FB

September 16, 2025 | 20:30

Dashuria që pret, romantizmi që mbijeton

 

 

Në ditët tona, dashuria shpesh ngatërrohet me pasurinë, statusin dhe pamjen. Një klikim. Një sinjal. Një emoji… dhe duket sikur mjafton. Por dikur ajo ecte ndryshe: e thjeshtë, e duruar, e pastër.

Një kujtim brezash më flet: të mos e lëmë të shuhet dashuria. Sepse dashuria e vërtetë është si frut që piqet ngadalë: kërkon kohë, kërkon dritë, kërkon durim. Koha, kur pret, nuk është armik. Ajo bëhet mik, dëshmitar, bashkudhëtar i ndjenjës. Një pritje nuk është më orë e minuta, por frymë dhe rrahje zemre.

 

alketa-burimi

Dashuria sot

Një zë ngrihet: “Pa pasuri, dashurisë nuk i them po!” Fjalë që ngulen si thika. A thua mos zemra po kthehet në treg, dhe jo në strehë ku fle ndjenja e vërtetë? Por zemra nuk njeh ar. Ajo njeh dridhjen e një shikimi, ngrohtësinë e një dore, heshtjen që flet më shumë se njëmijë fjalë. Dashuria ndizet për një çast në ekran. “Hey Siri, call my love!” Një zë. Një përgjigje. Por jo një zemër që dridhet, as një shikim që ndizet. Shfaqet si emoji. Zhduket si sinjal. Pa pritje. Pa mister. Pa rrënjë. Pa dridhje shpirti.

Trëndafila të shkelur si tapet i kuq për sytë e botës. Puthje të dhëna për klikime, deklarime që shkëlqejnë një moment, dhe fjalë të mëdha, që era i shpërndan… pa lënë asnjë kujtim. E megjithatë, pas dritave që veniten, rri fshehur një mall i pashpjegueshëm: një etje që s’fshihet dot, një boshllëk që rri me pritje. Mos vallë dashuria sot ka frikë? Nga pritja që e rrit? Nga thellësia që i jep shpirt?

Ndoshta… nuk është dashuria që ka faj, por koha moderne, e rrëmbyer, që e huton dhe ia vjedh frymën e saj të pastër. Por dashuria, gjithsesi… pret. Si të më kishte thirrur koha pas shpine: Sa larg kemi shkuar…

 

Dashuria dikur

Mbaj mend vajzën që priste një letër çdo javë. Me bojë blu, me një fjali në fund: “Erdha te dritarja jote, por drita s’ishte ndezur.” Ajo e fuste letrën nën jastëk, jo për gjumë, por për të ngrohur shpirtin. Një trëndafil i tharë bëhej kujtim i pavdekshëm. Një shikim i vjedhur ishte poezi. Një pritje e ëmbël, emocion që nuk shuhej. Një gur në dritare, një trokitje e butë, dhe një fytyrë që skuqej si mollë. Një pritje, dhe kaq mjaftonte. Në Dajt rrihnin zemrat më fort se orkestrat. Në Korçë serenatat ndiznin netët. Në Tiranë këngët e liqenit i këndonin dashurisë. Në Berat dritaret prisnin shikime. Në Shkodër biçikletat fshihnin rrahje zemre. Në Durrës kafenetë vallëzonin nën hënë, dhe nata frymonte dashuri, duke ruajtur romancën në zemrat e tyre.

Qytetet ishin dëshmitarë të dashurisë që ecte ngadalë. Ndoshta sot ato rrugë ende presin shikime të rinjsh, që nuk duhet t’i harrojnë. Sepse dashuria e dikurshme nuk ishte vetëm ndjenjë. Ishte një mënyrë e të jetuarit. Një shkollë durimi, një mësim mbi kohën. Ajo ishte thesari i saj më i madh.

Nëse atëherë pritej një letër, sot pritet një mesazh, por zemra mbetet e njëjtë: gjithmonë kërkon dashurinë e pastër.

dashuria

Mesazhi për brezat

Ky kujtim nuk është vetëm nostalgji. Është një thirrje për ju, gjenerata e shpejtësisë: mos e lini dashurinë të shuhet. Në vend të një emoji, dhuroni një trëndafil. Në vend të një “Të dua” të shpejtë, dhuroni një dridhje shpirti. Sepse dashuria e pastër nuk njeh kohë, as shpejtësi, as komanda. Ajo të mëson një sekret të madh: njeriu nuk është qenie e nxitimit, por qenie e pritjes.

Një emoji nuk ka erën e letrës që zverdhet me kohën. Një mesazh i fshirë nuk mban dridhjen e dorës që shkruan. Dashuria e shpejtë është si një këngë e bukur, por e shkurtër. Dashuria që pret është një melodi që mbetet, edhe kur heshtja e kthen në kujtim.

 

Shënim i autores

Thonë: dashuria nxiton, nuk ka kohë të presë. Romantizmi ende pret. Trokitni me zemër, dhe do ta gjeni. Ky shkrim lindi nga kujtimet e brezave tanë, prindër e gjyshër, dhe nga koha e shkuar, që ende ruan aromën e dashurisë së vërtetë. Ata na treguan se si dashuria ecte ndryshe: me letra të shkruara me dorë, me pritje të gjata, me serenata nën dritare e me zemra që dinin të duronin. Dhe unë e pashë atë kohë me sytë e një fëmije: në tregimet e të mëdhenjve, në bisedat e të rinjve, në filmat që mbushnin netët e rritjes sime.

Sepse dashuria e vërtetë nuk ka ikur kurrë. Ajo vetëm pret, pasi e di vlerën e vet. Dhe në këtë pritje, gjen pavdekësinë e saj. Të presësh, do të thotë të duash përgjithmonë.

 

*Alketa Burimi, mësuese dhe krijuese shqiptare në diasporë, pjesë e shkollës shqipe në Naples, Florida

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top