FB

November 8, 2022 | 8:37

Çrregullimet gjuhësore Psikologji-Sociale / Testi përcaktues i funksioneve psikomotorike dominante

Mjaft prindër por edhe të rriturit besonin se foshnjat kishin nevojë vetëm të ushqeheshin, të mos kishin ftohtë dhe të mos ishin të lagur. Disa njerëz mendonin se bebet nuk ishin në gjendje të mësonin gjë, para se të mbushnin pesë ose gjashtë muaj. Por doktorët në Shtetet e Bashkuara thonë se foshnjat fillojnë të mësojnë që ditën e tyre të parë. Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Fëmijës këtu në Shtetet e Bashkuara ka si qëllim të zbulojë se cilat përvoja mund të ndihmojnë zhvillimin e shëndetshëm tek njerëzit. Shkencëtarët e Institutit vënë re se mjedisi ndikon shumë tek bebet. Ata thonë se foshnja buzëqesh nëse e ëma bën diçka që i pëlqen atij. Bebja mëson që të marrë përkujdesjet maksimale duke buzëqeshur për të kënaqur mamanë e vet, ose persona të tjerë që kujdesen për të. Kështu bebet mësojnë të komunikojnë me qenie të tjera njerëzore.

000

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI

Studiuesit amerikanë thonë se kjo aftësi ekziston tek bebet që para se të lindin dhe se të sapolindurit mund të dallojnë tingujt që kanë dëgjuar që kur ishin në barkun e nënës. Studiuesit finlandezë kanë provuar se foshnjat mësojnë edhe duke fjetur. Ata kanë arritur në përfundimin se të porsalindurit mund të mësojnë të identifikojnë tinguj të ndryshëm ndërsa janë në gjumë. Kjo ndodh sepse një pjesë e trurit të tyre që quhet korteksi cerebral mbetet aktive gjatë natës. Korteksi është shumë i rëndësishëm për të mësuar. Kjo pjesë e trurit nuk është aktive tek të rriturit kur ata flenë. Shumë ekspertë thonë se vitet e para të jetës së një fëmije janë të rëndësishëm për gjithë zhvillimin e mëtejshëm.

crregullimet-e-te-folurit

Foshnjëria

Foshnjëria përfshin moshën nga 0 deri në 3 vjeç, e ndarë në dy periudha: a.“mosha e gjirit” 0-1 vjeç b. “foshnjëria” 1-3 vjeç.

Foshnjëria karakterizohet nga një zhvillim i shpejtë fizik nga ndryshimet cilësore në organizëm, veçanërisht në veprimtarinë e lartë nervore.

Fëmija i stadit të foshnjërisë (mosha e gjirit 0-1 vjeç), i porsalinduri ka vetëm ndijimet e të shijuarit dhe reagon ndaj ndryshimeve të temperaturës. Pas 3 muaj foshnja fillon të dallojë objektet. Në fund të vitit të parë fillonte ecë. Nis të shqiptojë fjalët që ka dëgjuar më shpesh

Atij i duhet të kapërcejë shumë vështirësi për t’u ambientuar me kushtet e reja të jetës dhe në veçanti, me mënyrën e re të të ushqyerit. Është periudha moshore e zhvillimit të madh fizik e ngritjes në këmbë dhe e hedhjes së hapave të para. Është mosha kur fëmija nis percepton, fillon e mban mend, kujton, përjeton ndjenja të larmishme, nis të kuptojë domethënien e fjalëve që i thonë të rriturit dhe në të njëjtën kohë fillon të belbëzojë fjalët e para. Kërkesa e natyrshme e foshnjës për mbresa të reja, për të fituar emocione e përshtypje të reja, përbën themelin për zhvillimin tek ai të kërkesës për të lëvizur, për të zotëruar dije e shprehi elementare.

Fëmija deri në moshën 1 vjeç mëson të rrokë objektet, fillojnë t’i zhvillohen format e thjeshta të të mësuarit në bazë të refleksit të kushtëzuar. Zërat e foshnjës fillojnë të marrin formë të artikuluar dhe shqiptojnë fjalët e para. Gjatë gjithë vitit të parë të jetës së njeriut ndodhin aq shumë ndryshime të shpejta dhe të rëndësishme, sa që nuk vihen re në asnjë periudhë të jetës.

Në moshën 2-vjeçare fëmija lëvizjet i bën më të bashkërenduara. Imitimi zhvillohet në mënyrë intensive. Fjalori aktiv i fëmijës përbëhet prej rreth 250 fjalësh. Shfaq interes për t’u marrë me lodra relativisht të ndërlikuara. Në moshën 2-vjeçare fiton shprehitë e para.

Në moshën 3-vjeçare te fëmija pesha e trurit trefishohet. Kujtesa forcohet. Vëmendja bëhet më e qëndrueshme, por ende nuk është e vullnetshme. Fjalori aktiv arrin në rreth 1400 fjalë, të folurit e fëmijës fiton nuanca gramatikisht më të sakta.

l

Çrregullimet gjuhësore

Çrregullimet gjuhësore komprometojnë aftësinë për të marrë, dërguar, përpunuar dhe kuptuar informacionin verbal, joverbal, grafik dhe simbolik. Ato mund të jenë të fituara ose të lindura dhe variojnë në shkallë (i lehtë, i thellë), në tip (mund të jetë i heshtur ose i manifestuar hapur), në kohë (mund të jetë i lindur ose i fituar), në shkak (mund të jetë parësor ose dytësor).

Në shumë fëmijë me çrregullime gjuhësore, gjuha është thuajse totalisht e munguar. Ata mund të diagnostikohen nga mjekët si afazikë. “Afazi“ do të thotë “pa gjuhë“, “humbje e gjuhës“. Afazia mbetet një nga çrregullimet më mistike neurozhvillimore, sidomos kur fëmija lind me paaftësinë për të prodhuar gjuhën. Prania e saj tregon se truri është dëmtuar/i pazhvilluar si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi. Fëmijët me afazi nuk arrijnë të flasin dhe/ose kuptojnë çfarë u thuhet. Ata bëjnë shumë përpjekje për të gjetur fjalët e duhura, por shpesh pa sukses. Në disa fëmijë, afazia prek si aftësinë për të folur, ashtu edhe aftësinë për të shkruar e lexuar. Ajo është shkaku i pamundësisë për të njohur simbolikën matematikore, apo për të bërë interpretimin e sinjaleve akustike dhe gjestikulative. Ajo e bën të pamundur interpretimin dhe ndërveprimin gjuhësor në kushtet e mungesës së dëmtimeve fizike të organit të dëgjimit.

Çrregullimet gjuhësore mund të vijnë edhe nga dëmtime të trurit gjatë aksidenteve, apo nga tumore a hemorragji në tru. Këto dëmtime manifestohen përmes çrregullimeve të të folurit, të zërit, gjuhës dhe të gëlltitjes e deri në ndërprerje të proceseve gjuhësore, mungesë e kujtesës, vëmendjes, përpunimit të informacionit, arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve. Jo rrallë, ato shoqërohen me hiperaktivitet, impulsivitet, mungesë të gjykimit social, mprehtësi të varfër, agresivitet dhe nevojë për t’u konfliktuar me të tjerët dhe për t’i dhunuar ata fizikisht.

Dëmtimet e komunikimit tek fëmijët me çrregullime gjuhësore janë të larmishme në varësi të vendit të dëmtimit të trurit. Në rastet më të rënda, (afazitë globale, të Wernicke apo Broca) vërehen mungesa totale e të folurit, mungesa totale e emrave, apo fraza pa kuptim ndërsa në rastet më të lehta, dëmtimet e të folurit dhe të kuptuarit janë minimale e manifestohen gjatë aktivizimit të proceseve të larta nervore (fëmijët nuk arrijnë të nxjerrin kuptimin nga pjesë të shkruara ose të dëgjuara, nuk kuptojnë metaforën, nuk operojnë me simbolet dhe abstraksionet, etj.).

Përgjithësisht, fëmijët me çrregullime gjuhësore kanë fjalor të reduktuar, përdorim të paqëllimtë të fjalëve, mungesë të fjalëve lidhëse në të folur, stereotipi, pauza të gjata në të folur, të folur të zvargur apo të nxituar, perifrazim, gabime morfologjike, përsëritje të lodhshme të fjalëve dhe mendimeve. Në rastet kur tek fëmija është dëmtuar hemisfera e djathtë, dëmtimet gjuhësore nuk janë aq të shprehura, po gjithsesi janë të pranishme. Prindi, mësuesi, a psikologu mund të vërejnë se fëmija neglizhon pjesën e majtë të trupit apo sendet në anën e majtë, duron temperaturën apo dhimbjen. Ai kritikohet shpesh si i ngathët, se nuk kontrollon veten/emocionet, se nuk motivohet të qëndrojë në detyrë deri në fund dhe se nuk ka gjykim të shëndoshë në favor të vetes. Çrregullimet gjuhësore pengojnë në gjetjen e dallimeve mes formave, figurave apo shkronjave. Madje ngatërrojnë edhe të afërmit e tyre. Dëmtimi i hemisferës së djathtë të trurit prek ndërveprimin gjuhësor. Të dëmtuarit në hemisferën e djathtë nuk arrijnë të kuptojnë mesazhet e nënkuptuara të gjuhës. Ata përpiqen të nxjerrin kuptimin e gjuhës nga shuma e thjeshtë e fjalëve të përdorura, duke mos shkuar dot deri tek kuptimi i metaforës, humorit, alegorisë, idiomave, kërkesave jo të drejtpërdrejta, etj. Kur lexojnë, fëmijët me dëmtime të hemisferës së djathtë të trurit kanë vështirësi në dallimin e fjalëve, në kuptimin e informacionit kompleks, vështirësi në shoqërimin e fjalëve me figurat, vështirësi në identifikimin e pjesëve dhe krijimin e së tërës. Në listën e dëmtimeve përfshihen edhe dëmtime të natyrës psikosociale si ndryshime të humorit, apatia, indiferenca dhe mohimi. Në mjedise të ngushta familjare, këta fëmijë e ndryshojnë në mënyrë drastike sjelljen, duke u bërë shumë të lodhshëm për familjarët dhe kujdestarët. Çrregullimet e humorit dhe veçanërisht depresioni besohet të bashkëshoqërojnë çrregullimet gjuhësore tek fëmijët me dëmtime të hemisferës së djathtë. Përkeqësime të tjera mund të jenë hemipareza (vështirësi në përdorimin e anësisë), hemiplegjia (paraliza e anësisë), epilepsia dhe mungesa e kontrollit mbi urinimin. Besohet se gjuha është funksion i hemisferës së majtë, por këto dëmtime tregojnë se hemisfera e djathtë nuk është indiferente ndaj të zhvillimit gjuhësor e as minoritet gri.

k

Test psikologjik

Korteksi cerebral dhe roli i hemisferave, duke iu referuar Psikologjisë konjunktive. Dihet se, korteksi ose Korja e trurit të madh, si pjesë përbërëse e tij është e ndërtuar prej 6-7 shtresave qelizore dhe ka si funksion kryesor përpunimin e informacionit që sjellin fijet nervore dhe fibrat e brendshme duke e përcjellë atë nga njëra pjesë e trurit në zonën tjetër. Pra, korteksi cerebral organizon dhe kontrollon funksionet ndijuese dhe motorike, por në mënyrë shumëpalëshe. Ky funksion i tij është i lidhur me regjistrimin e informative që sjellin fijet nervore nga sistemi i receptorëve brenda ose jashtë organizmit, përpunimi dhe organizimin e brendshëm mendor të informacionit si dhe përshtatjen e individit me kushtet e jetesës dhe të veprimtarisë.

 

Hemisferat cerebrale (hemisfera e majtë dhe ajo e djathtë)

Në tërësinë e tij korteksi cerebral ndahet në dy hemisfera të mëdha: Hemisfera e majtë dhe ajo e djathtë. Kjo ndarje është e lidhur me funksione të përcaktuara dhe të specializuara të tyre. Kështu, hemisfera e majtë në përgjithësi, siç përcaktojnë studiuesit, kontrollon anën e djathtë të trupit, ndërsa hemisfera e djathtë kontrollon anën e majtë të tij. Sipas mjaft studiuesve (Sperry, 1976 dhe levy, 1985), përveç funksioneve të veçanta, të dyja hemisferat integrohen në punën e tyre, pasi ato së bashku sidomos te qeniet njerëzore realizojnë funksionet më të larta të trurit që lidhen me të menduarin, me veprimet mendore dhe me arsyetimin. Në këtë këndvështrim shohim më konkretisht se:

Hemisfera e majtë, kryen më tepër funksione analitike dhe logjike, kontrollon shprehitë gjuhësore dhe kuptimin e fjalëve, shprehitë e leximit dhe të njësimit, pra njeriu nëpërmjet kësaj hemisfere tregohet më logjik dhe më i përqendruar.

Hemisfera e djathtë, është e lidhur më tepër me kontrollin e aktivitetit joverbal, të pamjeve të ndryshme, me veprime e aktivitete orientuese, hapësinore artistike e muzikore, me imagjinatën, me emocionet e të tjera, pra njeriu nëpërmjet kësaj hemisfere tregohet më intuitiv (spontan).

Të dyja hemisferat marrin informacion njëkohësisht dhe funksionojnë aftësitë njohëse të trurit në përgjithësi, duke kapërcyer në këtë mënyrë atë që quhet: “Sindroma e shkëputjes së hemisferave”. Kështu, sipas studiuesve, nëse ka dëmtim të hemisferës së majtë, subjektet kanë vështirësi në përpunimin e informacionit, në të mbajturit mend dhe në riprodhim informacionit, ngjarjeve e të tjera. Nga ana tjetër, nëse ka dëmtime në hemisferën e djathtë, individi ka më tepër vështirësi për të përpunuar dhe për të mbajtur mend informacione joverbale, për të krijuar imazhe, pamje të ndryshme, ka vështirësi orientuese gjatë njohjes, vështirësi për të shprehur emocionet e të tjera.

Këto aspekte funksionale të trurit njerëzor, kanë rëndësi të njihen, sidomos nga specialistët që merren me formimin dhe edukimin e fëmijëve por edhe të rriturve. E theksojmë këtë, pasi si rezultat i traumave psikike që në lindje dhe më vonë; si rezultat i aksidenteve të sistemit nervor, ku për pasojë sjellin vështirësi, gjatë të nxënit dhe këto vështirësi mund të lidhen para së gjithash edhe me funksionet e hemisferave cerebrale. Sigurisht që njerëzit e tillë duhet të trajtohen disi në mënyrë të veçantë.

f

Test

Për të përcaktuar se cila hemisferë është më dominante te njeriu!

Nr: Pyetjet për personin që do të testohet

Shpjegimet për hemisferën e majtë

Shpjegimet për hemisferën e djathtë

Rezultati: hemisfera e majtë

Rezultati: hemisfera e djathtë

 

1.Kur ecni në një sallë kinemaje, apo auditor, në cilën anë preferoni të kaloni, në anën e majtë apo të djathtë?

E majta ka dominante të djathtën

E djathta ka dominante të majtën

 

2.Kur bëni një provim, cilat pyetje preferoni, të hapurat apo të mbyllurat?

Pyetjet (po ose jo) të mbyllura

Pyetjet (të gjata) të hapura

 

3.A ju pëlqen që t’i mbani sendet personale në vendin e duhur, apo nuk iu kushtoni kujdes?

Në vendin e duhur

Nuk iu kushtoni kujdes

 

4.Kur mësoni një kërcim është më e lehtë për ju: të ndiqni udhëzimet e instruktorit, apo të ndiqni radhën e veprimeve dhe të flisni gjatë kërcimit?

Ndiqni udhëzimet e instruktorit?

Ndiqni radhën e veprimeve dhe të flisni gjatë kërcimit?

 

5.A mund ta tregoni orën edhe pa e parë atë, apo e shikoni me kujdes? E tregoni edhe pa e parë

E shikoni me kujdes

 

6.Kini më të lehtë të kuptoni algjebrën, apo gjeometrinë?

Algjebrën

Gjeometrinë

 

7.Kini më të lehtë të mbani mend emrat, apo fytyrat?

Emrat

Fytyrat

 

8.Preferoni t’i tregoni ndjenjat tuaja me anën e vizatimeve apo me anën e letrave?

Me anën e letrave

Me anën e vizatimeve

 

9.Kur dikush flet me ju, i kushtoni rëndësi asaj që thuhet, apo mënyrës se si thuhet?

Ajo që thuhet

Mënyra se si thuhet

 

10.Vendi ku ju studioni është i organizuar dhe i rregullt, apo nuk i kushtoni rëndësi ambientit?

I organizuar dhe i rregullt

S’i kushton rëndësi

 

11.Kur lexoni një libër, është më e lehtë për ju të fokusoheni në idetë kryesore, apo në detajet e tij?

Idetë kryesore

Detajet

 

12.Kur komunikoni me dikë, përdorni shumë xhestet (gjuhën e trupit)? Pozitivisht (po)

Negativisht (jo)

 

13.Ndjeheni më komod kur bëni gjëra që janë për të qeshur, apo kur:

Përcjell gjëra të mirëmenduara

Bën gjëra që krijojnë atmosferë për të qeshur

 

14.Procesi i të menduarit tek ju, është më i mirë në pozicionin shtrirë, apo duke qëndruar drejt?

Pozicioni drejt

Pozicioni shtrirë

 

15.Në matematikë për një problem të dhënë, jeni në gjendje të jepni përgjigjen e saktë, apo nuk e shikoni të arsyeshme të tregoni rrugën e zgjidhjes së tij?

Jeni në gjendje të jepni përgjigjen e saktë

Nuk e shikoni të arsyeshme të tregoni rrugën e zgjidhjes

Shuma e përgjigjeve për hemisferën e majtë dhe atë të djathtë

 

Shënim: Vlerësimi, për dominimin e hemisferave (e djathta apo e majta), te një njeri i testuar do të dalë, nga shuma e mbledhjes së përgjigjeve për çdo hemisferë. Pra, ajo që do të ketë më shumë vlerësime do të jetë dhe dominantja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top