Një përqafim është një manifestim i dashurisë dhe afërsisë dhe mund të përdoret për të demonstruar ose theksuar emocione të ndryshme, nga butësia, te miqësia, dashuria dhe simpatia, deri te rehatia. Por a janë njësoj të gjitha përqafimet? Shkenca thotë jo.
Një grup studiuesish nga Universiteti Ruhr i Bochum-it, Gjermani, pasi kanë ekzaminuar rreth dy mijë përqafime në situata dhe kontekste të ndryshme kanë arritur në përfundimin se zakonisht preferohet përqafimi nga e djathta, por nëse dikush përqafon nga e majta, ka më shumë përfshirje emocionale.
Aeroporti, pika e vrojtimit
Për të kryer hetimin e tyre, studiuesit ekzaminuan rreth një mijë përqafime të shkëmbyera në një aeroport gjerman si në zonën e nisjeve ashtu edhe në atë të mbërritjeve, me synimin për të vëzhguar dhe dalluar përqafimet e motivuara nga emocione të ndryshme, trishtimin kur largoheni, deri te lumturia kur ktheheni. Megjithatë, për të studiuar përqafimet neutrale, autorët e studimit vëzhguan videoklipe të më shumë se 500 përqafimeve të aktorëve që u jepeshin të panjohurve. Dhe në fund përmes një testi ata u kërkuan 120 personave të përqafonin një manekin.
Roli i trurit
“Ky mekanizëm varet nga ndikimi i hemisferës së djathtë të trurit e cila kontrollon anën e majtë të trupit dhe përpunon emocionet pozitive dhe negative”, shpjegon Julian Packheiser, autori kryesor i studimit të botuar në revistën mjekësore Psychological Research.
Burrat preferojnë të majtën
Sipas të dhënave, studiuesit kanë treguar kështu se përqafimet e dhëna në të majtë ndodhin më shpesh në situata më tërheqëse, qofshin ato pozitive apo negative. Përjashtimi i vetëm që vihet re është në përqafimin mes dy burrave, i cili fort tenton t’i jepet të majtës edhe në situata të konsideruara “neutrale” dhe, për rrjedhojë, jo emocionale. Siç shpjegon Sebastian Ocklenburg, i cili mori pjesë në hulumtim, “interpretimi ynë është se shumë burra i konsiderojnë përqafimet me njëri-tjetrin si negative, dhe për këtë arsye priren t’i perceptojnë ato si negative edhe nëse situata dhe konteksti janë neutrale”.
Përqafimi stimulon prodhimin e oksitocinës, hormonit të ndjenjës së mirë dhe ul nivelin e kortizolit, hormonit të stresit.
Burimi / https://humanum.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.