FB

July 2, 2025 | 17:30

Darius, një dritë në spektrin e autizmit / Letra prekëse e psikoterapistes Abazaj

 

Në një përshkrim prekës dhe të sinqertë, psikoterapistja Drilona Shehaj Abazaj, ndan mendimet e saj për Darius, një fëmijë të spektrit autik, i cili nuk është vetëm shembull për moshatarët e tij, por edhe një frymëzim i vërtetë për shumë profesionistë që punojnë me fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit. Fjalët e saj pasqyrojnë dashurinë, respektin dhe admirimin për përparimin dhe forcën që ky fëmijë shfaq çdo ditë.

autizmi1

I dashur Darius!

Po të shkruaj këtë letër me gjithë dashurinë që një zemër mund të mbajë, sepse Ti je një dritë e veçantë në këtë botë, një dritë që ndriçon me ngjyrat e shpirtit tënd të pastër dhe me buzëqeshjen tënde që flet më shumë se mijëra fjalë.

Ti je një fëmijë i mrekullueshëm, një botë e tërë brenda teje. Çdo ditë që kalon ti mëson, zbulon, krijon dhe i jep kuptim gjërave në mënyrën tënde unike. Edhe kur nuk flet shumë, ti shpreh më shumë sesa shumë të rritur dinë të thonë. Çdo vështrim i yti, çdo veprim i vogël, është një dritare drejt një bote që vlen të kuptohet, të dëgjohet e të dashurohet me gjithë shpirtin.

Ti je një udhëtar i një bote të bukur që quhet imagjinatë. Me plastelinën e duarve të tua ndërtove biskotën “Tokë” dhe aty unë ëndërrova bashkë me Ty. Ti e bën të zakonshmen të duket magjike një rrotullim i vogël, një kërcim në vend, një melodi që ti ndjek me trupin tënd të lirë, është art. Ti nuk je vetëm një djalosh pesëvjeçar, ti je një artist i ndjesive, një krijues i paqes, një kampion i durimit.

Darius❤ prania jote i mëson të gjithë përreth teje se dashuria nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Se përqafimet më të sinqerta ndonjëherë vijnë nga heshtja. Se buzëqeshja jote mund të zbusë edhe ditët më të lodhshme. Ti je një kujtesë e përditshme se bukuria gjendet në detajet e vogla dhe se çdo njeri ka një mënyrë për të shkëlqyer.

Mos harro kurrë: Ti je i dashur…Ti je i vlefshëm…Ti je pikërisht ashtu siç duhet të jesh…Ti je bekim në jetën e gjithkujt.

Ne do të ecim përkrah në çdo hap. Do të të dëgjojmë edhe kur nuk flitet, do të të kuptojmë edhe kur nuk shpjegohet, dhe do të festojmë çdo fitore tënden, qoftë edhe më e vogla, si një arritje e madhe, sepse Ti je mrekullia që Zoti zgjodhi ta bëjë pjesë të kësaj bote, të jetës time.

Me dashuri pa fund,

Për ty… gjithmonë…

nga Drilona që të do me gjithë zemër

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top