Depresioni është një rënie e vazhdueshme, ku ditët zvarriten ngadalë, ku mungojnë lotët edhe kur dëshiron të qash, ku njeriu ndien sikur po vdes nga brenda, sepse nuk ka më buzëqeshje për një tru pa shpresë…
Kjo ndjesi, kaq e njohur për shumë njerëz, është një çrregullim i ndërlikuar i humorit. Depresioni është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë dhe pafuqisë sot. Është një problem serioz shëndetësor dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim.
Po ndodh diçka. Ndërkohë që qeveritë përqendrohen te kostoja ekonomike (trajtimi i problemeve të shëndetit mendor mund të arrijë deri në 4% të PBB-së së një vendi), mjekët dhe psikiatrit theksojnë rëndësinë e parandalimit. Edhe pse sot dimë si të trajtojmë depresionin, ende nuk dimë si të parandalojmë ato momente të jetës kur dikush thjesht humbet veten në një vorbull kimike dhe emocionale të trurit. Ju ftojmë ta shikoni këtë aspekt të shëndetit dhe mirëqenies sonë më nga afër.
Depresioni: Një stigmë e heshtur
Depresioni nuk vjen papritur. Askush nuk e zgjedh vetë si pjesë të përditshmërisë së vet. Askush nuk dëshiron të shkëputet vullnetarisht nga zhurma e jetës, emocionet pozitive apo lumturia. Ai shfaqet gradualisht, ngadalë dhe rëndë, derisa të fundos në ndjesinë e brishtësisë dhe pamundësisë për të reaguar. Michael King, psikiatër dhe profesor në Departamentin e Shkencave të Shëndetit Mendor në University College London (UCL), është një nga hartuesit e testit të njohur PredictD, i cili synon të parashikojë rrezikun për depresion. Sipas tij, depresioni vazhdon të jetë një gjendje shumë e stigmatizuar.
Sipas studimeve të ndryshme, rreth 50% e rasteve të depresionit nuk marrin asnjë trajtim ose nuk trajtohen në mënyrën e duhur për nevojat e pacientit. Kjo çon mijëra njerëz drejt humbjes totale, ndërsa shumë të tjerë zgjedhin vetëvrasjen si “zgjidhje” ndaj dhimbjes së jetës. Të tjerët, thjesht përpiqen të përballojnë jetën nga një rënie në tjetrën.
Kur truri ndalon së lidhuri me jetën
Sipas disa rrymave shpirtërore, të gjithë ne “vibrojmë”. Ne emetojmë një muzikë të brendshme që na ndihmon të lidhemi me njerëzit, vendet apo aktivitetet që përputhen me natyrën tonë. Kjo “melodi” e brendshme është pasqyrim i një truri të gjallë, të pasionuar dhe kurioz. Por kur shfaqet depresioni, kjo aftësi për të “vibruar” shuhet, sepse impulset elektrike në disa pjesë të trurit ulen dhe ngadalësohen. Kështu kalojmë në një gjendje “gjysmë-letargjie”, ku lidhjet nervore zvogëlohen dhe ku ndodh një rrëshqitje e thellë kimike që është shumë e vështirë për t’u kapërcyer.
Efektet e depresionit në strukturën e trurit
Duhet theksuar se depresioni nuk vjen vetëm nga çekuilibra kimikë. Faktorët gjenetikë, emocionalë dhe problemet e tjera shëndetësore mund të ndikojnë. Por ndikimi i depresionit mbi trurin është i dukshëm:
Hipokampusi, pjesë e sistemit limbik që kontrollon kujtesën afatgjatë, tkurret gjatë periudhave të gjata të depresionit ose stresit kronik. Kjo sjell vështirësi në përqendrim, kujtesë dhe përpunim informacioni. Depresioni krijon një kaos të ndërlikuar kimik, ku substanca si acetilkolina, serotonina, norepinefrina dhe dopamina humbasin ekuilibrin e tyre. Kjo e bën të vështirë për të prekurit të flenë mirë, të ndihen të motivuar, apo të gjejnë kuptim në gjërat që dikur i gëzonin. Talamusi, që përpunon informacionin shqisor dhe ndihmon në lëvizje e të folur, ndikohet gjithashtu. Njerëzit me depresion shpesh janë më të ngadaltë në reagime dhe komunikim – një shenjë që bie menjëherë në sy.
Mos e lini veten të fundoset
Depresioni është një armik kompleks që vendoset në tru, por godet më fort në zemër. Mendimet bëhen të rrëmujshme, të errëta dhe të dhimbshme, deri në një rrëshqitje të gjatë mendore dhe emocionale që mund të zgjasë për vite.
Mos e pranoni këtë si një realitet të pashmangshëm. Mos u izolohuni. Lejoni të tjerët t’ju ndihmojnë dhe, më e rëndësishmja, luftoni për t’u rikthyer në breg, për të veshur sërish këpucët e shpresës dhe syzet e optimizmit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.