Të gjithë ne, në një mënyrë apo një tjetër, jemi përballur (ose duhet të përballemi) me një rrugëtim të maturimit afektiv, i cili na çon nga dashuria fëmijërore në atë mature. Është një tranzicion i domosdoshëm, rezultat i rritjes, vetëdijësimit dhe përgjegjësisë. Megjithatë, kjo aftësi psikologjike nuk është aspak e lehtë për t’u fituar dhe ka shumë njerëz që mbeten peng në dimensionin e nevojës dhe grackën e lidhjes. Erich Fromm ishte i pari që foli për këto kategori lidhjesh. Në veprën e tij të famshme ‘Arti i Dashurisë’ ai na mësoi, ndër të tjera, se asgjë nuk mund të jetë më e dëmshme sesa të duash pa ditur të dashurosh dhe pa kuptuar bazat e këtij arti të jashtëzakonshëm.
Ja pse shumë njerëz që aventuroren në botë, duke thurur lidhje që lëndojnë dhe shkaktojnë dhimbje, kërkojnë kohë për t’u shëruar. Kush preket nga dashuria fëmijërore priret të mos i kuptojë arsyet e zhgënjimeve sentimentale. Për të krijuar një lidhje të shëndetshme, kërkohet një dozë e mirë përgjegjësie personale, mature dhe të ndërgjegjshme. Ata që e konceptojnë dashurinë si një nevojë dhe strategji për të mbushur mangësitë e tyre, projektojnë fajin tek tjetri, sepse “askush nuk di t’i dashurojë ata ashtu siç e meritojnë”.
Dashuria fëmijërore dhe ajo mature, cilat janë ndryshimet?
Megjithëse dashuria është një ndjenjë universale, në të vërtetë ky dimension nuk është i njëjtë për të gjithë. Pse e themi këtë? Sepse po flasim për një nga realitetet më të fuqishme dhe të bukura që mund të përjetohet, dh keqpërdorimi i tij mund të shkaktojë dëme serioze. Janë të shumtë ata që pësojnë zhgënjime sentimentale, sepse nuk e kanë kuptuar ende që të duash një person tjetër duhet së pari të duash veten. Kjo kërkon përulësi, guxim dhe mençuri. Truri, nga ana e tij, na tërheq pothuajse menjëherë në një shtytje neurokimike në të cilën jemi të dominuar nga tërheqja, pasioni dhe dëshira e zjarrtë për të qenë me tjetrin. Jo gjithmonë ka kohë për t’u bërë të vetëdijshëm për rregullat e dashurisë së mirë.
Dashuria infantile është një ndjenjë që vjen nga nevoja
Ata që përjetojnë dashurinë fëmijërore nuk mund të dashurohen siç do të dëshironin. Provojnë pakënaqësi dhe zhgënjim për zhgënjimet e vazhdueshme, sepse askush nuk mund t’i kuptojë apo të plotësojë të metat e tij. Në mendjen e tij tingëllon gjithnjë e njëjta mantra: “askush nuk më do ashtu siç do të doja të më donin”, dhe nuk pushon kurrë së menduari se ndoshta nuk e do veten ashtu siç duhet. Dashuria fëmijërore dhe ajo mature ndryshojnë në një aspekt kryesor: i pari lind nga nevoja për t’u dashur dhe miratuar nga partneri në mënyrë që të gjejnë hapësirën e tyre në botë. Vetëvlerësimi dhe koncepti i vetes, në këtë rast, ushqehen me një përforcim të jashtëm; kur ky dështon, atëherë gjithçka mungon.
Personi adhuron partnerin në mënyrë jo proporcionale dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka për të. Nuk ekzistojnë kufizime apo rregulla, jepni gjithçka në këmbim të asgjëje. Është një dashuri e dëshpëruar, e cila nuk e lë tjetrin të lirë, pasi ai i dëshiron të gjitha për vete dhe pret gjithçka prej tij. Ashtu si fëmijët posesivë në gjendje të shpërthejnë në një xhelozi, në inat, sepse kanë frikë se nuk do të dashurohen mjaftueshëm, ose se herët a vonë do të tradhtohen. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se dashuria fëmijërore është një derivim i idesë së dashurisë romantike. Të dyja kërkojnë gjysmën e tyre të dytë si një personazh përralle që i shpëton ata nga çdo telash. Një ide që mbart me vete rrezikun e zhgënjimeve, gabimeve dhe dhimbjeve të thella.
Dashuria mature: dëshirë që nis me vetërealizimin
Kalimi nga dashuria fëmijërore tek ajo mature është i mundur pas një udhëtimi personal. Është një tranzicion që të gjithë duhet ta bëjmë, në mënyrë që të fitojmë më shumë përvojë në këtë fushë. Një pasazh që shkon nga ndjenja e zbrazëtisë në plotësi. Nga një ndjenjë e mungesës në kënaqësi. Sepse ata që duan në një mënyrë mature, nuk kanë nevojë të gjejnë dashurinë që të ndihen të kënaqur; ai tashmë ndihet i realizuar.
Personi matur tashmë e ka dhe ia ofron vetes: njohjen, sigurinë, vetëvlerësimin. Dhe kështu, kur krijon marrëdhënie emocionale, ai e bën atë nga dëshira dhe kurrë nga nevoja. Sepse qëllimi i tij në aventurën e dashurisë është të gjejë dikë me të cilin të ndajë një udhëtim, si dy njerëz të lirë dhe të përmbushur, që zgjedhin të ndërtojnë një projekt të bazuar në lumturi dhe bashkëpunim.
Si të kalojmë nga dashuria infantile tek ajo mature?
Asnjëra nuk kalon nga njëra tek tjetra automatikisht apo me të drejtë moshe. Pjekuria emocionale nuk arrihet me moshën apo për shkak të numrit të zhgënjimeve të akumuluara dashurore. Për më tepër, ka nga ata që kalojnë nga zhgënjimi në zhgënjim pa e kuptuar as më së paku se mënyra e tyre e dashurisë bazohet te papjekuria. Atëherë, si është e mundur të fitosh dashurinë mature, të ndërgjegjshme dhe përmbushëse?
Kultivoni tek vetja ato cilësi që prisni nga partneri ideal. Nëse doni t’ju dashurojnë, filloni të doni veten. Nëse dëshironi në krah dikë që është argëtues, inteligjent, i kujdesshëm dhe me vetëbesim pranë jush, bëhuni ju ai person. Ndaloni së paturi nevojë për dikë dhe shndërrohuni në gjithçka që dëshironi. Bëhuni personi që do të donit të kishit në krah. Forconi vetëvlerësimin tuaj. Siç e pohon Fromm, dashuria infantile përsëritet në vetvete: “dua sepse më duan”. Dashuria mature pohon: “më duan sepse di të dua, më duan sepse e dua veten time”.
Ky është pikërisht sekreti: dashuria për veten, vetëvlerësimi, ndaloni së pasuri frikë mos qëndroni vetëm. Shtylla mbi të cilat mbështeten marrëdhëniet e shëndetshme. Lidhje të qëndrueshme emocionale që e bëjnë dashurinë një rrugëtim rritjeje dhe zbulimi, duke lënë mënjanë nevojat, frikërat dhe zbrazëtinë, për të krijuar një strehë ku dhimbja nuk ka vend.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.