FB

September 12, 2026 | 17:30

5 vite “Ikigai”, filozofia që për Melisa Shehun u bë rrugëtim profesional dhe njerëzor

 

Pesë vite më parë, Klinika Psikoterapeutike Ikigai lindi nga një vizion: të krijonte një hapësirë ku bota e brendshme e njeriut të trajtohej me të njëjtin seriozitet me të cilin kujdesemi për shëndetin fizik. Sot, Melisa Shehu reflekton mbi një rrugëtim ku dija profesionale është thelluar nga përvoja njerëzore dhe ku psikoterapia kuptohet përtej simptomës: si një takim me historinë, kompleksitetin dhe potencialin e njeriut për ndryshim.

da312f1e-d9e7-457e-a3c4-01e3b3c22b3b-1

 

Intervistë me Melisa Shehu

 

Klinika Psikoterapeutike Ikigai shënon 5-vjetorin. Si e përshkruani këtë rrugëtim profesionalisht dhe njerëzor?

“Ikigai” është shumë më tepër sesa një hapësirë profesionale, është mishërimi i një filozofie që kam ndërtuar ndër vite. Në 11 vite përvojë si psikoterapiste, kam kuptuar se psikoterapia nuk është arti i dhënies së përgjigjeve, por i krijimit të kushteve që njeriu të mund të dëgjojë veten me një thellësi tjetër. Ky profesion më ka mësuar përulësinë përballë kompleksitetit njerëzor. Më ka bërë më reflektuese, më të kujdesshme dhe më të vetëdijshme se ndryshimi i qëndrueshëm nuk imponohet, ai ndërtohet. Sot e shoh “Ikigai” si vazhdim të kësaj filozofie: një vend ku njeriu mund të ndalet, të kuptojë veten dhe të krijojë një marrëdhënie më të vetëdijshme me jetën e tij.

 

Në këtë rrugëtim bashkëpunoni me Doris Alliu. Çfarë vlere ka sjellë ajo në “Ikigai”?

Doris ka një profil që e vlerësoj veçanërisht për formimin akademik, disiplinën intelektuale dhe seriozitetin profesional. Ajo ka një marrëdhënie të vazhdueshme me dijen: studion, kërkon, reflekton dhe nuk kënaqet me përgjigje të gatshme. Ajo që e dallon është ndërthurja e rigorozitetit profesional me inteligjencën emocionale. Njohuritë nuk i përdor si një strukturë të ngurtë, por si një bazë për të kuptuar më thellë individualitetin e personit.

Të dyja jemi të specializuara në BrainWorking Recursive Therapy (BWRT®️) në Londër, dhe ky formim i përbashkët ka krijuar mes nesh një dialog të pasur profesional. Shkëmbejmë perspektiva, reflektojmë dhe sfidojmë njëra-tjetrën intelektualisht, duke ruajtur secila identitetin dhe mënyrën e vet të të menduarit.

Doris mishëron një standard që e çmoj shumë: dije pa arrogancë, profesionalizëm pa humbur njerëzoren dhe ambicie për t’u zhvilluar pa humbur etikën.

c0589f53-3c27-4bfd-85c4-df63dc4d3b17

Si kanë evoluar nevojat për shëndetin mendor dhe cilat problematika hasni më shpesh?

Njerëzit nuk vijnë më në psikoterapi vetëm në momentet e krizës. Gjithnjë e më shumë kërkojnë të kuptojnë veten, marrëdhëniet dhe modelet që përsërisin. Ankthi, sulmet e panikut, humori depresiv, trauma, mendimet obsesive, burnout-i, vetëvlerësimi dhe vështirësitë në marrëdhënie janë ndër shqetësimet më të shpeshta. Por për ne është thelbësore të mos reduktojmë njeriun te simptoma: përpara problematikës ekziston gjithmonë një histori.

 

Çfarë ofron sot Klinika Psikoterapeutike Ikigai?

Në “Ikigai” ofrojmë këshillim psikologjik, psikoterapi, BWRT®️ të avancuar, Mindfulness dhe meditim të udhëhequr. Puna ndërtohet mbi individualitetin e personit dhe qasjet integrohen sipas nevojave të tij. Nuk besojmë në një formulë universale, sepse çdo njeri vjen me historinë, ritmin dhe mënyrën e vet të përjetimit.

 

Si zhvillohen seancat? A punoni edhe online?

Seancat zhvillohen në zyrë dhe online, duke na mundësuar të punojmë edhe me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi ndërtohet mbi historinë, ritmin dhe objektivat e personit. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se formati online mund të krijojë një hapësirë terapeutike të vlefshme dhe të qëndrueshme. Për ne, elementi thelbësor mbetet cilësia e marrëdhënies terapeutike, vazhdimësia dhe përshtatja e procesit me personin.

 

Dikur të shkoje te psikologu konsiderohej tabu. A ka ndryshuar kjo?

Po, dukshëm. Stigma ekziston ende, por brezat e rinj po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë mbështetjen psikologjike pjesë të kujdesit ndaj vetes. Psikoterapia po shihet gjithnjë e më shumë jo vetëm si përgjigje ndaj vuajtjes, por edhe si hapësirë vetënjohjeje dhe zhvillimi.

29d9863f-85fc-475a-bff2-a3c643dcf41d

Cilat janë shenjat që nuk duhet të neglizhohen?

Ankthi i vazhdueshëm, izolimi, trishtimi, problemet me gjumin, humbja e interesit apo vështirësitë që fillojnë të ndikojnë jetën e përditshme meritojnë vëmendje. Nuk duhet të presim që vuajtja të bëhet e padurueshme për t’i dhënë vetes të drejtën për të kërkuar mbështetje. Ndonjëherë, një nga format më të pjekura të kujdesit ndaj vetes është të kuptosh se nuk është e nevojshme t’i përballosh të gjitha vetëm.

 

Cili moment ju ka frymëzuar më shumë gjatë këtyre pesë viteve?

Nuk është një histori e vetme. Është një moment që përsëritet në forma të ndryshme: kur një person fillon ta shohë veten me sy të tjerë. Kur vendos një kufi që dikur nuk guxonte ta vendoste; kur një frikë nuk drejton më zgjedhjet e tij; kur rikthen besimin tek vetja. Janë momente të heshtura, por jashtëzakonisht domethënëse, sepse aty kupton se ndryshimi nuk është vetëm teorik: ai ka filluar të bëhet pjesë e jetës së personit. Ndoshta aty qëndron edhe kuptimi më i thellë i punës sonë dhe i emrit “Ikigai”: jo t’i japësh njeriut një përgjigje të gatshme për jetën, por ta shoqërosh derisa të mund të dëgjojë më qartë përgjigjen e vet.

ea35ed9e-b8a6-49fc-b923-8c26fbc3aea5

Adresa: Rruga “Shemsie Haka”, Ali Demi, Tiranë

Cel: +355 67 444 0014

e-mail: [email protected]

e-mail: [email protected]

Cel: 068 411 6719

Facebook Ikigai Psychotherapy Clinic

Instagram ikigai_psychotherapy_clinic

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top