Shumë teori janë ngritur për të, e me shumë gjasa do vazhdojnë të shkruhen për të kuptuar pse ndodh, kur ndodh…
Disa studiues mendojnë se njerëzit me karakteristika të ngjashme kanë gjasa të dashurohen, dikush tjetër thotë se dy persona të kundërt me njëri-tjetrin kanë më shumë shanse të dashurohen – si një përmbushje e të kundërtave të tyre që rrjedh nga nevoja për t’u plotësuar. Dikush tjetër flet për dashurinë me shikim të parë… etj., etj.
Përgatiti Rudina Koromani, psikologe klinike
Por derisa studiuesit të bien dakord e të gjejnë algoritmin për dashurinë (pak gjasa kanë gjithsesi) le të shohim çfarë thotë psikologu amerikan Sternberg.
Ishin vitet ‘80 kur Robert Sternberg prezantoi teorinë me 3 komponentë të dashurisë e cila përfshin: Intimitetin, pasionin dhe angazhimin. Sipas tij, këto tre elementë përbëjnë Dashurinë, këtë ndjenjë, emocion të fortë, frymëzim të shumë poetëve e artistëve. (A mund të përmblidhet vetëm më këto elementë?)
Sternberg veçon 7 faza / lloje të dashurisë:
Pasion
Në fillimet e njohjes së një çifti ka pothuajse gjithmonë pasion, ose më saktë ka një tërheqje fizike dhe interes të madh për partnerin ose partneren. Në një marrëdhënie të tillë, çifti ndoshta nuk duhet me njëri-tjetrin, por rrinë së bashku vetëm për shkak të pasionit. Njerëzit mendojnë se me kalimin e kohës, ky pasion kthehet në dashuri, mirëpo nuk ndodh gjithmonë kështu.
Pëlqim
Në këtë lloj marrëdhënie, ju mund të jeni gjithmonë vetvetja. Kjo lloj dashurie zakonisht është e lidhur nga interesat e njëjta dhe nga ndjenja se këta dy njerëz kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Psikologët besojnë se një marrëdhënie e tillë pa pasion dhe angazhim serioz është më shumë një miqësi sesa një dashuri me të gjithë komponentët.
Dashuria boshe
Kjo lloj dashurie ka vetëm angazhim ose një premtim mes çiftit, por i mungon intimiteti dhe pasioni. Mirëpo, kjo gjë mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe dashuria shtohet bashkë me pasionin.
Dashuria e keqe
Kjo lloj dashurie përfshin angazhimin dhe pasionin – shumë çifte e përjetojnë këtë lloj dashurie. Dashuria e “keqe” është kur dy njerëz tërhiqen nga njëri-tjetri dhe janë gati të ndjekin disa tradita së bashku si martesa, premtimet, por ata në të vërtetë nuk kanë intimitet.
Dashuria romantike
Kjo lloj dashurie përfshin pasion dhe intimitet. Çifti ndihet komod me njëri-tjetrin, por nuk janë gati për ta çuar lidhjen e tyre në një stad tjetër. Pra e kanë frikë angazhimin serioz. Marrëdhëniet e tilla rrallë përfundojnë në martesë.
Dashuria shoqëri
Dashuria shoqëri është e përbërë nga përkushtimi dhe intimiteti. Marrëdhëniet e tilla janë më shumë një miqësi e zakonshme sesa një lidhje e vërtetë mes partnerëve. Në këtë lloj dashurie nuk ka pasion.
Dashuri e plotë
Kjo lloj dashurie i ka të tre elementët: pasion, intimitet dhe angazhim. Natyrisht, nivelet e tyre nuk janë gjithmonë të barabarta, por e rëndësishme është se dashuria juaj është e plotë. Çiftet që i kanë të tre komponentët jetojnë gjatë së bashku dhe të lumtur… por deri tani ka rezultuar që këto çifte janë shumë të pakta.
Pra dhe Sternberg fatkeqësisht nuk ka arritur ta shpjegojë Dashurinë në teorinë e tij… gjithsesi vlen të përgëzohet për përpjekjen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.