Në fokus

May 20, 2016 | 7:20

DEPRESIONI/ Çfarë është, nga vjen… si trajtohet

Çfarë është depresioni?

Në të përditshmen jemi mësuar ta shoqërojmë këtë term me një gjendjeje trishtimi dhe mërzie, mungesë motivimi dhe apati. Duke rrëmuar për prejardhjen e fjalës, më la përshtypje fakti që ky emërtim merr përmasa të ndryshme në fusha të ndryshme. Si psh, në fizikë me depresion kuptohet presioni/shtypja negative; në ekonomi i përgjigjet një faze zbritjeje të ciklit ekonomik; në gjeografi është një formim gjeologjik, lartësia e të cilit është inferior ndaj nivelit të detit në krahasim me zonat që e rrethojnë… Në secilin rast duket të ketë diçka me atë çfarë specialistët e çështjeve mendore mendojnë të jetë depresioni. Në psikiatri thuhet të jetë një gjendje patologjike mposhtjeje fizike e mendore, çrregullim i humorit, që ndiqet nga një seri simptomash kognitive, sjellore, trupore dhe afektive. Të gjithë këta parametra të mbledhur bëjnë që ngjyrat e humorit të bien duke keqndikuar mbi funksionimin e përgjithshëm të individit, si dhe të mënyrës si individi arsyeton, mendon e përfiguron vetveten, të tjerë dhe botën e jashtme.

Po cilat janë disa prej teorive mbi prejardhjen e depresionit?

Nuk besoj se mund të flasim për shkaqe të mirëfillta, duke pasur parasysh që asnjë fenomen apo përplasje me realitetin, qoftë edhe më i rëndi, nuk mund t’u shkaktojë njerëzve të njëjtin efekt. Do të veçoja këtu dy përqasje, atë gjenetike dhe atë psikoanalitike, po gjithnjë duke i prekur përciptazi:

Cila është prirja gjenetike në këtë drejtim?

Studimet mbi binjakë, si monozigotë, ashtu edhe jo të tillë, kanë treguar trashëgimi të çrregullimit depresiv. Kjo trashëgimi ama, po ashtu si edhe shumë sëmundje të tjera psikiatrike, nuk transmetohet përmes gjenesh në një rrugë përcjellëse të drejtpërdrejtë, por ka të bëjë më tepër me një përbërje gjenetike që krijohet. Me pak fjalë nuk ekziston një i ashtuquajtur “gjen i depresionit”, i cili mund të merret direkt me rrugë trashëgimie. Depresioni ekziston edhe tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas statistikave, 70% e fëmijëve me depresion kanë të paktën një prind me çrregullim humori. Kjo pjesërisht lidhet me faktin që një prind me humor jo të mirë, prodhon dhe krijon një marrëdhënie jo të shëndetshme atashimi. Por studime të tjera tregojnë që fëmijë me prindër që vuanin nga depresioni, por që janë rritur me familje adoptive të shëndetshme në marrëdhënie e në zhvillim, kanë pasur prirje më të theksuar drejt depresionit se të tjerë.

Ç’thoshte psikanaliza dikur…

Frojdi fliste për këto koncepte disa dhjetëvjeçare më parë dhe theksonte se është me rëndësi të veçantë të hetohet marrëdhënia mes agresivitetit dhe instancës psikike, që u përgjigjet detyrimeve që njeriu ndjen brenda qenies së tij. Në fakt, po të vihet re, sa më tepër njeriu e frenon agresivitetin e tij ndaj botës së jashtme, aq më tepër bëhet kërkues apo agresiv ndaj idealit të Unit të vet. Në gjenezën e atij depresioni për të cilin flet Frojdi, i cili duket të jetë edhe jashtë patologjisë një nga çmimet që duhet të paguajmë për qytetërimin tonë, vërehet një ndryshim thelbësor mes depresionit të klasifikuar të shkallëve të rënda sot (që dikur quhej melankoli) dhe nuk qe dhe aq i shtresëzuar; dhe trishtimit që pushton qenien njerëzore pas një varfërimi të mundshëm të mjedisit të jashtëm, ku ai ndërvepron. Kjo (që Frojdi e përkufizon si “gjendje zije”) është një gjendje e natyrshme, që pason humbjen e një objekt/situate të dashur, apo të diçkaje më abstrakte, si atdheu për shembull, apo liria, apo një ideal, por që përbën rëndësi në përkushtimin e përgjithshëm të njeriut, e si rrjedhim në humorin e tij. Sado keq të përjetohet, kjo gjendje do të pasohet nga tentime për përpunim që psikiku do të kryejë nëpërmjet mekanizmave mbrojtës. Të tilla gjendje lënë padyshim gjurmë tek ne, por nëse përpunimi kryhet e përmbyllet pas ciklit të tij individual e rrethanor, nuk shpien detyrimisht drejt depresionit. Ndërsa, melankolia e famshme e Frojdit, ose depresioni i sotëm, është kur i sëmuri vuan për diçka të humbur, vetëm se në këtë rast ai nuk është i vetëdijshëm për këtë humbje. Diçkaja në fjalë nuk ka linja të qarta, por ka të bëjë me një varfërim aq të skajshëm ndjesish për gjithçka që e rrethon individin, sa varfërimi i asnjë diçkaje në veçanti nuk ka më rëndësi për të. Ashtu sikurse nuk ka as pasurimi.

Si mund ta mbajmë larg depresionin?

Nuk ka receta për të mbajtur larg depresionin, sidomos kur mendohet për sa thamë më sipër edhe për faktorin gjenetik. Stresi dhe jeta e tensionuar mund të shërbejnë si një element ushqyes në një terren të favorshëm për lindjen dhe zhvillimin e kësaj sëmundjeje, por nuk mund të themi që do të mjaftonin për t’i dhënë udhë depresionit në jetën e secilit prej nesh. Ngjarjet e perceptuara të hidhura, mund të jenë faktor shpërthyes i një depresioni të trashëguar shpeshherë, por shpesh ato janë ndodhira e rastësira të pamundura për t’u shmangur. Sigurisht, kjo nuk duhet ta ndalë qenien njerëzore të vetëmotivohet vazhdimisht, të përndjekë kënaqësinë duke kërkuar e gjetur strategjitë e duhura për të bërë bashkë ndjesinë me mendimin, të përpiqet të shtojë nivelet e sadisfaksionit personal, duke krijuar e ruajtur për perceptimin e tij një imazh të mirë të vetvetes, të kultivojë marrëdhënie dhe situata që e bëjnë të ndihet mirë, të gjejë mënyrën e tij individuale për t’u përshtatur nëse mundet/ duhet patjetër dhe për atë vetë, dhe në të kundërt të identifikojë toleranca ndaj vetes. Nëse individi arrin të gjejë mënyra për t’i shtuar vetes interesa në çdo sferë të jetës, duke besuar e vepruar përkundrejt një rritjeje në progres të vetes e botës rreth tij; nëse arrin t’i falë vetes kritikën e ashpër, është në rrugën e duhur për të ruajtur shëndetin e tij mendor, ndonëse gjithnjë, jashtë shakave të këqija që mund të bëjë fati.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top