Lira Gjika, mjeke pediatre
Kur dëgjojmë shprehjen: “Është nënë” në mënyrë të vetvetishme e dimë se kjo nënë është grua, e martuar me bashkëshortin e saj, ka fëmijë, ka familje dhe shtëpi. Fjala Nënë përmbledh në vetvete konkreten dhe abstrakten. Nëna nuk është e vetme: ajo përfshin në vetvete dy figura: burrin dhe gruan, nënën dhe babanë. Ajo është figurë e dyfishtë.
Nëpërmjet dashurisë së pakushtëzuar nëna të jep jetën dhe sigurinë kundrejt asgjëje si shpërblim. Të rritësh një jetë brenda vetes, ta ushqesh me qumështin që prodhohet nga qenia e më pas t’i mësosh fjalën, t’i japësh sigurinë për të folur dhe ecur, t’i mësosh kënaqësinë e të qenit i lirë, t’i mësosh kënaqësinë e të jetuarit, t’i tregosh se jeta të jepet vetëm një herë dhe se është vetëm e jotja; të gjitha këto e kanë burimin tek nëna. Është detyrë e nënës, por me një kusht “fare të vogël”: të jenë akte dashurie dhe jo sakrifice.
Ku e gjen nëna gjithë këtë energji për të ndihmuar një jetë tjetër që ajo të “bëhet”? Tek dashuria për jetën, dashuria për partnerin që e bën të ndihet vitale, femër, grua, nënë e realizuar dhe e dashuruar.
Nëna është më shumë sesa një qenie, është më shumë sesa një vend. Nëna duhet të jetë paqe. Nëna dhe frika janë dy gjëra të kundërta që s’kanë asgjë të përbashkët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.