Nga Fotjon Dorre, psikolog klinik
Pse dashurohemi dhe ndahemi? Është dhe do vijojë të jetë një pyetje që nuk besoj se do të marrë ndonjëherë përgjigje shteruese. Në një tjetër këndvështrim, dashurinë mund ta shohim si një projeksion, ku diçka që i përket vetes perceptohet sikur i përket tjetrit.

Projeksioni ka veçoritë e veta të shëndetshme, si kuriozitetin për të zbuluar botën (tjetrin), dhembshurinë (empatinë) ndaj tjetrit, për të zbuluar te vetja ato pjesë që na japin dhimbje, etj.. Projeksionin mund t’a shohim si pasqyrën ku te tjetri shohim veten.
Por në projeksionin e pashëndetshëm nuk është çështja se ne projektojmë veten te të tjerët, por fakti se nuk jemi në gjendje ta rimarrim projeksionin mbrapsht. Projeksioni shihet si investim. Ekziston një UNË dhe një TI, por TI ekziston kryesisht si një ekran ku UNË ka pasqyruar veten.
Në jetën tonë dashurore, kjo mund të ketë pasoja mjaft të rënda. Nëse në dalldinë (pasionin) tonë jemi në gjendje të projektojmë vetëm veten tek tjetri, jemi të aftë të biem në dashuri vetëm me imazhin tonë në pasqyrë. Një marrëdhënie e qëndrueshme bëhet pothuajse e pamundur, pasi intimiteti në rritje na detyron të “shikojmë më nga afër”. Kur tjetri “shpërfaqet” si një person dhe imazhi që del nuk i ngjan projeksioneve tona, dashuria mbaron. Atëherë na duhet një partner/e i/e ri/re për të “bujtur” projeksionin tonë. Kjo situate cakton kufizime të ashpra në marrëdhënien tonë me botën (tjetrin). Tjetri bëhet një instrument. Kur projeksioni nuk mund të rimerret, ne zhvillojmë një varësi të pashëndetshme nga tjetri, pasi nuk po marrim mbrapsht investimin tonë. Sepse UNË-JAM mund të “ekzistojë” vetëm rreth atij personi, i cili është i gatshëm të veprojë si një ekran projeksioni, duke ruajtur në të njëjtën kohë një distancë mendore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

