FB

December 19, 2023 | 6:08

Çfarë janë prindërit “helikopterë”? Po ju ku bëni pjesë?

Prindërit helikopterë janë ata prindër që janë “shumë pranë fëmijëve të tyre” dhe që i ndihmojnë të kalojnë çdo pengesë që u del përpara, sidomos në shkollë. Prindërit helikopterë janë gjithnjë mbi fëmijët e tyre dhe mundohen të kujdesen për nevojat e tyre. Pavarësisht nevojës së fëmijëve, mundohen të zgjidhin të gjitha problemet që ata kanë, shpesh para se këto probleme t’u paraqiten.

Helicopter parenting

Çështja është pa dyshim problematike, jo vetëm sepse është baza e ndërtimit të një personaliteti të pasigurt të fëmijës, por edhe sepse është një lloj sjellje tiranie nga ana e prindërve. Një fëmijë i rritur me një “ndihmë” të vazhdueshme (edhe kur nuk ka nevojë) nga ana e prindërve, në fakt ka tendencën më pas të konsiderojë gjithçka si një detyrë e të tjerëve kundrejt tij, detyrë e shokëve, e shoqërisë, e botës. Veç kësaj, sipas teorisë së prindërve helikopterë, “super babai dhe super nëna”, e kanë shndërruar në një obsesion dëshirën për të regjistruar fëmijët në një nga universitetet më të mira të botës. Duan t’i shohin në universitetet më të mira edhe nëse nuk janë edhe aq të prirë për të studiuar.

Përkundrazi, pikërisht për këtë arsye: druhen se pa një diplomë “top”, fëmijët e tyre do të jenë pas në këtë botë gjithnjë e më konkurruese. Vetëm se në këtë mënyrë i shtyjnë fëmijët drejt tensioneve të mëdha: drejt një dere të hapur kundrejt frustrimit dhe trishtimit. Rezultati? Shumëfishimi i rasteve të abuzimit me ilaçe, studentë të shkatërruar që nuk munden të kapin ritmin, të rinj në krizë, sepse janë të paaftë të përcaktojnë identitetin e tyre. Të groposur në malin me lodra, rroba, aparatë fotografikë, kompjutera, telefona apo playstation, shumë fëmijë përfundojnë më pas të përfshihen nga ankthi i suksesit që gllabëron prindërit e tyre.

Çfarë nuk shkon në sistemin e prindërve helikopterë, apo në praninë e fortë të prindërve në zgjedhjet dhe në jetën e fëmijëve “në v ështirësi”? Ajo që nuk funksionon është pikërisht projektimi i ambicieve të pamata për fëmijët, duke menduar më shumë për betejën e karrierave se sa për rritjen e tyre emotive. Ndërtimi i personalitetit të tyre, përfshirja në aktivitete dhe përgjegjësitë familjare janë më të rëndësishme se sa ndërtimi i një rruge drejt Harvardit që në periudhën kur fëmija shkon në kopsht.

Gjëja më e rëndësishme që duhet t’i jepni fëmijëve është vetëdija, besimi i palëkundur te vetja.

Tregojani rrugën fëmijëve, edhe duke dhënë ju të parët shembullin tuaj. Edukojini fëmijët me dashuri Njerëzit duhet të luftojnë për betejat e tyre në çdo fazë të zhvillimit. Prindërit nuk mund t’i mbrojnë përgjithmonë fëmijët, sepse herët a vonë ata duhet të përballen me frikërat dhe të bëjnë gabimet e tyre në jetë.

Detyra e prindërve është ajo që t’i drejtojnë fëmijët dhe t’i ndihmojnë të zgjidhnin problemet, dhe jo t’i zgjidhin ata në vend të tyre. Nëse marrim mbi shpatulla të gjithë peshën e formimit të fëmijëve, nuk do të rrisim njerëz të përgatitur për të përballuar jetën, por njerëz të paaftë në nivel emotiv. Ka momente kur duhet thjesht të presim degën dhe të lejojmë që fëmijët të fluturojnë me krahët e tyre.

Në fund… Në një familje ku ekziston mirëkuptimi, dashuria, harmonia e ku dialogu është përherë i gjallë, nuk ka shanse që prindërit të largojnë vëmendjen nga fëmijët, por mbi të gjitha të largohen nga njëri-tjetri si partnerë. Është një detyrë e vështirë të mundesh t’i menaxhosh të dyja rolet, ndaj partnerët duhet të jenë të aftë të gjejnë kënaqësinë në një marrëdhënie të pjekur pasionante e sentimentale, duke i dhënë vlerë projekteve të përbashkëta. Duhet të jenë bashkë në një projekt, të kenë objektiva, interesa, qëllime që i bashkojnë anëtarët e familjes, si: të rrisin mirë fëmijët, t’i drejtojnë ata drejt studimit, të kenë një shtëpi të bukur, të realizojnë pritshmëritë e tyre në punë e jo vetëm.

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top