Të zgjedhësh, i ndërgjegjshëm për vështirësinë, ta zotërosh atë, është liria me madhe e që njeriu prek. Kjo është liria në luftë. Liria jashtë luftës është indiferencë. Indiferenca në jetë është një gjendje shpirtërore fluturuese, ikën sa hap e mbyll sytë dhe nuk të futet në kujtesë. Ajo kthehet në më të shumtën e rasteve kundra teje, sepse njeriu gabon kur vepron, por ai gabon ndoshta më shumë kur nuk vepron.
Nga Dr.Kujtim DRISHTI, mjek
Së pari, kjo këshillë fsheh brenda vetes dëshirën tuaj: për t’i dhënë fund një marrëdhënie toksike, prandaj ju i jepni vlerë të madhe dhe e shpërndani këshillën. Por nëse njeriu toksik është njeriu juaj më i afërt? A ka vlerë kjo këshillë në këtë rast? Sepse t’i largohesh një njeriu të panjohur, që rasti ta nxori përballë në rrugë, kjo këshillë nuk ka asnjë vlerë. Po sikur njeriu toksik të jetë babai, nëna, vëllai apo motra? Pyesni një nënë nëse kjo formulë ka vlerë nëse njeriu toksik është fëmija e saj? Atëherë ju do të kuptoni relativitetin e kësaj këshille, sepse do ta vini toksicitetin përballë dashurisë së nënës.
Së dyti, kjo këshillë shpreh një ndër të metat themelore të shkollës klasike tradicionale, e cila jua ka hedhur vështrimin analizues vetëm jashtë vetes: fizika, matematika, natyra, biologjia, historia…. Pa e kuptuar ju jeni deklaruar Zoti që gjykon gjithçka sipas ndjenjave tuaja.
Së treti, kjo këshillë fsheh një filozofi të njëfarë psikologjie, që i këshillon fëmijës një shkëputje nga prindërit pa nuancë, sepse prindërit janë burimi i të gjitha deviacioneve shpirtërore të njeriut, sepse që njeriu të jetë i lirë nuk duhet të jetë i kondicionuar, sepse kondicionimi duhet të zgjidhet në liri të plotë të individit të lirë, prandaj prindërit janë deri armiqtë e lirisë tuaj. pa bërë analizën e këtij pozicioni, ne mund të shkojmë në themel e të pyesim: Por a mund të zgjidhet kondicionimi? Njeriu, thoshte Spinoza, e ndjen veten të lirë përsa kohë që është i aftë të zgjedhë, por ai nuk i ka zgjedhur kurrë konditat që e kondicionojnë, pa dijen e tij. Dhe dija e tij nuk është kurrë absolute.
Së katërti, kjo thënie mbi njeriun toksik dhe arratisjen prej tij, fsheh një rrymë të njohur filozofike, ku liria e individit vihet në piedestal mbi lirinë e shoqërisë dhe asnjëherë ballë për ballë. Sipas kësaj filozofie, shoqëria nuk ekziston. Ajo që ekziston është vetëm njeriu, liria e tij dhe përgjegjësia e tij për veten. Me vetëm njeriun e lirë në piedestal është ndërtuar shoqëria e sotshme moderne. Por duket se kjo nuk e ka bërë shoqërinë të ekuilibruar. Kjo filozofi është një filozofi pragmatike dhe në esencë idealiste, sepse ajo nuk e merr parasysh që qenia njerëzore është një produkt thellësisht shoqëror.Neuroshkencat, me në krye neuroshkencën konjitive, nuk pushojnë sot së provuari këtë tezë çdo ditë.
Shkenca e biologjisë ka provuar se jeta është një luftë kundra vdekjes, se kjo luftë shikohet në realizimin e ekuilibrit të parametrave biologjikë. Psikologjia moderne dhe filozofia materialiste njohin faktin që vetë jeta është një stres që nga fëmija që qan kur ndryshon ambientin, del nga barku i nënës jashtë në një temperaturë që nuk njeh, në decibel më të lartë, e të tjera.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.