Marie Vernet, bashkëshortja e stilistit anglez Charles Frederick Worth (“babai i Haute Couture” – “Rrobaqepësisë së Lartë”) ka qenë modelja e parë në Historinë e Modës.

Francezja Marie Vernet (1825-1898) është e konsideruar si modelja e parë në historinë e modës.
Ajo qe martuar me Charles Frederick Worth, me të cilin qe njohur në një boutique pariziene pëlhurash, ku punonin së bashku, ai si nëpunës e ajo vetë si shitëse.
“Dy zemra e një “Maison”- Shtëpi mode.”
Zeshkane, me shtat të bëshëm, Marie nisi që të prezantojë veshjet e krijuara nga i shoqi, në mjediset e brendshme të punishtes së modës ku ata të dy punonin, duke bërë paradë mode, që t’i njihnin klientët.
Të mahnitura nga pamja e saj fizike, përtej faktit se po u ofrohej mundësia për t’i vëzhguar ato veshje nga afër, në lëvizje e sipër, klientet morën pjesë në mënyrë të vazhdueshme e të rregullt në ato sfilata dhe insistuan që ky çift të hapte një Shtëpi mode të vetën në 1858-ën.
Kësisoj, në vend që t’ua dërgonte nëpër shtëpi veshjet e porositura klienteve, Worth i ftonte ato në atelier-in e vet parizien, për t’i parë krijimet direkt të veshura aty fillimisht nga e shoqja e më pas edhe nga modelet e tjera.
Me Worth-in, moda hyri në epokën moderne, edhe për faktin se ai shpiku “katër stinët” ose më mirë katër koleksione vjetore.
Grua sipërmarrëse.
Në vijim, veprimtaria dhe fama e Worth-it u shtuan në mënyrë të pamasë e Marie vazhdoi të punojë si modele, së bashku me modelet e tjera.
Vetëm se, edhe si grua sipërmarrëse, u përkujdes veçanërisht që ta administronin baras me të shoqin Shtëpinë e Modës, duke u shndërruar në një ambasadore të veshjeve që prezantonte ndaj klienteve apo nëpër ballo ose evente të ndryshme.
Burimi: Revista Focus
Përktheu e përpunoi Adela Kolea
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

