Në psikologji, një nga qëndrimet më të dëmshme për zhvillimin personal dhe marrëdhëniet ndërpersonale është ajo që njihet si sindroma e vetë-meritimit (ang. self-entitlement syndrome). Kjo sindromë i referohet një sistemi besimi në të cilin një individ mendon se është i veçantë, mbi të tjerët dhe se bota ose njerëzit përreth i detyrohen diçka, pa ndonjë arsye reale apo meritë të justifikuar.
Kjo lloj mendësie është e përhapur në forma të ndryshme, nga sjellje të vogla përçmuese, deri te qëndrime arrogante që shkaktojnë konflikte serioze në punë, në marrëdhënie intime apo edhe në shoqëri.
Çfarë e shkakton sindromën e vetë-meritimit?
Shkaqet e kësaj sindrome janë të ndërlikuara dhe shpesh të lidhura me:
Rritje të tepërt me përkëdhelje dhe pa kufij në fëmijëri
Mungesë vetë-reflektimi ose vetëdijeje emocionale
Narcizizëm ose çrregullime të tjera të personalitetit
Shoqëri që nxit konkurrencën ekstreme dhe ndjesinë e epërsisë
Në një mjedis ku shpeshherë suksesi matet me dukje dhe jo me përpjekje, është e lehtë që individi të zhvillojë një ndjenjë të shtrembëruar të së drejtës ndaj gjithçkaje. Ja cilat janë shenjat që tregojnë se dikush mendon se bota i detyrohet diçka:
1.Pret të trajtohet me përparësi pa kontribuar
Këta individë presin që të trajtohen më mirë se të tjerët, në radhë, në punë, në marrëdhënie, familje, edhe kur nuk kanë bërë asgjë për ta merituar këtë trajtim të veçantë.
2.Reagon keq ndaj kritikës
Kritika, qoftë edhe konstruktive, shihet si ofendim. Ata nuk pranojnë të jenë gabim dhe shpesh e kthejnë vëmendjen te fajësimi i të tjerëve.
3.Ka pritshmëri joreale nga të tjerët
Individët me vetë-meritim shpesh presin që njerëzit rreth tyre të jenë gjithmonë të gatshëm t’i ndihmojnë, t’i përkrahin ose t’i tolerojnë, pa kthyer asgjë në këmbim.
4.Nuk ndjen falënderim apo mirënjohje
Kur u ofrohet ndihmë apo përfitime, ata e marrin si të mirëqenë. Nuk shfaqin falënderim sepse besojnë se këtë e meritojnë natyrshëm.
5.Manipulojnë për të marrë atë që duan
Në mungesë të meritës, përdorin taktika manipulimi, fajësimi ose ndjeshmëri të shtirur për të marrë favore ose vëmendje.
6.Krahasohen vazhdimisht me të tjerët
Janë në konkurrencë të përhershme. Nëse dikush tjetër ka sukses, ata ndihen të fyer ose të kërcënuar.
7.Dështojnë të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme
Vetë-meritimi shpesh i bën të pamundur për të ndërtuar lidhje të balancuara. Marrëdhëniet e tyre karakterizohen nga pritshmëri të njëanshme dhe zhgënjime të vazhdueshme.
Pasojat psikologjike të sindromës së vetë-meritimit
Kjo sindromë nuk dëmton vetëm të tjerët, ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për vetë individin:
Vetmi dhe izolim social
Pakënaqësi kronike me jetën
Dështime të përsëritura në marrëdhënie
Vështirësi në zhvillim personal dhe profesional
Me kalimin e kohës, individi përballet me një realitet që nuk përputhet me pritshmëritë e tij, çka sjell zhgënjim dhe stres emocional.
Si trajtohet?
Për fat të mirë, kjo sindromë mund të menaxhohet dhe ndryshohet, nëse personi pranon problemin dhe është i gatshëm të punojë me veten. Disa nga hapat e dobishëm përfshijnë:
Psikoterapia, veçanërisht terapia kognitive-biheviorale (CBT)
Praktika të vetë-reflektimit, si ditari emocional
Ushtrimi i empatisë dhe ndërtimi i aftësive të dëgjimit aktiv
Vendosja e objektivave reale dhe ndjekja e përpjekjeve të sinqerta për t’i arritur
Në përfundim, sindroma e vetë-meritimit është një pengesë e heshtur që ndikon negativisht jo vetëm tek individin që e përjeton, por edhe tek njerëzit përreth tij. Duke e kuptuar këtë qëndrim dhe duke reflektuar mbi sjelljet që e shoqërojnë, secili prej nesh mund të ndërtojë një marrëdhënie më të shëndetshme me veten dhe të tjerët.
Në fund të fundit, askush nuk i detyrohet askujt asgjë, çdo gjë fitohet me përpjekje, respekt dhe përulësi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.