Mirëqenie

July 14, 2016 | 9:10

Çfarë është Vegan raw?

Vegan raw është një version i ri i dietës vegjetariane, në të cilën përveç produkteve shtazore që nuk konsumohen (mishi i kuq, mishi i pulës, peshku, qumështi me nënproduktet e tij dhe veza), të gjitha ushqimet duhet të jenë të pagatuara, si dhe nuk duhet të konsumoni kafe dhe sheqer. Filozofia e dietës bazohet te mendimi se nëse ushqimet gatuhen në temperaturë më të lartë se 50oC, humbasin një pjesë të vlerave ushqyese dhe kryesisht të enzimave që janë të domosdoshme për aparatin tretës, por dhe në tërësi të organizmit tonë. Ndaj, nëse i konsumojmë të pagatuara plotësisht, do të kemi shëndet fizik dhe mendor më të mirë. Është vënë re se personat që e kanë aplikuar kanë pasur një përmirësim në memorien e tyre, një mirëqenie, ulje në peshë, imunitet më të mirë, ulje të kolesterolit, pakësim të dhimbjeve të kokës. Gjithashtu, largon dhimbjet e kokës dhe dhuron lëkurë dhe flokë të shëndetshëm. Çfarë ushqimesh mund të përdorim në dietën Vegan raw! Dieta bazohet kryesisht te frutat, perimet, si dhe sallatat, por të lëngshme, fara të ndryshme si liri, susam ose gjalpë susami, bajame, qumësht bajameje, qumësht arrë kokosi, fruta të thata si arra, lajthi etj. Buka duhet të jetë vetëm me miell susami apo brumë bajameje dhe fara të tjera të ndryshme. Gjithashtu mund të përdorni mjaltë, erëza të ndryshme, por dhe legume, të cilat më parë duhet t’i lëmë në një vazo me ujë dhe pambuk derisa të mbijnë dhe më pas t’i përdorim për sallatë. Ekzistojnë libra dhe faqe të ndryshme në internet me receta të dietës Vegan raw, ku nuk mungojnë as ëmbëlsirat, as supat, por dhe alternativa të ndryshme pa fund për kombinimin dhe përpunimin e tyre.

A mund të jetë e rrezikshme?

Pavarësisht teorisë se duke u gatuar frutat dhe perimet humbasin një pjesë të vlerave ushqyese, duhet të themi se disa substanca shumë të dobishme për shëndetin tonë përthithen më mirë me gatimin. Likopeni dhe karotinoidet, antioksidues shumë të fuqishëm dhe të domosdoshëm, kanë më tepër vlerë kur gatuhen me vaj ulliri. Dieta është mjaft e varfër me proteina dhe ndikon në masën muskulore duke e atrofizuar atë. Çdo dietë vegjetariane është e rrezikshme për personat, të cilët e kanë nivelin e hekurit shumë të ulët, ndaj për vitaminën B12 duhet të marrim suplement, pasi kjo vitaminë ndodhet te mishi i kuq. Duhet të kemi parasysh se ushqimet gatuhen edhe për arsye se ulin nivelin e baktereve dhe mikroorganizmave të ndryshme.

Një vakt në ditë si Vegan raw

Çdo dietë ofron mundësi të pafundme ushqimesh, ndaj nga secila prej tyre mund të përdorim një vakt në menynë tonë ditore. Vera është një nga stinët kur trupi ynë ka më shumë nevojë për hidratim dhe ushqime të lehta për t’u tretur, të pasura me antioksidues, për të mënjanuar efektet negative që vijnë nga ekspozimi në diell, por edhe për të pasur një peshë më të mirë trupore. Stina e verës ka plot mundësi me fruta dhe perime, të cilat nuk duhet të mungojnë në tryezën tuaj. Zëvendësojeni drekën ose darkën me një sallatë me perime të pagatuara, me fruta, fara të ndryshme, fruta të thata, erëza dhe vaj ulliri dhe do të ndiheni plot energji. Gjithashtu, për t’u hidratuar mund të konsumoni lëng frutash dhe perimesh, por edhe qumësht bajamesh ose arre kokosi.

1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top