Tërbimi i çlirimit nga muajt e mbylljes nga pandemia dhe problemet socio-ekonomike dhanë rezultatin që pritej. Atë që do të ndikonte në sjelljen e njeriut, që i mësuar në një liri të jashtëzakonshme, iu desh të përballej me esktremin, mbylljen. Ja se çfarë kanë thënë mjekë të shëndetit mendor në kulmin e pandemisë dhe bllokimit social në shtëpi, me rrezikun që na kanosej, përtej izolimit.
Nga Orjona Tresa
Një javë e frikshme, me humbje të konsiderueshme jetësh njerëzore, më shumë sesa do të na trembte në pikun e tij vetë Kovidi. Një familje me katër anëtarë u shua nga tërbimi djaloshar i një të riu, i cili për të kapërcyer limitet e adrenalinës falë makinës me superfuqi që zotëronte, i mori jetën një familjeje të re. Ngjarja ndodhi në autostradën që lidh Levan-Vlorë; katër persona të tjerë në pikun e plazhit grinden për një shezlong në Velipojë të Shkodrës, dhe përfundojnë të vrarë; pa llogaritur plagosjet me dashje për një klient më tepër, rasti i dy taksistëve në Sarandë, ku njëri prej tyri nxjerr sëpatën për ta ndëshkuar me jetë ‘rivalin’ në profesion, porse përfundoi duke i prerë gishtat; aksidente në Elbasan e Tiranë gjithashtu, ku për mosrespektim të rregullave të qarkullimit rrugor, pesë persona janë dëmtuar.
Të gjitha ngjarjet brenda një harku kohor prej dy ditësh, pa renditur ato në fillim të muajit, ku marrja e jetës në dyert e shtëpisë u kushtoi jetën shumë të tjerëve. Ja se çfarë kanë thënë mjekë të shëndetit mendor në kulmin e pandemisë dhe bllokimit social në shtëpi, me rrezikun që na kanosej, përtej izolimit. Zëri i tyre është përcjellë nga media të ndryshme.
Një kryetitull që vlen të sjellim parasysh: “Zemra dhe truri më të prekurit nga pandemia, pasojat edhe tek të rinjtë”.
“Pasi kalohet sëmundja, ose në fazat e fundit të saj, për shkak të çrregullimeve që jep, janë shumë të shpeshta rastet e pacienteve që kalojnë ishemi apo hemorragji cerebrale”, thotë Entela Basha, mjeke neurologe, QSUT. Por komplikacionet post-Covid dhe fatalitet prej tij nuk njohin moshë. Mjekët thonë se problemet e zemrës dhe krizat e tensionit po i ndeshin edhe tek të 20-25-vjeçarët. “Kemi pasur shumë raste me pacientë me prekje të cipave të zemrës, sasi të shtuar të ujit në zemër, prekje të muskulit të zemrës, aritmi dhe kriza hipertensive”, thotë Taulant Gishto, mjek kardiolog në QSUT. Problemet më të mëdha vihen re te personat që e kanë kaluar Covid-in në forma mesatare dhe të rënda. Mjekët këshillojnë kryerjen e disa vizitave të nevojshme post-Covid. Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç janë më të rrezikuar nga komplikacionet e zemrës dhe të trurit. Por, në këtë periudhë pandemie, dhe pas problemeve që shfaq Covid-19, pasojat po shfaqen edhe tek të rinjtë. (Ornela Joti, A2 CNN, 21 shkurt 2021)
Në një tjetër artikull të publikuar në Radio Evropa e Lirë shkruhet: “Pandemia infekton shëndetin mendor!”
“Pandemia e COVID-19 ka qenë dhe mbetet një faktor stresues që ka shkaktuar traumatizimin e popullatës dhe ka dëmtuar shëndetin e saj mendor në Kosovë”, thotë neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë.
“Personat që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mjaft raste kanë mbetur me pasoja që manifestohen me frikë dhe drojë”, thekson Fahri Drevinja, neuropsikiatër i pensionuar, por që vazhdon punën në një klinikë private në Prishtinë.
Psikologu Fitim Uka vlerëson se “situata që ka krijuar pandemia, ka shënuar rritjen e nevojës për shërbime psikologjike”. Sipas tij, bazuar në hulumtimet ndërkombëtare, prevalenca e ankthit dhe e depresionit ka prekur rreth 5 për qind të popullatës në mbarë globin, ndërkaq që çdo i treti person në botë ka treguar shenja të stresit akut, ankthit dhe depresionit. Në këtë pikë, sipas tij, përjashtim nuk bën as Kosova.
Sociologu Shemsi Krasniqi, thotë se “që nga fillimi i pandemisë COVID-19, shumëçka ka ndryshuar në sjelljet e përditshme të njerëzve”.
Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë, thotë se: “Traumatizimi po manifestohet me çrregullime të theksuar të ankthit, me çrregullim të gjumit dhe normalisht, ata kanë nxjerrë edhe problemet e veta në aspektin e neurologjisë. Sa i përket shëndetit mendor, stresi është faktori kryesor”.
Neuropsikiatri Fahri Drevinja, i cili pas pensionimit nga reparti i psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thotë se “pandemia COVID-19 ka ndikuar te shumica e njerëzve, duke e destabilizuar gjendjen shpirtërore, por edhe shëndetin mendor”.
Por, bazuar në përvojat tij të punës gjatë pandemisë, ai thekson që ndër personat më të goditur kanë qenë ata që kanë pasur, siç e quan ai, të fshehur ndonjë problem që godet shëndetin mendor.
“Njerëzit që ne i quajmë ‘potencialë’, që kanë pasur gjendje relativisht pa probleme, që e kanë disi atë sëmundjen e brendshme dhe ende të pashfaqur, tek ata ka ndikuar që ato sëmundje të keqësohet. Ato janë raste latente, raste joklinike, ku ende nuk është dukur sëmundja. Në këto rrethana të vështira, ato sëmundje janë aktualizuar”, tha Drevinja.
Një tjetër shkrim, studim i Mashable, i publikuar në muajin prill në revistën Monitor shkruhet se: “Një në tre të mbijetuar nga Covid-19 kanë probleme psikiatrike deri në gjashtë muaj”.
Është një nga studimet më të mëdha të kryera (deri më tani) mbi efektet mendore që lë Covid-19, i cili ka zbuluar se personat që shërohen nga virusi rezultojnë të vuajnë nga probleme psikiatrike ose neurologjike deri gjashtë muaj më vonë.
Studimi i botuar në revistën “Lancet Psychiatry” mori në vëzhgim të dhënat shëndetësore të mbi 23 mijë pacientëve që ishin rikuperuar nga Covid-19 dhe zbuloi se 34% e tyre kishin probleme neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve.
Sipas autorëve të studimit, kjo vërtetoi se pacientët me Covid-19 kishin më shumë gjasa të kishin pasoja psikike, (të lidhura me trurin) në krahasim me individët që vuanin nga probleme të tjera shëndetësore, si ftohja e zakonshme, probleme me frymëmarrjen, bajamet dhe laringiti.
Midis çështjeve të vëzhguara, më të zakonshmet ishin ankthi (17%) dhe çrregullimet e humorit (14%). 13% e individëve të marrë në studim raportuan se këto ishin diagnozat e para që lidheshin me shëndetin mendor.
Kur bëhej fjalë për çrregullime neurologjike si hemorragjia cerebrale (0.6%), goditja në tru (2.1%) apo edhe çrregullimet e kujtesës, numri i rasteve ishte më i ulët në krahasim me çrregullimet psikiatrike. Por studimi zbuloi se pacientët që kishin kaluar fazë më të rëndë të Covid-19 ishin ende në rrezik për të shfaqur probleme të tilla.
Studimi më pas ekzaminoi të dhënat e mbi 100 mijë pacientëve me grip dhe mbi 236 mijë pacientë me infeksione të tjera të traktit të frymëmarrjes, vetëm për t’i krahasuar ata me të sëmurët me Covid-19.
Krahasimet treguan se ata që vuajnë nga Covid-19 kishin 44% më shumë gjasa të përjetonin probleme neurologjike ose të shëndetit mendor sesa pacientët që kanë grip dhe 16% më shumë sesa ata që vuajnë nga infeksione të tjera të frymëmarrjes.
Studimi tregoi se 46% e pacientëve me Covid-19 që kishin nevojë për kura intensive patën të tilla shqetësime në një periudhë brenda gjashtë muajsh. Për shembull 2.7% e personave që përfunduan në repartet e terapive intensive pësuan hemorragji cerebrale – pak më shumë krahasuar me 0.3% e personave që nuk patën nevojë për kura intensive.
Ndër të tjera, thuajse 7% e pacientëve të infektuar me Covid-19 në terapi intensive pësuan hemorragji në tru. Në të kundërt, 1.3% e pacientëve që nuk patën nevojë për terapi intensive pësuan iktus (goditje në tru).
Për shkak të këtyre përfundimeve, autorët e studimit kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi pasojat e Covid-19 më shumë se sa thjesht në mirëqenien fizike. Paul Harrison, autori kryesor i studimit të Universitetit të Oksfordit tha se shumë prej shqetësimeve të vëzhguara ishin “kronike” dhe “për pasojë” sistemet e shëndetësisë kanë nevojë për burime për të përballuar nevojën e parashikuar, si në shërbimet e kujdesit parësor dhe dytësor.
Duke komentuar studimin, nga University College London, Jonathan Rogers shprehu këndvështrimin e tij se tani janë të nevojshme kërkime të thelluara mbi efektet në afat të gjatë të Covid-19 në shëndetin mendor dhe atë të trurit, duke marrë në konsideratë lidhjen e drejtpërdrejtë mes virusit dhe pasojave në tru që duhet të kuptohen plotësisht.
“Për fat të keq shumë nga çrregullimet e identifikuara në këtë studim priren të jenë kronike ose të përsëritura, kështu që ne mund të parashikojmë se ndikimi i COVID-19 mund të jetë me ne për shumë vite” – tha ai.
Në median Zëri i Amerikës u artikulli “Kostoja psikologjike dhe emocionale e shkaktuar nga COVID-19” citohet:
“Kur mendojmë për ngjarje që shpesh janë zanafilla e stresit, depresionit apo stresit pas traumatik, këto janë ngjarje të pazakonta, janë shqetësuese, të frikshme, janë ngjarje në të cilat ne ndjehemi të pafuqishëm dhe nuk kemi rrugëdalje. Pandemia i plotëson të gjitha këto kushte”, thotë Dr. Earta Norwood, psikologe me praktikë në Nju Xhersi dhe Virxhinia.
“Ne presim të ketë impakt, numër të madh sëmundjesh mendore. Ajo që njihet si psikiatria e krizave këtu në Shtetet e Bashkuara, tregon që çdo krizë e madhe globale, qoftë kriza (financiare) e vitit 2008, apo pandemitë e mëhershme, kanë ndikuar që frekuenca e sëmundjeve neuropsikiatrike të rritet proporcionalisht me krizën”, thotë Dr. Bashkim Kadriu, neuropsikiatër dhe hulumtues shkencor në Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor, në Bethesda të Merilendit.
Shkencëtarët thonë se ndikimet në shëndetin mendor të COVID-19-s mund të zgjasin edhe pasi të ketë mbaruar pandemia, jo vetëm për ata që kanë qenë të sëmurë por edhe për publikun e gjerë.
“Sa më i pafuqishëm ndjehet një person i ballafaquar, i përballur me këto kushte, aq më të rënda dhe më jetëgjata do të jenë pasojat që do të kenë muaj dhe vite më pas”, thotë Dr. Norwood.
Ajo shton se njerëzit po privohen nga kënaqësitë e vogla të jetës dhe nga ritet e traditat të rëndësishme, si lindjet, martesat, vdekjet. Dhe mbi të gjitha është mungesa e kthimit në ritmin normal të jetës.
Punonjësit e shëndetësisë janë më të ekspozuar se grupet e tjera dhe stresi i tyre është i shumëfishtë. Dr. Kadriu thotë se ai dhe kolegët e tij në Institutin e tij, po bën një studim pikërisht për pasojat tek ky grup.
“Studimet e mëparshme në Wuhan të Kinës ose në Evropë, tregojnë që mjekët ose infermierët që kanë punuar direkt me njerëz që vuajnë nga COVID-19, kanë shfaqur pasoja të rënda të shëndetit mental, ose shenja të rëndimit të gjendjes emocionale”.
Sipas një publikimi në Lancet Pschyciatric deri në 15 për qind e tyre ka shfaqur simptoma të rënda depresionit, ankthit ose çrregullimit me gjumë dhe deri 50-60 për qind e këtij grupi shfaqi simptoma të lehta, mesatare të depresionit dhe ankthit.
Ndërsa disa njerëz do t’i provojnë simptomat e ankthit, stresit post-traumatik dhe depresionit për herë, të parë, Dr. Norëood thotë se për ata që kanë vuajtur që më parë nga sëmundje mendore do të jetë më e vështirë.
Dhe Dr. Norwood, thotë se nëse ka një gjë të mirë që mund të dalë nga kjo situatë është pikërisht zbutja e stigmës dhe zhvillimi i një të kuptuari të vuajtjes së të tjerëve.
“Nganjëherë mendoj që kur përballemi me situata të vështira, situata ka një çmim dhe këtë çmim, vendosim vetë se si ta paguajmë. Mund ta paguajmë me dëshpërim, me stres, me izolim? Apo duke kërkuar ndihmë dhe ndoshta duke na ardhur pak turp që po kërkojmë ndihmë, por ndoshta thyerja e stigmës është më e mirë sesa dhimbja dhe trishtimi”, thotë ajo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.