Energjia që përcjellin gishtat dhe vetë duart njerëzore janë magjiplotë e çudibërëse. Ato janë plot jetë dhe tepër larg një mekanizmi të ndërlikuar me dioda e qarqe të integruara. Dhe veç kësaj, pas një masazhi të zhdërvjellët, nuk ka nevojë për medikamente me përmbajtje të lartë kimike, as rreze të çliruara përmes metalesh me përbërje uraniumi. Është trupi njerëzor, vetë truri i tij që përçon më shumë energji se atomet e bashkuara në një kapsulë metali.
Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ
“Dora” dhe gishtat e saj mund të bëjë gjithçka të mundshme, madje dhe atë që herë-herë cilësohet si e pamundshme. Padyshim që Perëndia pasi krijoi njeriun, e pajisi me sistemin inteligjent të trurit, me qëllim që mbi tokën e begatë, plot ujë e gjelbërim, ai të mund të bënte të tjera mrekulli. Dhe në vazhdimësinë e tij, ndikimi i Zotit mbi tokë është munduar ta përmbushë këtë mision. Sot teknologjia e përparuar, i vjen në ndihmë duarve dhe vetë sistemit inteligjent të trurit. Por fuqinë e dhjetë gishtave, të vëna në funksion, sa ndryshe aq dhe të njëtrajtshme, nuk ka teknologji që mund ta mundi.
Dhe nëse u duhet besuar mrekullive, ato janë të prekshme, sepse janë dy duar dhe dhjetë gishta, të ndihmuar dhe nga një aparaturë e teknologjisë së fundit, që ëndrrën e brishtë e krejt pesimiste, ta kthejnë në një realitet triumfues. E konceptuar më shumë se një qendër rehabilitimi, D.O.R.A Residence konsiderohet si e vetmja rezidencë e këtij lloji në Ballkan. Një qendër e mirëfilltë për të zhvilluar turizmin mjekësor.
Në jetë priremi nga situata, ngjarje apo njerëz, të cilët bëhen shtysë drejt një të ardhmeje që nuk e kishim menduar më parë. Si erdhi ideja e D.O.R.A Residence?
Ideja e D.O.R.A. Residence nisi si pasojë e disa takimeve komplet të rastësishme me Prof. Dr. Bachl, një nga mjekët më në zë të Austrisë dhe federatave botërore të sportit. Takimet me të, pasioni me të cilin Prof. Bachl fliste për rastet të cilat i kishte parë dhe rehabilituar, më frymëzuan dhe në të njëjtën kohë më bënë të mendoj se në Shqipëri, unë i pari, familja ime, të afërmit e të njohurit si dhe gjithë Shqipëria anembanë nuk kemi ku të shkojmë në rast se kemi nevojë për Rehabilitim. Dhe kështu nisi një projekt-ide, e cila më pas kaloi në shumë faza përpunimi e ndryshimi, deri sa arritëm në versionin final, ky që shikoni sot, kjo Residencë e quajtur D.O.R.A.
Keni zgjedhur një ambient larg ndotjes akustike dhe ajrore të Tiranës.
Nuk e mendoj kurrë që një njeri mund të rehabilitohet, si fizikisht apo dhe mendërisht, duke qenë në mesin e Tiranës, në zhurmën dhe pluhurin e saj. Në gjithë botën, qendra rehabilituese të tilla si D.O.R.A. Residence janë në mesin e gjelbërimit, larg qendrave të qytetit për të vetmen arsye: për të gjetur qetësinë shpirtërore, duke arritur dhe qetësinë fizike.
Si e bëtë konkret këtë mision, marrë parasysh ndërtimin jo vetëm arkitekturor, por mbi të gjitha përgatitjen e ambienteve terapeutike, si dhe sjelljen e pajisjeve më të fundit të teknologjisë?
Kjo që shihni Ju sot, është vetëm maja e ajsbergut. Përveç pjesës së ndërtimit, e cila e theksoj, ishte më e lehta, duke qenë se unë vetë jam inxhinier ndërtimi, janë mijëra orë kërkimore, qindra orë takimesh me firma austriake, gjermane, rumune e greke, vizita të shumta nëpër qendra të tilla në gjithë Europën, derisa vendosëm për finalizimin e projektit dhe realizimin e tij. Realizim i cili dhe gjatë rrugës ka pësuar ndryshime, por gjithmonë në idenë e përmirësimit të shërbimeve që ne ofrojmë dhe komoditetit të atyre që do të kenë nevojë të bëhen rezidente te D.O.R.A. për një afat kohor të shkurtër apo të gjatë.
Cila është motoja e D.O.R.A Residence?
Në fakt vetë D.O.R.A në sloganin e saj nënkupton: DASHURI, OPTIMIZËM, REHABILITIM, ALTRUIZËM. Ndërsa motoja që shoqëron çdo pacient është: “Always in good hands” – e cila reflekton atë që ne dëshirojmë për njerëzit të cilët do të vijnë në D.O.R.A. Residence, të dinë që do të jenë gjithmonë në duar të sigurta.
Si janë të organizuara shërbimet tek Ju?
Shërbimet tona janë të strukturuara, ashtu sikurse dhe Deklinimet e logos tonë që janë 4: Residenca, Rehabilitimi, Eventet Speciale si dhe Korporatat. D.O.R.A. Residence është pjesa që merret me akomodimin e rezidentëve, duke u krijuar atyre që do u duhet një kohë më e gjatë për t’u rehabilituar, kushtet perfekte për një qëndrim sa më komod e të pëlqyeshëm, diçka që vlen këtu për t’u theksuar, është kopshti i Rezidencës, i cili është kompozuar përpara se vetë D.O.R.A të ekzistonte.
D.O.R.A. Rehabilitation është pjesa bazë, ajo e rehabilitimit, e cila është e ndarë në 2 pjesë: Salla e Rehabilitimit – Një realizim Shqiptaro-Gjerman, me firmën ERGO-FIT GmbH, një prodhues pajisjesh rekuperimi mjekësor, të certifikuara nga gjithë shoqatat ndërkombëtare. Fizioterapia, pajisje e prodhuar në janar të 2019-ës, e cila ka shumicën e ambientit, duke qenë se duhet të ketë pjesë kompozuese – Dhomat e mjekëve, në të cilat do të kryhen vizitat dhe kontrollet e vazhdueshme, infermierinë – për raste të veçanta të nevojave të rezidentëve tanë dhe dhomat e fizioterapisë – të krijuara sipas normave dhe standardeve europiane, me aparatura të teknologjisë së fundit, që sigurojnë rezultate maksimale për ata që kanë pasur nevojë dhe gjatë marrjes së shërbimit, kanë përftuar rezultate të shkëlqyera.
D.O.R.A. Special events – Është një pjesë e veçantë e Rezidencës, që do të ndihmojë me gjithë gjelbërimin masiv, fantastik, ushqyerjen si dhe relaksim e rezidëntëve. Veranda D.O.R.A. ka pamjen më mahnitëse të liqenit të Farkës.
D.O.R.A. Corporate – e vetmja pjesë e cila ka të bëjë me biznesin në Rezidencën tonë, sepse krijon kushte për organizime të seminareve dhe trajnimeve të specializuara, jo vetëm për nevojat tona, por dhe për ata që duan të bëjnë një Team-building/seminar/ trajnim jashtë por shumë afër qendrës së zhurmshme të Tiranës.
Stafi është një shtyllë bazike për trajtimet shëndetësore, ndërsa kjo e drejtë kërkon njerëz profesionistë dhe të përditësuar të fushës. Si funksionon tek ju?
Duhet ta pranoj, fillimi ishte goxha i vështirë. Kemi pasur mbi 100 të intervistuar, të gjithë fizioterapistë të diplomuar në universitetet shtetërore apo ato private, me apo pa eksperienca pune të mirëfillta. Shumica prej tyre nuk kanë punuar ndonjëherë në profesionin e tyre. Ata që kanë punuar, kanë punuar si vullnetarë ose nëpër klinika të vogla private. Përzgjedhja qe shumë e vështirë, por mendojmë se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Ata që arritëm t’i veçonim, i kemi trajnuar me pedagogë e fizioterapistë të kualifikuar, por gjithmonë të ardhur nga jashtë Shqipërisë, Austri, Gjermani, Rumani, duke qenë se ne kemi fatin e keq të mos kemi degë Fiziatër në Universitetin Mjekësor. Për vetë faktin që aparatura që ne përdorim është fjala e fundit e teknologjisë, kemi pasur mbështetje të plotë nga Firmat ERGO-FIT dhe Amistim Medical Equipment, për trajnimin e stafit tonë. Trajnimi është realizuar me doktorë gjermanë, rumunë, austriakë dhe grekë.
Cila është procedura e planifikimit dhe rehabilitimit terapeutik nëse dikush vjen i interesuar tek Ju?
Nëse dikush është i interesuar për rikuperim mjekësor, duhet të bëjë një planifikim, të sjellë komplet dokumentacionin mjekësor, si dhe diagnozën e mjekut specialist. Ne me stafin tonë, në krye Dr. Mirjam Prifti, mjek me përvojë 30-vjeçare në Spitalin Qendror në Athinë, realizojmë një vlerësim të gjendjes dhe japim protokollin e nevojshëm në bazë të qëllimit apo qëllimeve që do të ketë rezidenti. Pas fazës së parë të protokollit, bëhet një rivlerësim i situatës dhe vendoset nëse ka më nevojë për vazhdimësinë e protokollit imediat apo në një fazë të ardhshme.
Si klasifikohet marrja e shërbimeve sipas nevojave?
Në bazë të nevojave të secilit, ne kemi mjekë të sferave të ndryshme me të cilët bashkëpunojmë, qofshin ata mjekë të përgjithshëm, ortopedë, traumatologë, urologë, neurologë apo nutricionistë. Kohëzgjatja varet në bazë të diagnozës që duhet rikuperuar, ndërsa për sa i përket terapive, ato vendosen nga fizioterapistët tanë.
Cili është kapaciteti për të mbuluar kërkesat e të interesuarve?
D.O.R.A. Residence ka një kapacitet prej 150 shtretërish, të organizuara në bazë të nevojave të secilit, akomoduar në 54 suita me nga 2 dhoma gjumi dhe 3 shtretër.
Pjesë e terapisë dhe rehabilimit janë edhe mjediset, akomodimi, bari dhe restoranti. Do të jetë një shërbim paketë me gjithçka të përfshirë?
Koncepti i D.O.R.A. Residence është një koncept si turizmi mjekësor le t’i themi, pra nëse dikush do të ketë nevojë të jetë këtu 24 orë në 7 ditë në javë, normalisht që duhet t’i krijojmë kushtet më të mira për qëndrimin e tij. Kjo do të thotë që duhet të ketë mundësinë dhe të ushqimit, në bazë të vlerave nutricioniste të duhura, të mund të pijë një kafe në kopshtin apo verandën tonë, si dhe t’i mundësohet lëvizja në qendrën e Tiranës, qoftë për një vizitë në një muze apo për të parë një shfaqje në teatër dhe në zonën malore në malin e Dajtit.
Nga prezantimi juaj do të jetë më shumë se një qendër rehabilitimi. Çfarë e bën më speciale rendjen drejt D.O.R.A residence?
Mjekët tanë që vijnë nga Europa dhe shqiptarë (nga disa shtete të europës), nga konstatimi i tyre rezulton se: D.O.R.A. Residence është qendra e vetme në Ballkan, me standarde dhe aparatura të tilla.
Ku po shkon o inxhinier?
Kam studiuar dhe punoj si inxhinier ndërtimi prej 42 vitesh, ku kam drejtuar dhe ndërtuar qindra objekte ndërtimi, mijëra apartamente dhe njësi tregtare dhe dhjetëra komplekse shërbimi si në Shqipëri dhe Ballkan. Para disa vitesh më lindi ideja të ndërtoj një Qendër Rehabilitimi që t’u shërbejë vendit e popullit tim dhe sot kjo DËSHIRË u bë REALITET!”
Msc. Rezarta BREGU
Lindur në Tiranë, vendosur që në moshë të vogël në Bukuresht, Rumani, ku dhe
arsimohet. Fillon karrierën atje për të vazhduar më pas të punojë në projekte të
biznesit familjar jashtë Shqipërisë dhe kthehet në Tiranë, pas 22 vitesh, në Janar të vitit 2019 për të ndihmuar në organizimin dhe drejtimin e D.O.R.A. Residence.
Dr. Mirjan PRIFTI
Bio Dr. Mirjan Prifti, lindur në Tiranë. Mbaron fakultetin e Mjekësisë në vitin 1983 dhe punon si mjek ortoped në Klinikën Universitare Ortopedike deri në vitin 1990. Vendoset në Athinë si pjesë e stafit të spitalit KAT për 2 vjet. Nga viti ‘92 deri në vitin ‘97 punon në ASKLIPIO VOULAS. Në vitin ’97 specializohet në Mikrokirurgji dhe Ekstremitetet e Sipërme dhe që atëherë punon në IATRIKO KENDRO ATHENS, ndërkohë që nga viti 2010 është pjesëmarrës në organizimin dhe punën e grupit Ortopedik të spitalit HYGEA. Me fillimin e funksionimit të Residencës D.O.R.A., është pjesë shumë e rëndësishme e stafit tonë, duke qenë se mban nën drejtim pjesën e Rehabilitimit dhe Fizioterapisë.
Si u bind Doktor PRIFTI të bëhet pjesë e D.O.R.A. Residence: Është një qendër bashkëkohore, mbase dhe përpara kohës për sa i përket tregut në Shqipëri dhe Ballkan. Aparaturat që përdoren janë të një kualiteti të lartë dhe një teknologji shumë e avancuar. Stafi i zgjedhur, shumë mirë i përgatitur, por dhe i trajnuar për teknologjinë dhe metodologjitë e reja që përdoren në fushën e rikuperimit mjekësor. Z.Prifti: Me teknologjinë e avancuar të aparaturave dhe stafin tonë të përgatitur dhe të përditësuar do të jeni gjithmonë “NË DUAR TË SIGURTA”
K-Laser
Laseri më i avancuar dhe efikas në treg. Mjet ideal për trajtim të dhimbjeve akute apo kronike, inflamacionit nëpërmjet rritjes së aktivitetit vaskular dhe metabolik. K-Laser është efektiv në rehabilitimin sportiv, trajtimin e frakturave, traumave të indeve të buta, gjithashtu të ligamenteve, tendinave në fazën post operatore. K-Laser mundëson trajtim special dhe të dedikuar në menaxhimin e këmbës diabetike.
Storz
Shockwave ose e thënë ndryshe, terapia me valë goditëse është një terapi jo invazive, e cila trajton patologjitë e ndryshme muskulo-skeletike si Lrogger point, fashit plantar, tendinit, kalcifikime, osteofite, etj. Kjo është një nga aparaturat që jep efekt që në trajtimin e parë.
Magnetoterapia
Terapi me valë magnetike. Kjo pajisje është e përbërë nga aparatura për trajtim të patologjive të sistemit muskulo-skeletal dhe karrigia për trajtimi të inkontiniencës urinare. Magnetorterapia përdoret në fazën akute dhe kronike të patologjisë, por gjithashtu është shumë efikase në trajtimin e frakturave gjatë imobilizimit në gibs. Karrigia për inkotiniecën urinare mundëson forcim të muskujve të dyshemesë pelvike. 30 minuta trajtim është e barabartë me 12 mijë kontraktime të muskujve të dyshemesë pelvike, d.m.th. me 12 mijë ushtrime Keggel.
Dr. Alfred Moisiu
Ushtarak karriere, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-president i Republikës së Shqipërisë
“Rehabilitimi pranë ‘D.O.R.A Residence’ dha rezultate të shpejta tek unë në pak ditë. Nuk e kisha imagjinuar që për një dëmtim serioz të gjurit, për gjashtë ditë të ndihesha mjaft mirë. Falë stafit të përkushtuar dhe aparaturave moderne, që më në fund janë edhe në Shqipëri, iu riktheva aktivitetit tim fizik në kushtet e mëparshme. Tani, çdokush që mund të ketë probleme që kanë nevojë për terapi-rehabilitim, e kanë më të lehtë zgjidhjen, ashtu siç besova edhe unë shërimin falë mikpritjes së ‘D.O.R.A Residence’.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.