*Lumturi Sinani, Psikologe Klinike
Periudha e shtatzënisë dhe lindja e një fëmije është gjëja më e mrekullueshme që mund të ndodhë tek një grua. Gjatë këtij proçesi gruaja përballet me ndryshime që janë jo vetëm fizike por edhe psikologjike, gjithashtu ndodhin ndryshime në aspektin social. Ndodh që gratë në këtë periudhë mund të harrojnë se ku e kanë vendosur një produkt të caktuar, emra apo data sepse përqendrohen më shumë tek nevojat e fëmijës së porsalindur. Pse ndodh kjo?
Shumica prej nesh janë të njohur me termin “Mom brain” ose “Truri i nënës”, që përshkruhet si harresa që përjetojnë shumë gra shtatzëna dhe nëna të reja. Truri është si në mjegull, i ngarkuar dhe i fokusuar plotësisht tek nevojat fizike dhe emocionale të fëmijës.
Studimet kanë treguar që truri i një nëne të re, pëson ndryshime të rëndësishme që ndihmojnë në përgatitjen e gruas për mëmësinë dhe për të nxitur një lidhje të shëndetshme me fëmijët e tyre. Gjithashtu kjo vjen si pasojë e ndryshimeve hormonale gjatë shtatzënisë, lindjes dhe gjidhënies. Nënat fillojnë të harrojnë shumë dhe truri është si në mjegull. Studimet tregojnë se pjesa e trurit që është përgjegjëse për kujtesën (hipokampusi) zvogëlohet dhe pjesa përgjegjëse për emocionet (Amigdala), kjo sepse e ndihmon më shumë nënën të fokusohet tek nevojat e fëmijës së saj. Pra nënat mund të harrojnë gjërat më bazike por nuk harrojnë asnjëherë nevojat e fëmijëve të tyre deri në detajet më të vogla.
“Mom brain” është një gjendje normale dhe e natyrshme, megjithëse askush nuk dëshiron që të jetë një person që nuk mban mend emra, data apo se ku e ka vendosur një send të caktuar. Duke u bazuar tek studimet e kryera, pasqyrojmë dhe disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e “Mom brain”.
Ndryshimet hormonale: Estrogjeni është mbrojtës dhe mbështetës i funksionit kognitiv dhe bie ndjeshëm pas lindjes.
Çrregullime të gjumit: Zgjimi shumë herë natën dhe reduktimi i përgjithshëm i orëve të gjumit çojnë në, vështirësi në përqendrim, kujtesë dhe impulsivitet.
Shqetësime psikiatrike: Profesionistët e shëndetit mendor po bëhen më të vetëdijshëm për përqindjet e mëdha të nënave të reja që përjetojnë shqetësime psikiatrike perinatale. Dhe nuk është vetëm depresioni pas lindjes por mund të përfshihet Ankthi, PTSD Dhe OCD.
Besimet sociale: Mënyra sesi e shohin mëmësinë si një shoqëri mund të ndikojë në këndvështrimin e nënave, si ato mendojnë dhe ndihen.
Nënat e reja priren t’i përkushtohen kujdesit të fëmijës dhe në shumë raste, punës me kohë të plotë. Prindërimi intensiv inkurajon nënat të përballojnë deri në maksimum nevojat fizike dhe emocionale të foshnjës. Përpos përgjegjësive të tjera si, pastrimi i shtëpisë, marrëdhënia me partnerin, familjarët dhe shoqërinë, kjo gjë është dërrmuese për një nënë të re. Detyrat tejkalojnë kohën për t’i përfunduar ato dhe truri është i mbingarkuar.
Në studimet e kryera gratë raportojnë disa aspekte negative të trurit, si mjegulla e trurit, harresa, lodhja mendore. Qoftë fëmija i parë apo i porsalinduri i fundit në një familje në rritje, gratë prej vitesh janë ankuar për probleme të fuqisë së trurit. Gra të tjera raportojnë se kanë pësuar ndryshime pozitive. Për shembull, duke qenë se nënat e reja kanë më pak kohë për t’i kryer gjërat , kjo i inkurajon ato të bëjnë shumë detyra dhe ta përdorin kohën në mënyrë sa më efikase. Dhe si pasojë kjo i bën të ndihen produktive dhe sa më efikase.
Jo vetëm nënat shtëpiake por dhe ato që janë në punë raportojnë se ndihen më të motivuara dhe më kreative. Pra nuk duhet të fokusohemi vetëm në aspektet negative që pëson truri i një nëne, e rëndësishme është që çdo nënë duhet të pranojë ndryshimet duke u mrekulluar nga ardhja në jetë e fëmijës dhe të aftësohet për t’u kujdesur për një jetë të re. Nënat gjithashtu duhet të kenë prioritet rikuperimin e tyre dhe të lejojnë trurin të pushojë, të lidhen me mbështetjen sociale dhe të shijojnë fëmijët e tyre.
Nuk ka studime që tregojnë sesa mund të zgjasë kjo gjendje pra nëse amësia e ndryshon trurin përgjithmonë apo kjo është e përkohshme. Dr. Jessica Rohr thekson faktin që “Mom brain” mund të mos jetë një diagnozë zyrtare por është një gjendje shumë reale.
Të jesh nënë është ndjenja më e bukur në botë dhe truri është i zënë të ndihmojë që të jesh nëna më e mirë për fëmijën, fokusohu tek ndryshimet pozitive.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.