziologjike” (ose kimisë së menjëhershme) midis dy njerëzve nuk është ende i qartë, “por është e mundur që kur të takoni dikë që ju tërheq, në mënyrë të pandërgjegjshme, do t’i kushtoni vëmendje mikro-shprehjeve, siç është zgjerimi i pupilave të syve, rrahjet e zemrës ose skuqja “- tha Eliska Prochazkova nga Universiteti i Leiden. – Edhe nëse nuk i regjistroni me vetëdije këto ndryshime shumë të vogla, truri dhe trupi juaj i përpunojnë ato në mënyrë të pandërgjegjshme dhe kjo bën që rrahjet e zemrës dhe djersitja e duarve të sinkronizohen me ato të partnerit”.
“Edhe nëse dikush mund të duket i përsosur me ne, për shembull në Tinder – vëzhgoi Eliska Prochazkova -, ne mund të mos ndjejmë asgjë kur takojmë personin në jetën reale. Kjo mund të ndodhë për shkak të faktit se tërheqja nuk bazohet thjesht në një model ideal që ka krijuar truri ynë, por mbi të gjitha, mbi një ndjesi instinktive që përjetojmë kur jemi me të”.
Sinkronizimi fiziologjik midis nënave dhe foshnjave të tyre
Disa studiues, në hulumtimet e mëparshme, kanë vërejtur gjithashtu një “sinkroni fiziologjike” midis nënave dhe foshnjave të tyre ndërsa luajnë së bashku dhe sugjeruan se ky sinkronicitet mund të ndihmojë në forcimin e lidhjeve shoqërore në përgjithësi. Në vend të kësaj, studimi i ri tregon se çfarë ndodh, në një nivel më të thellë biologjik, kur dy njerëz ndiejnë tërheqje të ndërsjellë, “por – tha studiuesi, – ne kemi nevojë për më shumë kërkime për të shpjeguar se cili është mekanizmi themelor i rënies në dashuri. Ajo që e ndez këtë ndjenjë mes dy njerëzve mbetet ende një nga misteret e pazgjidhura të shkencës”.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi Today.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.