FB

September 2, 2025 | 9:30

Çfarëdo që të bësh, bëje me pasion!

Nëse e do diçka, bëje me pasion. Nëse punon për diçka, jepi shpirtin. Nëse pikturon, vallëzon apo shkruan, bëje me pasion. Nëse merresh me sport, jep më të mirën nga vetja. Mos harro: pasioni është energjia e jetës tënde. Çdo gjë që bëhet me pasion, të jep ndjesinë e përmbushjes dhe të bën të ndihesh i lumtur.

grua-pushtet

Shpesh në jetë bëjmë gjëra thjesht nga detyrimi, nga frika apo për të kënaqur të tjerët. Por kur bëjmë diçka që na frymëzon vërtet, ndjejmë një lloj gëzimi dhe gjallërie që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Pse të mos ndjekim atë që na emocionon vërtet?

“Asgjë e madhe nuk është bërë ndonjëherë në botë pa pasion.” – Friedrich Hegel

 

Gjej një punë që e do me shpirt

Një nga pyetjet më thelbësore që duhet t’i bësh vetes është:

“A është kjo puna që dua me të vërtetë?”

Nëse që të dielën ndihesh në ankth për ditën e nesërme, ndoshta nuk je në vendin e duhur. Puna na merr një pjesë të madhe të jetës, ndaj është thelbësore të ndjehemi mirë dhe të kemi ndjesinë se po japim diçka me vlerë – për të tjerët dhe për veten tonë.

Shumë njerëz ankohen për punën, por pak guxojnë ta ndryshojnë. Të qëndrosh në një vend që nuk të përmbush, edhe kur ke mundësi të ndryshosh, është një formë tradhtie ndaj vetes. Në shumicën e rasteve, ajo që na ndalon është frika – një frikë që shpesh nuk ka baza reale.

“Duhet ta dashurosh jetën – pa drama, me çmenduri dhe pasion.” – Federico Moura

Për të gjetur punën që do, mëso si të përballesh me frikën. Ëndrrat e tua ndodhen në anën tjetër të saj. Pranoje frikën, shih atë që mund të ndodhë më keq, dhe ec përpara me guxim. Vetëm kështu do e ndërtosh jetën që do.

 

Rretho veten me njerëz të pasionuar

Kur duam të ndryshojmë diçka në jetë, një punë që s’na pëlqen apo një rrugë që nuk na bën të lumtur, fillimi më i mirë është të kërkojmë njerëz që na frymëzojnë dhe që ndajnë të njëjtin pasion. Ata na mbështesin, na japin energji dhe na shtyjnë përpara. Ndonjëherë të afërmit nuk e kuptojnë pse duam të ndryshojmë, sidomos nëse kemi një pagë të mirë apo një vend të “sigurt”. Por jeta është e jona, jo e tyre. Ata që na duan vërtet, do ta respektojnë vendimin tonë, edhe nëse nuk e kuptojnë menjëherë. Dhe, me kohë, do ta vlerësojnë.

 

Gjej atë që të bën të lumtur

Çfarë të emocionon? Çfarë të bën të zgjohesh çdo mëngjes me dëshirë? Pikërisht ajo është rruga që duhet të ndjekësh.

Zbulo gjërat që të ngjallin entuziazëm: provo kurse, bisedo me njerëz që ndjekin pasionet e tyre, lexo, mëso, eksploro. Me kohë, do ta kuptosh më qartë se çfarë dëshiron në të vërtetë.

 

Mëso të ndash pasionin tënd me të tjerët

Kur ndjek pasionin tënd, entuziazmi të përshkon të gjithin dhe reflektohet tek të tjerët. Njerëzit e ndiejnë dhe frymëzohen prej teje. Ndoshta në rrugën tënde do takosh dikë që dëshiron të ndryshojë, por ka frikë. Aty është momenti yt për t’i treguar që është e mundur, me guxim, pasion dhe besim.

Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të bukur se të jetosh me pasion, sepse aty gjendet kuptimi i jetës: të jesh gjallë me gjithë qenien tënde.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top