Ata që infektohen nga koronavirusi, shpesh nuk shpëtojnë lehtë dhe shpejt prej tij. Një studim i fundit, ka arritur në përfundimin se tre nga katër pacientë të shtruar në spitalet Covid-19, vazhdojnë të shfaqin të paktën një simptomë të sëmundjes edhe gjashtë muaj pasi u sëmurën.
Ky është rezultat i një studimi të ri shkencor kinez, më i madhi i këtij lloji deri më tani, i cili konfirmon se shpesh “njerëzit e infektuar me Covid nuk shpëtojnë lehtë prej virusit”, shkruajnë mediat e huaja.
Studiuesit, të cilët botuan studimin në revistën mjekësore The Lancet, studiuan të dhëna nga 1,733 pacientë me një moshë mesatare 57 vjeç në Wuhan, kryeqendra e pandemisë.
Në studim u zbulua se 76% e pacientëve kishin një ose më shumë simptoma gjashtë muaj pas diagnozës fillestare të infeksionit.
Simptoma më e zakonshme është lodhja ose dobësia e muskujve (në 63% të pacientëve, pra pothuajse dy nga tre pacientë), ndërsa vështirësia për të fjetur ihte për 26% ose një në katër) dhe ankthi ose depresioni (në 23%).
Këto janë simptomat që raportohen më shpesh.
Pacientët të cilët u shtruan në spital në një gjendje më serioze dhe kishin nevojë për oksigjen ose provuan edhe intubimin, gjashtë muaj më vonë kishin dëmtime më të mëdha të mushkërive dhe vështirësi në frymëmarrje (përkatësisht 29% dhe 56% e pacientëve), si dhe probleme me veshkat (13% pacientët).
Studimi lë gjithashtu të hapur pyetjen se sa e mundshme është një ri-infeksion, duke pasur parasysh se studimi ka gjetur tek pacientë të infektuar më parë nivele më të ulëta të antitrupave neutralizues pas gjashtë muajsh (reduktim me 53%, pra më shumë se gjysma), krahasuar me fazën akute fillestare të infeksionit.
Mbetet në pikëpyetje të madhe se sa kohë mund të zgjasë faza e rimëkëmbjes pas një infeksioni serioz (i ashtuquajturi “Covid-19 i gjatë”).
“Për shkak se Covid-19 është një sëmundje kaq e re, ne vetëm tani kemi filluar të kuptojmë disa nga efektet e saj afatgjata në shëndetin e pacientit. Analiza jonë tregon se shumica e pacientëve vazhdojnë të jetojnë me të paktën disa nga efektet e koronavirusit pas daljes nga spitali, veçanërisht ata që kanë pasur një infeksion serioz”, tha Bin Kao, një profesor i pulmonologjisë dhe kujdesit intensiv në Universitetin Mjekësor Peoki në kryeqytet.
Burimi Panorama Online
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.