FB

September 9, 2024 | 7:53

“Citimet pa kriter mbi fotografitë në rrjetet sociale.”

 

Në ç’mënyrë, mekanizmi i citimeve mbi fotografi nëpër rrjetet sociale është duke shkatërruar hijeshinë e klasikëve të mëdhenj, ndërmjet miklimit ndaj sipërfaqësores dhe nevojshmërisë për t’u dukur me çdo kusht.

foto-rrjete-sociale

Tërheqës, aforizmi.

Stimulon mjaft lehtë oreksin në qiellza të ndryshme, të qerasur mbi një pjatë prej një të vërtete, të servirur në format “nouvelle cuisine.”

Dhe, duke vijuar me metaforën gastronomike, në çorbën e madhe të rrjeteve sociale, ku nevojshmëria për t’u dukur dhe vazhdimësia e pandalshme për të marrë miratime, përbëjnë kripën dhe piperin e jetës, sigurisht, të asaj të mitizuar e shpalosur në ekranet e smartphone-ve tanë, e ai që s’ka asgjë për të thënë nga ana e vet, mundëson faktin që, për atë vetë të flasë Aristoteli, Horaci, Bukowski, Alda Merini e të tjerë.

“Perla” të tilla letrare, të sjella kompakte, të ngjeshura e të reduktuara në atë formatin e përshtatshëm sa për post-im dhe që shpesh përmbajnë plagë të mirëfillta tmerresh, shkaktuar prej gabimesh trashanike ortografike nga ana e dikujt që ndoshta, në jetë të vet s’ka shfletuar ndonjëherë një libër, rezultojnë si të dekontekstualizuara krejtësisht, me pasojë, çnatyrimin dhe banalizimin e përmbajtjes së tyre reale.

Si rrjedhim, Charles Bukowski, ai më i vëni në shënjestër në web, shprehjet e të cilit, si rrëmbyese like-sh/ pëlqimesh, janë nga ato më të inflacionuarat për të vënë në kornizë një shkrepje fotografike çasti, vinte me një largpamësi gati- gati profetike shprehur nga ai vetë, si: “Lexuesit marrin prej autorit apo prej një libri, vetëm atë çka u nevojitet dhe pjesën që mbetet, e anashkalojnë…”

Ose kur thoshte: “Problemi i një aforizmi është se ai mund të shndërrohet fare lehtë në një gjysmë të vërtetë, në një mashtrim, një gënjeshtër apo një cliché banale përgjithësuese.”

Dhe ky, duket se qe fati që i takoi për paradoks atij vetë apo disa kolegëve të tij të përndritur.

Prirja për ta reduktuar mendimin e autorëve të mëdhenj në fjali të shkurtra, të thjeshtëzuara, ama plot efekt, reflekton nevojshmërinë e një përmbushjeje të menjëhershme, që qëndron në bazën e kulturës sonë aktuale, e prirur që të favorizojë atë sipërfaqësoren, duke penalizuar thellimin, analizimin.

Në epokën digjitale bashkëkohore, shpejtësia, me të cilën marrim informacione frenetike rezulton tip “kafsho e mbathja vrapit”, që ofron përmbushje apo përfitime emotive – e jo vetëm emotive – të menjëhershme por, ama sipërfaqësore.

Që kur rrjetet sociale kanë bërë atë shfaqjen e tyre, njerëzit vrapojnë që të gjejnë, për fotografitë e veta që do të publikojnë, didaskalinë “e duhur”, a thua se thjesht një pjatë sallatë apo prapanica e djersitur e dikujt që ushtrohet në palestër, në fotografi u dashka që doemos të shoqërohen me një mendim filozofik të përpunuar.

Është njëkohësisht e vërtetë se aplikimi i citimeve ekzistonte që para risisë “internet”, dhe nëse i përdorur me vend, citimi mbi një publikim shërben për t’i dhënë autoritet asaj çka po shprehet, madje përkufizon një farë niveli kulture, që stimulon përsiatjen, duke ftuar pikërisht që të thellohemi mbi atë opinion që ajo shprehje koncize mbart.

Por, sot në të kundërt, mbizotëron prirja për t’i përdorur këto citime pa kriter në rrjete sociale, për t’i shtuar vetes tonin, autoritetin, për t’u dukur të kulturuar, gjë është ndryshe nga të qenit realisht të kulturuar, si diçka shtesë mbi pamje apo fotografi, postime, që s’kanë të bëjnë fare me atë shprehje.

Thjeshtëzimi, banalizimi, keqinterpretimi, janë tashmë pasojat përkeqësuese të nxitura nga kjo qasje “kafsho dhe mbathja vrapit!”

Dhe ja që, “carpe diem” horacian (Odi I,  11), – “Kape ditën/çastin”, i dekontekstualizuar dhe i reduktuar në një slogan të thjeshtë, zbrazet nga thellësia e mendimit të autorit të vet, që ofronte një reflektim shumë më tepër kompleks dhe me nuanca.

Ajo sentenca e njohur e Decimo Giunio Giovenale (Sat. X, 356), “mens sana in corpore sano” – “mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë”, përdoret si didaskali nga kush fotografohet në poza plastike si statujë greke, ku ajo “guaska kockore e breshkës” në bark, e vënë në dukje qëllimisht dhe shpesh, e realizuar nga një mendje jo automatikisht e shëndoshë, paraqet atë pikën “G” sensuale e të shumëkërkuar për ta identifikuar personin ekskluzivisht nëpërmjet saj.

Lokucioni “una tantum”, që nënkupton “një herë të vetme”, shpesh keqinterpretohet dhe serviret në të kundërtën, si “shpeshherë.”

As që është e vërtetuar që Galileo Galilei të ketë shqiptuar shprehjen “e pra, ajo lëviz” ose ky citim është thjesht një trill dhe, ç’të shtojmë më akoma mbi autorin e lartpërmendur, Charles Bukowski, i cili nëpër rrjetet sociale konfigurohet e sheqeroset si “Poet i Dashurisë”, sigurisht i dobishëm për homologimet e didaskalive mbi fotografitë që publikohen por, tërësisht shtrembëruar, nëse konsiderohet ndërkohë që ai ka titulluar një përmbledhje poetike “Dashuria është një qen që vjen nga Ferri” – 1977, ose që ka shkruar “dashuria është si një cigare me filtër, e futur në gojë dhe e ndezur nga ana e gabuar.”

D.m.th një autor krejt ndryshe nga ata të mesazheve të ëmbla dashurore të gjendur me letër brenda çokollatave “Baci” – “Puthje”, marka Perugina.

Djallosen në këtë mënyrë, jo aq citimet në vetvete, se sa dekontekstualizimi i tyre dhe banalizimi, aspekte këto që hasin terren pjellor nëpër platformat e krijuara posaçërisht (siç e rrëfen dhe dokumentari “The social Dilemma”), për shpejtësinë, rrjedhshmërinë, kthimin në virale, në atë formatin “lexim një minutësh”, në brendi të të cilëve, çnatyrohen nga kuptimi i tyre real, duke u kthyer në një xhingël zbukuruese estetike shtesë e aksesor mbi foto, se sa një ftesë për reflektim të thellë mbi to, një instrument rrëmbyes pëlqimesh, i dobishëm për të përmbushur atë kërkimin egoist për të qenë të pëlqyer menjëherë, tërheqës me shpejtësi, që nxit drejt një konsumimi të rrëmbyer, me vërtik e sipërfaqësor informacionesh, duke penalizuar mendimin e thelluar e me nuanca të ndryshme.

Një kërkim i dëshpëruar aprovimesh pra, ku ego personale është e shpaguar në përpjesëtim të drejtë me numrin e “zemrave” simbolike të përfituara apo me numrin e ndjekësve të arritur, ku duket se gjoja, ai popullariteti publik përcaktohet nëpër rrjete sociale, pikërisht nëpërmjet shkrepjeve të shpeshta fotografike, të shoqëruara me citime të pavend, nëpërmjet të cilave, krijojmë iluzionin se e paraqesim si më lirik atë planin e parë të fotografimit të të prapmeve apo si më poetike atë “guaskën e breshkës” së barkut të dikujt që merret me palestër.

 

 

Nga Stefania Mastrosimone.

Burimi revista “Vanilla Magazine”

Përktheu e përshtati nga italishtja, Adela Kolea.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top