Shpërthimet emocionale (ose “emotional triggers”) janë reagime të menjëhershme, të pavetëdijshme, ndaj situatave që na kujtojnë përvoja të dhimbshme të së kaluarës. Ato janë si një alarm i trurit që sinjalizon rrezik emocional, edhe kur rreziku real nuk ekziston. Disa prej shkaqeve më të zakonshme përfshijnë ndjesinë e:
Mosvlerësimit apo shpërfilljes
Kritikës apo gjykimit
Kontrollit të tepruar
Braktisjes
Pasigurisë emocionale
Tradhtisë apo padrejtësisë
Shembull: nëse dikush të ndërpret kur flet, mund të ndihesh si fëmija që nuk dëgjohej kurrë — një ndjesi që të shpërthen përtej asaj që situata kërkon realisht.
Si funksionon truri gjatë shpërthimeve emocionale?
Truri ynë ka disa pjesë kyçe që përfshihen në këto reagime:
Amygdala: aktivizon reagimin “lufto ose ik”, si një alarm që ndizet menjëherë.
Korteksi prefrontal: është pjesa logjike që përpiqet të na qetësojë, por shpesh “humb betejën”.
Hippocampus: kujton përvoja të ngjashme nga e kaluara dhe e thellon reagimin emocional.
Neurotransmetuesit: si serotonina e dopamina ndikojnë në ndjeshmërinë emocionale.
Kur një situatë e tanishme i ngjan një traume të kaluar, amygdala reagon menjëherë, para se të mendojmë qartë. Kjo është arsyeja pse reagojmë tepër emocionalisht ndaj situatave që, objektivisht, nuk janë aq të rënda.
5 strategji për të menaxhuar shpërthimet emocionale
Ndalo dhe merr frymë
Një pauzë dhe disa frymëmarrje të thella aktivizojnë sistemin qetësues të trupit. Shembull: para se të reagosh ndaj një koment sarkastik, merr frymë thellë për 4 sekonda, mbaje për 4, dhe nxirre për 4 sekonda.
Sfido mendimet e tua
Pyes veten: “Po reagoj ndaj kësaj situate apo ndaj një përvoje të kaluar?” Nëse po përdor fjalë si “gjithmonë” ose “kurrë”, ndoshta je duke e ekzagjeruar. Pyet: “A ka ndonjë shpjegim tjetër më të arsyeshëm për këtë situatë?”
Praktiko vetëdijen
Vetëdija është çelësi për të mos vepruar në mënyrë automatike. Meditimi, joga dhe ushtrimet e përqendrimit në momentin aktual ndihmojnë për ta parë situatën me qetësi dhe për të mos u lëshuar menjëherë në reagim.
Kërko mbështetje
Terapia mund të ndihmojë për të kuptuar rrënjët e reagimeve emocionale dhe për të zhvilluar strategji të reja përballjeje. Por kujdes: analiza e tepërt pa veprim nuk të çon askund — qëllimi është vetëkuptimi, jo fajësimi.
Zhvillo mekanizma të shëndetshëm përballjeje
Vendos praktika të shëndetshme në jetën tënde si:
Leximi i materialeve frymëzuese
Ditari emocional
Aktiviteti fizik
Bisedat me miq të besuar
Gjumi i mirë dhe ushqimi i shëndetshëm
Meditim dhe vendosje kufijsh të qartë
Përfundim
Shkaktarët emocionalë mund të kthejnë situata të zakonshme në drama të panevojshme. Por duke i kuptuar ata dhe duke praktikuar strategjitë e duhura, mund të rifitosh kontrollin mbi emocionet e tua. Çdo herë që ndalon para se të reagosh, po thyen një model të vjetër dhe po ndërtosh një version më të qetë e të vetëdijshëm të vetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.